Ekspozita “Hybrid”, një muaj për publikun korçar

Ekspozita “Hybrid”, një muaj për publikun korçar

Kultura June 20, 2019 - 09:23
Lexo më shumë detaje

 

Ekspozita “Hybrid” hapet për publikun në qendrën e artit bashkëkohor ME WE në qytetin e Korçës, shkruan gazeta "Zeri".

Ekspozita me punime të dy artistëve Sadik Spahija dhe Ergys Krisiko është kuruar nga Ardian Isufi, si dhe nga Altin Lika.

Në punimet e saj publiku gjen instalacion dhe skulpturë.

Bashkëkuratori i ekspozitës, Ardian Isufi, shprehet se qendra e artit bashkëkohor ME WE ka një platformë e cila lidhet shumë me hapësirën konkrete, që është në pazarin e vjetër të Korçës. Sipas tij, veprat e artistëve konceptohen në bazë të hapësirës. “Në këtë rast artistët Sadik Spahija dhe Ergys Krisiko kanë konceptuar dy vepra, që janë të dedikuara për hapësirat e qendrës së artit në këtë qytet”, pohon Isufi.

Më tej duke folur për ekspozitën bashkëkuratori Ardian Isufi shton se veprat kanë një temë dhe një titull, titullohen “Hybrid” sepse të dy artistët lëvizin shumë me ambiguitetin e figurës, ku ka koncepte bashkëkohore të analizës pamore mbi alinienizimin, mbi ambiguitetin e formave dhe të simbolikës. “Gjithashtu të dy artistët sjellin edhe një vepër të re, që lidhet me traditën tonë, duke futur një element të rëndësishëm siç është samari i kafshëve, që përdoret për punë, duke e lidhur me një këmbë humane dhe duke na futur në një mutacion historik”, shton më tutje Ardian Isufi për ekspozitën.

Ekspozita “Hybrid” për publikun është me instalacion dhe me skulpturë, bashkëkuratori Isufi tregon se mediumi i përdorur është qeramikë, si dhe ka teknika të përziera.