Me shpresë e luftë ndaj ndryshimit “Anibar”-i shënon 10-vjetorin

Me shpresë e luftë ndaj ndryshimit “Anibar”-i shënon 10-vjetorin

Kultura korrik 10, 2019 - 10:10
Lexo më shumë detaje
Image

Muaji korrik për Pejën konsiderohet i veçantë, ndonëse ky qytet gjatë javës që vjen do të mbledhë shumë adhurues të filmit në përgjithësi e të animacionit në veçanti. Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” do të nisë nga 15 korriku dhe do të zgjasë deri më datën 21 korrik. Ditën e martë u mbajt konferenca e parë për medie e edicionit të dhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar.

Leonora Aliu, koordinatore për medie e “Anibar”-it, ka njoftuar se programi i sivjetmë do të ketë rreth 300 filma, 15 programe speciale, 4 punëtori për fëmijë, mysafirë specialë dhe regjisorë të njohur të serive të animuara në botë.

Drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja, ka theksuar për medie se ka qenë shumë e rëndësishme që në këtë edicion të kenë laramani të programit. Ai bëri të ditur se në këtë vit jubilar të këtij festivali do të kenë një përfshirje të aktiviteteve të ndryshme, të cilat do të shfaqen në pesë kinema të Pejës.

“Këtë vit shënohet edicioni i dhjetë i festivalit dhe është shumë me rëndësi për ne që të zhvillojmë një program sa më të bujshëm, të larmishëm, i cili prezanton punën e ‘Anibar’-it përgjatë këtyre dhjetë vjetëve. Jemi munduar që të kemi përfshirje të aktiviteteve të ndryshme, duke përfshirë dhe punëtoritë e ndryshme të cilat do të mbahen, shfaqje të filmave në pesë kinematë e qytetit të Pejës, prezantime dhe regjisorë që kemi të ftuar nga seria ‘Ricka and Marty’, që është një ndër programet më të veçanta të këtij edicioni”, u shpreh Sanaja, që sipas tij këtij edicioni nuk do t’i mungojnë edhe panelet e diskutimit rreth temave, të cilat do të zhvillohen gjatë këtij edicioni.

Sipas udhëheqësit të festivalit, tema kryesore e këtij edicioni flet për shpresat dhe për frikën. Sanaja thekson se ideja është që në një kohë kur jemi bërë indiferentë të ndryshimeve të politikës socialo-mjedisore të cilat po ndodhin ta trajtojmë frikën dhe shpresat tona që ta inspirojmë ndryshimin. “Përmes këtij edicioni të ‘Anibar’-it po kemi dëshirë ta shfrytëzojmë artin si medium për të sjellë vëmendjen në disa prej çështjeve për të cilat ne interesohemi çdo ditë. Filmat e këtij edicioni janë përzgjedhur me kujdes, në mënyrë që të tregohen më të mirat e filmave, të cilat janë punuar gjatë viteve të fundit”, tha ai.

Sanaja njofton se këtë vit kanë pasur 1500 aplikime në programe të ndryshme të festivalit dhe prej tyre kanë përzgjedhur një numër të konsiderueshëm prej 300 filmash, 80 prej të cilëve janë në kategori të ndryshme konkurruese, duke përfshirë këtu edhe çmimin për “Filmin më të Mirë Ndërkombëtar”, çmimin për “Filmin më të Mirë Ballkanik”, atë “Studentor”, “Video-muzikor” dhe “Filmin më të Mirë të Metrazhit të Gjatë”.

“Edhe këtë vit kemi vazhduar t’i angazhojmë studentët nga Kosova, në mënyrë që ta rrisim kritikën ndaj filmit dhe t’i rrisim aftësitë e tyre kritike ndaj filmit. Juria e studentëve është e formuar nga animatorë dhe nga artistë kosovarë, të cilët do të mentorohen nga dy mentorë që do të vijnë nga Çekia. Në kuadër të programeve speciale këtë vit do të kemi programe të kuruara nga festivali dhe nga fakultete nga e gjithë bota, duke përfshirë programin special të filmave bashkëkohorë çekë, hungarezë dhe kroatë. Kemi një bashkëpunim me Shkollën e Animacionit nga Danimarka”, thekson Sanaja.

I pyetur për mbështetjen e institucioneve që i kanë ofruar festivalit, Sanaja thotë se pavarësisht asaj se festivali është rritur gjatë viteve të fundit, mbështetja ka mbetur e njëjtë, pra nuk është rritur. “Kemi marrë fonde nga Bashkimi Evropian nga vende të ndryshme, po ashtu nga Komuna dhe nga Ministria, por presim që institucionet ta shohin dhe ta vlerësojnë punën e ‘Anibar’-it”, potencoi drejtori i “Anibar”-it.

Sipas tyre, ndejat muzikore në parkun e qytetit, që zakonisht mbyllin mbrëmjet e “Anibar”-it për këtë 10-vjetor të këtij festivali, do të jenë edhe më të veçanta.

Rikujtojmë se “Anibar”-i organizohet nga organizata me të njëjtin emër, e cila është një organizatë e formuar nga një grup i të rinjve aktivë dhe artistë, të cilët kanë dëshmuar entuziazmin e vizionin e tyre për ta promovuar kulturën e filmit të animuar në tetë edicionet e fundit të festivalit, gjithashtu duke i demonstruar kapacitetet e zhvilluara për të organizuar ngjarje të mëdha. “Anibar”-i ka investuar në kapacitetin e zhvillimit të rinisë dhe të fëmijëve nëpërmjet trajnimeve, punëtorive, debateve dhe të aktiviteteve të tjera, që u mundëson të gjithë artistëve ballkanikë të rrisin dukshmërinë e tyre në tregjet ndërkombëtare. ZERI

Image