Halilaj ekspozon në “Louisiana” të Danimarkës

Halilaj ekspozon në “Louisiana” të Danimarkës

Kultura June 20, 2019 - 09:18
Lexo më shumë detaje
Image

Në njërin nga muzetë më të rëndësishëm të artit modern në Skandinavi, por edhe në Evropë, artisti kosovar Petrit Halilaj do të prezantojë artin e tij. Halilaj është në mesin e 13 artistëve nga vende të ndryshme të botës që do të marrin pjesë në ekspozitën kolektive “Homeless Souls” (Shpirtra të pastrehë). Kjo ekspozitë do të hapet më 27 qershor dhe do të qëndrojë e hapur në muzeun danez deri më 22 gusht.

Për gazetën “Zëri” Petrit Halilaj ka thënë se për të ky prezantim në Danimarkë është shumë i rëndësishëm. Në muzeun e artit modern “Louisiana” Halilaj do të prezantojë një vepër që lidhet me vendlindjen e tij, Runikun e Skenderajt. Atje ai do të prezantojë projektin “Ru”. “Unë po marr pjesë me projektin ‘Ru’, i cili përbëhet nga fragmente ose nga objekte të kohës se neolitit në Kosovë, ose me saktësisht në Runik. Është i njëjti projekt, por në një kontekst që është mjaft i ndryshëm, sepse sjell dhe e sheh projektin nga një dritë dhe nga një perspektivë tjetër”, tregoi për “Zërin” Halilaj.

I lindur në Runik, Petriti është i njohur për punën e tij artistike, e cila është prezantuar nëpër vende të ndryshme në botë. Ai po ashtu njihet edhe për përfshirjen e historisë së qytetit të tij në këto punime. Mund të përmendim këtu ekspozitën e tij në Nju-Jork, që përmbante rikrijime të shumta të relikteve të gjetura në Runik, ose vitin 2011, kur ai e gërmoi dhe e transportoi një copë të madhe dheu nga fshati i tij dhe e shfaqi në Bazel të Zvicrës. Ekspozita “Abetare” ose dërgimi i qilimave në Varshavë.

Në vitin 2018 Halilaj u kthye në Kosovë nga kryeqyteti gjerman Berlini, duke bërë pauzë nga jeta e tij si artist bashkëkohor i vlerësuar ndërkombëtarisht për ta ringjallur një hapësirë që dikur ishte ndër më të gjallat: Shtëpinë e Kulturës në Runik. Me “Shkreptimën”, një performancë e bazuar në teatër, e krijuar nga Halilaj dhe me regji të tij, ajo shtëpi u gjallërua.

Trembëdhjetë perspektiva për mërgimin

Në faqen zyrtare të muzeut “Louisiana” thuhet se duke marrë temat e emigrimit dhe të imigrimit ekspozita paraqet një numër të artistëve të jashtëzakonshëm ndërkombëtarë, puna e të cilëve flet drejtpërdrejt për kohët tona të kaluara. Duke përfshirë vende të ndryshme si Irani, Iraku, Nigeria, Algjeria dhe Kosova, artistët prezantojnë historitë dhe përvojat e tyre, të cilat i shqyrtojnë dhe i trajtojnë në art, që është edhe aktuale dhe e përjetshme, universale dhe shumë personale.

“‘Homeless Souls’ bën së bashku një duzinë zërash artistikë nga vende të ndryshme të botës për një bisedë rreth mërgimit si një realitet politik dhe ekzistencial. Duke paraqitur tregime personale dhe kolektive, ekspozita shton perspektiva të reja për tema si mërgimi, demarkacioni, shtetësia, lëvizjet ndërkufitare, udhëtimet sekrete dhe identiteti”, theksohet në njoftim.

Ajo që të gjithë artistët në këtë ekspozitë e kanë të përbashkët është se ata eksperimentojnë me strategji të reja vizuale, efekte poetike dhe pajisje artistike për të na afruar me mërgimin si një realitet i gjallë. Nga ana tjetër, ata gjithashtu tregojnë aftësinë e artit për të dhënë imazhe të reja dhe të ndryshme të një realiteti që na është sjellë çdo ditë përmes fotojournalizmit dhe medies.

Mediumet e artit dhe pajisjet në këtë ekspozitë shkojnë shumë më larg, nga dokumentarët eksperimentalë në skulpturë e në pikturë. Ndërkohë, përmes medieve dhe zërave individualë artistët ndajnë një kauzë të përbashkët: Ta përdorin artin si një hapësirë ëpër të shqyrtuar dhe për të ndarë ngjarjet historike dhe traumat personale.

Sipas organizatorëve të ekspozitës, veprat e artit në “Homeless Souls” jo vetëm që pasqyrojnë ditët e sotme, por edhe prekin temat që tregojnë si përpara dhe prapa në kohë, duke na lidhur me periudhat, vendet dhe fatet që nuk janë tonat.