Përurohet pulla me portretin e Wilsonit

Përurohet pulla me portretin e Wilsonit

Kultura June 25, 2019 - 10:37
Lexo më shumë detaje
Image

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës të hënën u përurua pulla postare me portretin e Woodrow Wilsonit, kushtuar 100-vjetorit të Konferencës së Parisit dhe angazhimit të presidentit amerikan, si dhe të qeverisë amerikane për t’i mbrojtur të drejtat dhe integritetin territorial të Shqipërisë. Kjo ngjarje është realizuar në patronazhin e Kryeministrisë në bashkëpunim me Postën e Kosovës. Para të pranishmëve Wilson u kujtua si njeri i shquar, që përveç ndikimit të cilin pati përgjatë Luftës së Parë Botërore, ai do të njihet në historinë shqiptare si njeriu i cili nuk pranoi copëtimin e tokave të Shqipërisë.

Ramush Haradinaj, kryeministër i Republikës së Kosovës, tha se është vënë në zbatim edhe pulla postare për presidentin Wilson, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm në një periudhë të rëndësishme të kombit tonë.

“Në kuadër të përvjetorëve të rëndësishëm të jetës sonë si në Kosovë, por edhe të kombit tonë ne kemi pasur nderin që para pak ditësh të kemi në Kosovë presidentin e Amerikës Clinton, sekretaren Albright dhe gjeneralin Clark. Kosova ka nderuar këto figura me vënien në zbatim të pullës postare të dy figurave kyçe të Amerikës. Në atë kohë jam vënë në dijeni se një nderim i këtillë do të bëhet edhe për presidentin Wilson, duke pasur parasysh rolin e tij të rëndësishëm në një periudhë të rëndësishme të kombit tonë”, thekson kryeministri Haradinaj.

Ai tutje ka vlerësuar se një sjellje e tillë e popullit tonë është një shenjë respekti dhe falënderimi që buron po ashtu nga ajo që përjetuam ne.

“Ky veprim i NATO-s i ka bërë një nder të madh popullit serb, sepse e ka shpëtuar nga një krim më i madh sesa ai që e kishin bërë deri atëherë, që do të ishte një njollë e zezë për ta, madje më e zezë sesa ajo që i ka ndodhur historisë së popullit serb. Mendoj se falënderimin më të madh Amerikës do të duhej t’ia bëjë vetë populli serb dhe Serbia, që NATO-ja e Amerika nuk e la të ecë në rrugën e krimit, e cila do të ishte e keqja më e madhe që do të bëhej në historinë e njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore”, theksoi Haradinaj që sipas tij ndodhën dy të mira, u shpëtua populli i Kosovës, por edhe u ndal një e keqe.

“E përgëzoj iniciativën e tillë të Postës së Kosovës. Ne e kemi një shprehje që e themi të gjithë ‘God bless USA’, shprehje që buron prej zemrës dhe unë them Zoti e bekoftë Amerikën për të gjitha të mirat që i ka bërë për popullin tonë”, tha kryeministri.

Sejdi Hoxha, kryeshefi i Postës së Kosovës, ka theksuar se qarkullimi i pullës postare i është dedikuar mikut të madh të kombit shqiptar për rolin vendimtar në mbrojtjen e trojeve shqiptare.

“Me rastin e 100-vjetori të Konferencës së Paqes në Paris, Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim pullën postare dedikuar mikut të madh të kombit shqiptar presidentit të 28-të të SHBA-së Wilson, për kontributin vendimtar në mbrojtjen e trojeve shqiptare”, tha Hoxha, duke theksuar se titulli zyrtar i kësaj pulle postare që është në qarkullim që nga data 25 maj të vitit 2019 është “100-vjetori i mbrojtjes së trojeve shqiptare Woodrow Wilson”.