Libri i javës     “Ç’është popullizmi?” nga nga Jan-Werner Muller

Libri i javës “Ç’është popullizmi?” nga nga Jan-Werner Muller

Kultura korrik 08, 2019 - 15:24
Lexo më shumë detaje

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Ç’është popullizmi?” nga nga Jan-Werner Muller. Libri është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Pema” dhe është përkthyer nga Elena Topulli.

Donald Trump, Silvio Berlusconi, Marine Le Pen, Hugo Chávez – populistët po rriten gjithmonë e më shumë përgjatë globit. Ky libër përpiqet të tregojë çfarë është saktësisht populizmi. A duhet quajtur populist çdokush që kritikon “Wall Street”-in apo “Washington”-in? Cili është dallimi i saktë mes populizmit të majtë dhe atij të djathtë? A e sjell populizmi qeverinë më afër popullit apo është kërcënim për demokracinë? Kush është “populli” dhe kush mund të flasë në emër të tij? Këto pyetje nuk kanë qenë ndonjëherë kaq të ngutshme.

Në këtë vëllim novator Jan-Werner Müller argumenton se në thelbin e populizmit ekziston një refuzim i pluralizmit. Populistët pretendojnë gjithmonë se ata dhe vetëm ata përfaqësojnë popullin dhe interesat e tij. Müller gjithashtu tregon se pavarësisht dijes konvencionale, populistët mund të qeverisin mbi bazën e pretendimit të tyre për përfaqësim ekskluziv moral të popullit; nëse populistët kanë mjaftueshëm pushtet, do të përfundojnë duke krijuar një shtet autoritar, që përjashton të gjithë ata që nuk konsiderohen si pjesa “e duhur” e popullit. Libri propozon një numër strategjish konkrete për mënyrën se si liberaldemokratët duhet të përballen me populistët dhe si t’i marrin parasysh deklaratat e tyre që i drejtohen ekskluzivisht “shumicës së heshtur” ose “popullit të vërtetë”.

Autori thotë se termat “Lidership” dhe “Përgjegjësi” - sado tmerrësisht elitistë që mund t’u tingëllojnë disave – duhet të na përkujtojnë se padija dhe keqinformimi nuk janë vetëm fakte të jetës; ato shpesh janë po ashtu rezultat i vendimeve tërësisht të vetëdijshme të elitave politike të cilat do të donin të mbrojnë dhe të zgjerojnë edhe më tej interesat e tyre. Për shembull, amerikanët janë të polarizuar dhe shpesh i trajtojnë bashkëqytetarët e tyre si “armiq civilë”, jo sepse demokracia ka në vetvete një natyrë “gladiatoriale” dhe nxjerr më të keqen prej nesh, as pse vendi është natyrshëm i ndarë në shtete të kuqe dhe shtete të kaltra. Polarizimi është një projekt që sjell përfitime të mëdha politike dhe ekonomike; paarsyeshmëria mund të jetë biznes i madh.

Ky libër analitik dhe provokues shtrihet në histori dhe merr shembuj nga Amerika Latine, nga Evropa dhe nga SHBA-ja për t’i përcaktuar karakteristikat e populizmit dhe shkaqet e thella të triumfit elektoral në kohët tona.

Librin “Ç’është popullizmi?” nga nga Jan-Werner Muller mund ta gjeni në pikat e librarisë “Buzuku” në Prishtinë dhe kushton 5 euro.