Ese, skica dhe portrete në librin “Shokë” të Agustin Gjinajt

Ese, skica dhe portrete në librin “Shokë” të Agustin Gjinajt

Kultura June 21, 2019 - 09:46
Lexo më shumë detaje
Image

Autori Agustin Gjinaj ka përuruar ditën e enjte në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës librin e tij më të ri, që titullohet “Shokë”.

Në praninë e lexuesve dhe në emër të organizatorit Sevdail Hyseni tha se libri me ese, skica dhe portrete, me titullin simbolik “Shokë”, është një vepër që kalon përmasat e një libri biografik, i cili sjell një mal me kujtime për shokët e idealit për aq vite sa shërbeu në Ushtrinë e Aviacionit.

“Pena e një shkrimtari ushtarak, edhe atë i Forcave Ajrore shqiptare, Agustin Gjinaj, sjell para lexuesve një libër plot me ngjarje e me ndodhi, që vijnë nga Shkolla Ushtarake e Fluturimit. Autori i librit, Agustin Gjinaj, një pjesëtar i denjë i Forcave Ajrore shqiptare, ka përshkruar me pasion dhe me mjeshtëri gjurmët e një veprimtarie jetësore përmes eseve, skicave dhe portreteve, të përmbledhura në 8 kapituj, brenda të cilave janë të radhitura 68 rrëfime interesante. Brenda këtyre kapitujve është edhe ai i 6-ti ‘Zhgënjime’, me titull ‘Vuajti se hapi Universitetin shqip në Preshevë’, personazhi i të cilit është i pranishëm në këtë përurim të librit”, vlerëson Hyseni.

Musa Kame, piloti i parë shqiptar i cili ka ateruar në Prishtinë, njëherësh recensent i librit, foli për përmbajtjen, temat e për stilin në të cilën ka shkruar autori. Ai tha se me të përfunduar dorëshkrimin e Gjinajt ka ndier një kënaqësi të madhe nga eleganca dhe klasi i të shkruarit të librit. Ai vlerëson se renditja e kapitujve të librit është kombinim brilant midis historisë dhe letërsisë, midis faktit dhe imagjinatës, reales e fantazisë, duke dhënë një panoramë me penelat prej mjeshtri, në dukje të thjeshta, gjë që pak njerëz e bëjnë këtë betejë me fjalinë.

“Libri është krejt i veçantë për përmbajtjen, problematikën, formën e stilin e të shkruarit. Ai lexohet me një frymë, sepse gjuha e përdorur është elegante, me figura letrare e shoqëruar me tekste këngësh ose poezi nga më pikantet e perlave shqipe. Informacioni historik është mjaft i gjerë, që do të shërbejë për të mos u humbur nga kujtesa dhe që ajo pjesë e jetës së njerëzve që është shkruar në këtë libër do të ngelet edhe te brezat e ardhshëm. Është harmonike shkrirja që ka bërë Agustini midis shoqërisë shqiptare dhe ushtrisë, midis ushtarakut dhe familjes, midis rangjeve, krahinave e moshave, gjë që ka bërë që libri të ketë vërtetësi, sinqeritet, thjeshtësi, dinjitet e dashuri të madhe për njeriun e veçantë dhe për atdheun”, u shpreh recensenti Kame.

Sipas tij, në qendër të shkrimeve të autorit janë shokët e miqtë brenda e jashtë Shqipërisë, ata janë skicuar në veprimtari të ndryshme, në punë e në familje. Sipas Kames, në vend të historive të mërzitshme në libër përshkruhen episode e ngjarje, duke i sjellë të gjalla momentet e punës e të jetës së njerëzve që me aq dashuri përshkruhen në libër.

“Agustinin e kam njohur që në Shkollën e Aviacionit, kur ishim 18-vjeçarë e ku ai dallohej si për portretin e tij simpatik, si djalë i shkathët, i shquar në mësime e në aktivitete sportive e kulturore. Edhe ushtarakët mund ta ndiejnë librin si shumë të afërt me jetën e tyre, me përpjekjet që ata kanë bërë për të konsoliduar shtetin shqiptar. Fakt është se vetëm në Aviacionin Luftarak shqiptar më shumë se 40 individë kanë dhënë jetën në krye të detyrës. Si përfundim, gjithçka në këtë libër na bën të mendojmë se ia vlen jeta kur e vë atë në shërbim të atdheut. Libri është një dhuratë e çmuar në kohën e duhur si një epilog i lavdishëm për pjesëtarët e armës së Aviacionit Luftarak shqiptar, një monument që autori ia ngre ushtrisë dhe atyre që kanë lidhur jetën me të”, tha Kame.

Në fjalën e tij autori i librit, Agustin Gjinaj, tha se ajo çka ka dashur të thotë ai është shkruar në libër dhe se i mbetet lexuesit të vlerësojë e të lexojë atë që ka thënë vetë autori. Por ai nuk la pa falënderuar miqtë, lexuesit e gjithë dashamirët e veprës së tij, që e nderuan me pjesëmarrje.

Libri i përuruar “Shokë” është i ndarë në tetë kapituj. “Të kesh lindur në Shkodër”, “Të rritesh në ushtri - aviacion”, “Burra”, ku përshkruhen jetë e histori burrash e njerëzish të ndryshëm nga jeta shqiptare, “Shokë”, që është një pasqyrim realist i përpjekjeve e sakrificave të mëdha të shumë individëve që punuan e jetuan në Shqipëri sipas njohjeve të autorit. “Në ministrinë hijerëndë” tregon vitet kur ai punoi dhe njohu nga afër struktura të organizimit të shtetit e të qeverisjes, që ishin mjaft ndryshe nga sa e dinte ai qeverisjen dhe shtetin. “Zhgënjime”, që trajton problematika e fate të ngjashme në të gjitha trevat shqiptare, ku tregohet se si janë njerëzit e kur përballen me iluzionet të mëdha që vijnë nga mosbesimi te politika dhe sistemet shoqërore, zhgënjimet prej të cilave janë shkatërruese. “Dashuria, gratë, ushtria, jeta” ka një përfshirje të gjerë ngjarjesh, episodesh e rrethanash, që nga koncepti për gruan, nderin, dashurinë e legjendave të veriut e deri te gratë e ushtarakëve, të atyre që ranë si dëshmore të atdheut.

Botime të autorit Agustin Gjinaj janë: “Në kështjellën e Mbrojtjes”, “Tranzicion në uniformat e blerta”, “Ushtria drejt NATO-s e vitit 2010”, “Ne jemi nga Ushtria”, “Mig-ët shqiptarë, 50 vjet punë, 10 vjet debat”, “Ftesa që ndau dy epoka”, “Dilema e votës”, “Aviacioni Shqiptar” (1951-2011), “Lidershipi shqiptar përmes historisë së Ushtrisë”, “Edip Ohri - legjenda e Aviacionit” dhe “Shokë”.

Image