“Gjurmët” mblodhën 8.800 €, i dedikohen Shkollës së Muzikës

“Gjurmët” mblodhën 8.800 €, i dedikohen Shkollës së Muzikës

Kultura qershor 21, 2019 - 09:51
Lexo më shumë detaje

 

Komuna e Prishtinës ka publikuar numrin e parave të grumbulluara nga shtija e biletave për koncertin e grupit “Gjurmët”, që u mbajt më 12 qershor. Sipas Komunës së Prishtinës, nga ky koncert janë mbledhur gjithsej 8.800 euro. Përmes një njoftimi është theksuar se shuma e mbledhur 8.800 € nga koncerti i grupit “Gjurmët” do të përdoret për blerjen e instrumenteve muzikore për nder të 70-të vjetorit të shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtine, shkruan gazeta "Zeri".

Në anën tjetër, nga aktiviteti “Loja e yjeve” janë mbledhur 9.288 euro. Shuma prej 9.288 eurosh e mbledhur nga shitja e biletave të “Lojës së Yjeve” do t’u dhurohet familjeve në nevojë në Prishtinë. “Komuna e Prishtinës falënderon përzemërsisht Granit Xhakën, Milot Rashicën, të gjithë 'yjet' pjesëmarrës në ndeshje, grupin muzikor ‘Gjurmët’ dhe mysafirët artistë që i janë bashkëngjitur qëllimit tonë bamirës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Bashkë me “Gjurmët” në skenë atë natë u ngjitën këngëtarë të njohur nga Kosova e Shqipëria, si Boiken Lako, Elina Duni, Genc Salihu, Violeta Zefi, Dren Abazi e “ZigZag Orkestra”, Alban Nimani, Shpat Deda, Dukagjin Lipa, Xuxi, Tomor Kuçi, Marsela Cibukaj, Edona Vatoci, Nezafete Shala, Ardian Behrami Cipa dhe Grupi Polifonik për ketë mbrëmje, që u mbajt me moton: “Kur kanga dhe dashnia u kthyen në qytet!”.

Rikujtojmë se historia e grupit në përbërje të Migjen Kelmendit, Tomorr Kurshumliut, Bekim Dylës, Armando Gjinit dhe Petrit Rizës është e dokumentuar edhe në librin “GjurmëtLP”, të botuar menjëherë pas luftës në Kosovë, që u ribotua edhe në vitin 2017. Brenda librit lexuesi mund të njoftohet më shumë me mënyrën se si u dashurua atë kohë publiku me stilin e veshjes, me koncertet e grupit ‘Gjurmët’ dhe ndikimin e tyre në kulturën e nënkulturat e asaj kohe. Lumi i Prishtinës ku mbeti? Ku janë serbët dhe shqiptarët që kanë jetuar bashkë? Josip Broz Titoja, si u pa shembja e Jugosllavisë së krijuar nga ai në skenën e rock’n’rollit?. Pyetje si këto dhe të tjera janë brenda shkrimeve në këtë libër.