FEMART - Festival artistik dhe aktivist që ngrit çështje të rëndësishme dhe thyen tabutë

FEMART - Festival artistik dhe aktivist që ngrit çështje të rëndësishme dhe thyen tabutë

Kultura June 23, 2019 - 18:03
Lexo Detajet

“Me Liri kundër Marres”, përgjatë shtatë ditëve në Prishtinë u shpalosen rrëfime ekskluzive, shfaqje të jashtëzakonshme, konferenca të domosdoshme e koncerte emocionuese e ritmike që i informuan në tema të ndryshme e argëtuan pjesëmarrësit e edicionit të shtatë të Festivalit FemArt që u mbajt në Prishtinë nga 10 deri më 16 qershor.

Gjithçka nisi me Hotel Grand në Prishtinë. Një objekt që tashmë është lënë shumë pasdore, më 10 qershor u bë pikëtakim i artistëve, aktivistëve, qytetarëve e medieve për diçka të madhe. Aty u hap zyrtarisht edicioni i shtatë i Festivalit FemArt.

Brenda mureve të Grandit të Prishtinës, fshihet një e vërtetë e hidhur që disa nga qytetarët e mësuan pikërisht ditën e 10 qershorit. Kjo ditë asoocionte edhe 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Dhimbja bëhej edhe më e madhe. Pikërisht ishte Grandi, aty ku u keqtrajtuan, dhunuan dhe u maltretuan viktima kosovare gjatë luftës së Kosovës. Artistja Eliza Hoxha bashkoi forcat me festivalin artistik dhe aktivist FemArt, e bashkë e hapën ekspozitën në kuadër të festivalit me titull “Bëhu fytyra ime”.

“Me Eliza Hoxhën që katër vite e kemi diskutuar një bashkëpunim. Edhe në shkurt e diskutuam idenë e ekspozitës, unë kam insistuar në Grandin sepse e dija historinë e pa treguar të tij. Aty gjatë luftës janë dhunuar njerëz dhe janë vra dhe askush nuk është marrë me ato krime, kësisoj kam dashur ta rikthejmë dhe të flasim për këtë krim të pandëshkuar dhe të padëgjuar sepse edhe ekspozita është me historitë e grave të cilat kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës”, tregoi drejtoresha e festivalit FemArt, Zana Hoxha, e cila vazhdoi të thotë se shumë shpesh konsiderohet që dhuna seksuale ka ndodhë jashtë Prishtinës, jashtë qendrave, nëpër fshatra e qytete të vogla mirëpo FemArt bashkë me artisten kanë dashur që ta kthejnë vëmendjen këtu dhe të solidarizohen me ato gra e burra të cilët nuk kanë guxuar kurrë të flasin.

Artistja Eliza Hoxha e cila jo rrallëherë ka qenë zë kundër dhunës që ka ndodhur në Kosovës, bashkë me FemArt-in, sollën ekspozitën e cila mori vëmendjen e medieve dhe zuri ballinat e tyre. Një ekspozitë që mbushi me lot sytë e publikut, solli rrëfime të vendosura në kornizë të tejdukshme. Krejt ato u vendosën pikërisht në hapësirën ku edhe kanë ndodhur krimet.

“Ne e dimë që në Grand ka pasur dhunime dhe kjo hapësirë këtu është njëra nga hapësirat që ka pasur gjetje e fakte të njerëzve që kanë qenë të maltretuar dhe dhunuar në këtë hapësirë. Vetë objekti si i tillë në Prishtinë ka shërbyer në këtë çështje. E dyta ka qenë me rëndësi me qenë një ambient që nuk është i bukur dhe me shumë dritë ashtu siç nuk e kanë as ato jetën e bukur. Vasfija është e para që e ka treguar rrëfimin e saj dhe shohim nëpër atë rrëfim edhe gra të tjera. Ai rrëfim është një thirrje për ne që t’i pranojmë ato”, theksoi artistja.

“Me Liri kundër Marres”, është motoja e sivjetshme e festivalit. Kjo moto do i përcjellë përgjatë shtatë ditëve pjesëmarrësit. E me këtë moto nuk kishte si të mungonte Kanuni. Kjo temë që na përcjellë gjatë gjithë jetës u trajtua edhe në FemArt, nga regjisorja Arlinda Morina. Ajo sjelli performancën e jashtëzakonshme “Kanuni i gruas”. Ndërsa artistja holandeze Judith De Leeuv e njohur si “JDL street art” paraqiti muralin me titull “Rise and fall”. Ky mural tregon ciklin që asnjëherë nuk përfundon me gratë që mbizotërojnë dhe bien dhe pastaj ngrihen përsëri. Një histori që asnjëherë nuk përfundon.

Me veprën e saj artistja tha se synon që studentet të cilat kalojnë dhe e shohin këtë mural, të besojnë që mund të bëjnë çdo gjë, edhe nëse ajo është një punë që konsiderohet për burra.

Një performancë tjetër e mrekullueshme erdhi nën regjinë e hungarezes Veronika Szabo. “Queendom”, u shfaq në Teatrin Oda. Paraqiti imazhin e gruas nga Renesanca e deri më sot. Kjo shfaqje ishte dhënë premierë në Hungari vitin e kaluar e në Kosovë erdhi përmes FemArt, dhe shpalosi rrugëtimin e grave të ndryshme në periudha e situata të ndryshme.

FemArt, në edicionin e shtatë solli edhe poezi e panele të cilat janë pjesë shumë e rëndësishme e festivalit. Për t’u kthyer prapë tek motoja, as në këto panele nuk kishte si të mungonte, dhuna në Kosovë e përjetuar gjatë luftës. FemArt, i dha edhe njëherë rëndësinë e veçantë gjithë atyre grave dhe burrave që humbën copa të vetes, copa të jetës . E mediat të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në këtë fushë, u paraqitën në njërin nga panelet ku u fol për luftimin e stigmës përmes mediave dhe arteve.

Ramize Murtezi Shala, e cila është autore e emisionit “Udhëve” në RTK, është njëra nga gazetaret që i ka dhënë rëndësi të veçantë temës së dhunimit të grave e burrave në luftën e Kosovës.

Ne jemi munduar ta mbajmë si çështje të ngritur në media, për këtë nuk mund të krenohem unë e as RTK-ja, sepse mendoj që fajin më të madh e kanë mediat për shkak të këtij stigmatizimit që ka zgjatur kaq shumë. Nëse ne si media kishim filluar shumë herët të merremi me dhunimet e luftës e ndodhitë e tjera, jo për të kërkuar hakmarrje por thjeshtë për ta mbajtur temën aktuale gjithmonë duke kërkuar në këtë formë që të mos bëhet presion, kështu rastet do të trajtoheshin dhe traumat në një farë forme të shëroheshin duke u trajtuar nga ekspertët”, ka thënë Murtezi-Shala, gazetarja para së cilës heroina Vasfije Krasniqi-Goodman, tregoi rrëfimin e saj të dhunimit gjatë luftës në Kosovës.

Ky festival nuk mund të kishte përmbyllje më të mirë se sa të sjellë në skenën e Teatrit Oda, grupin nga Portugalia “Yemadas”. Në një atmosferë që të linte shije fantastike “Yemadas”, vallëzuan e kënduan bashkë me pjesëmarrësit e festivalit e po ashtu vizitorët që ishin në një numër mjaft të madh.

“Yemadas” sollën muzikë me ritme afrikane e të influencuar nga vendet e ndryshme që kanë vizituar muzikantët. Ata e konsideruan ardhjen në festivalin FemArt si një fillim të ri të marrëdhënies me Kosovën.

“Njerëzit po e duan muzikën tonë dhe sonte është ndryshe për audiencën që të na pres këtu sepse sollëm stile të ndryshme muzikore pasi që kemi përfshirë edhe vallëzim, ku kemi vendosur lëvizjet e fuqishme të grave nga mbarë bota dhe Afrika. Ne përmes vallëzimit e sjellim shprehjen e lirë të grave”, thanë nga grupi “Yemadas”.

Përveç “Yemadas”, nata e fundit e FemArt, solli edhe valltarët e Evolution Dance si dhe artistëve nga Shqipëria, Vitmar Bashës dhe Marsela Çibukaj.

FemArt, është një nga festivalet i cili përveç pjesës artistike sjellë në memorie historitë që ndoshta i kemi harruar, na mëson gjërat që nuk i kemi ditur më parë e po ashtu na mëson se si të ecim “Me Liri kundër Marres”.

Përveç rreth 200 artisteve dhe aktivisteve nga Kosova, Rajoni, Evropa, Amerika, Azia dhe Afrika, festivali ka angazhuar 30 vullnetarë/e, të rinj/reja nga të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë që ta ngritë pjesëmarrjen e rinisë në çështjen e forcimit të rolit të gruas në Kosovë dhe rajon, ndarjen e përvojave.

Donatorët e festivalit FemArt janë: Bashkimi Europian, KCR, Kvinna till Kvinna, Austrian Development Cooperation, UNFPA, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, Cfd, QKRMT, Unë e Du Kosovën, IPKO Foundation, UNËOMEN, Koalicioni K10, Hotel International Prishtina.

Festivali Femart është pjesë e iniciativës së 20 aktiviteteve për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës, organizuar në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Image