Së shpejti qendra kulturore me emrin e Nexhmije Pagarushës

Së shpejti qendra kulturore me emrin e Nexhmije Pagarushës

Kultura qershor 22, 2019 - 09:28
Lexo tjera detaje
Image

Në Pagarushë të Malishevës pritet së shpejti të ngrihet një qendër kulturore, e cila i bën nder jetës dhe veprës së këngëtares së mirënjohur kosovare, Nexhmije Pagarushës. Qendra ka për qëllim të nderojë dhe të lartësojë figurën e veprimtarinë e ikonës së muzikës shqiptare, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ky projekt është i iniciuar nga organizata “Troja” dhe ka marrë përkrahjen e Komunës së Malishevës. Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit tashmë ka zgjedhur projektin fitues për këtë qendër dhe së shpejti pritet të nënshkruhet kontrata. Rreth një viti më parë, në korrik të vitit 2018 kjo Komunë ndau parcelën ku pritet të ndërtohet kjo qendër. Në vendimin e nxjerr nga ajo mbledhje e Kuvendit Komunal thuhet se ndërtimi i kësaj qendre kulturor në total kap shumën prej 198.589.00 eurosh dhe nga Komuna e Malishevës është kërkuar të ofrojë vetëm parcelën në mbështetje prej 15 mijë eurosh. Sipërfaqja ku do të ndërtohet ky objekt, që pritet të financohet nga MKRS-ja, është 25 ari dhe vendi njihet në Pagarushë me emrin “Arat e Abazit”.

Hoxha: Projekti fitues është zgjedhur, së shpejti nënshkruhet kontrata

Samir Hoxha, këshilltar i Ministrisë së Kulturës, për “Zërin” ka theksuar se Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve vitin e kaluar pati marrë vendimin ta përkrahë ndërtimin e qendrës kulturore “Nexhmije Pagarusha” në Pagarushë të Malishevës. Pas këtij vendimi dhe pas ndarjes së buxhetit për realizimin e këtij projekti, Ministria e Kulturës, duke respektuar procedurat ligjore në fuqi, ka shpallur konkursin e projektimit për hartimin e projektit për ndërtimin e kompleksit “Nexhmije Pagarusha”, në Pagarushë. “Sipas detyrës projektuese të konkursit të projektimit, qendra kulturore, që do të mbajë emrin ‘Nexhmije Pagarusha’, do të ketë për qëllim promovimin e vlerave kulturore të artit skenik, të muzikës, të komunikimit dhe të ndërveprimit mes njerëzve, të promovimit të trashëgimisë kulturoro-materiale dhe shpirtërore, zgjerimit të aktiviteteve kulturore, përfshirjen e të rinjve të Pagarushës dhe të fshatrave përreth në jetën socio-kulturore dhe sportive”, u shpreh Hoxha.

Sipas tij, qëllimi i këtij konkursi të projektimit është krijimi i një objekti kualitativ arkitektonik, i cili do të shprehë prezencë të fuqishme arkitektonike në mjedisin rural, prezencë kjo që duhet të jetë bashkëkohore dhe inovative, origjinale e identifikuese. Pra një objekt kulturor, i cili do të identifikojë përmes arkitekturës vlerat emancipuese të trashëgimisë sonë kulturore. “Në këtë konkurs-projektimi për ndërtimin e kësaj qendre kulturore janë paraqitur disa projekte të hartuara nga studio vendore të arkitekturës. Ministria e Kulturës duke respektuar të gjitha procedurat ligjore të prokurimit publik ka shpallur projektin fitues të këtij konkursi të projektimit. Vendimi i Ministrisë deri më tani nuk ka hyrë në fuqi për arsye të procedurave ankimore lidhur me rezultatin e konkursit të projektimit. Aktualisht ne si Ministri pas procesit të rivlerësimit të këtij konkursi të projektimit kemi shpallur fituesin e konkursit dhe tani presim që në bazë të procedurave ligjore të nënshkruajmë kontratën me operatorin ekonomik të shpallur fitues”, tha Hoxha duke shtuar tutje se sipas dinamikës së paraparë presin që pas hartimit të projektit kryesor për ndërtimin e qendrës kulturore “Nexhmije Pagarusha” gjatë këtij viti të shpallin tenderin për ndërtimin e këtij objekti kulturor, i cili do të jetë pikë referimi jo vetëm për rajonin e Malishevës, të Rahovecit dhe të Suharekës, por do të jetë pikë referimi kulturor edhe për tërë territorin e Kosovës.

Sipas Hoxhës, kjo hapësirë do t’u dedikohet edhe shfaqjeve teatrale, dramave, koncerteve muzikore, festivaleve rajonale, promovimeve të librave, ekspozitave të ndryshme, takimeve të komunitetit dhe të mundë të shërbejë edhe si bibliotekë po edhe për aktivitete tjera. Në të njëjtën kohë, qendra do të ketë edhe muzeun e trashëgimisë, si dhe amfiteatrin e jashtëm e të gjitha hapësirat tjera përcjellëse për një qendër të karakterit të tillë kulturor.

Hoti: T’i shpërblehet puna ikonës së muzikës

Albanë Hoti, drejtuese e organizatës “Troja”, OJQ kjo që ka qenë iniciuesja e projektit duke ia drejtuar e para kërkesën Komunës së Malishevës, për “Zërin” ka treguar se si ka nisur e gjithë ideja. “Ne ia kemi drejtuar fillimisht kërkesën Komunës së Malishevës. Kemi synuar një projekt ideor drejt realizimit të Qendrës Kulturore të Nexhmije Pagarushës. Pastaj kemi gjetur mbështetje të MRKS-së. Tash jemi në pritje të fazës finale të publikimit të projektit, sepse ata janë në përgatitje të disa miniprojekteve që kanë për t’iu bashkëngjitur këtij projekti. Janë marrë hapa konkretë sa i përket MRKS-së, por Komuna e Malishevës me kapacitetet e saj ka ndarë parcelën, e cila do ta mundësojë ndërtimin e këtij kompleksi”, u shpreh Hoti.

Hoti ka vlerësuar se iniciativa ka ardhur prej organizatës që ajo drejton me dy koleget e saj dhe si rrjedhojë e kësaj është menduar t’i shpërblehet puna ikonës së muzikës shqipe. “Jemi duke e kompletuar punën, të cilën e ka filluar organizata jonë dhe jemi shumë të kënaqur për faktin se bëhet fjalë një personalitet si Nexhmije Pagarusha. E kemi përpunuar, e kemi ideuar projektin, pritet vetëm publikimi”, theksoi ajo.

Besa Kryeziu-Rama, drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Malishevës, për gazetën “Zëri” ka deklaruar se kjo Komunë e ka kryer detyrën e saj sa i përket këtij projekti e ajo ka qenë ndarja e parcelës. “Komuna e Malishevës ka pasur për detyrë vetëm ta ndajë parcelën për projektin në fjalë, mirëpo diçka tjetër si Komunë nuk kemi pasur për të bërë. Ka shkuar në Kuvend ky projekt dhe është votuar unanimisht, por plani se si ka për t’u dukur varet nga MRKS-ja”, theksoi Kryeziu-Rama.

Rikujtojmë se këngëtarja Nexhmije Pagarusha numëron më shumë se pesë dekada karrierë në skenën e artit muzikor. Dikur ajo ishte aktive edhe në kinematografi./ZËRI