Korça mirëpret 50 filma të shkurtër nga 27 vende të botës

Korça mirëpret 50 filma të shkurtër nga 27 vende të botës

Kultura korrik 10, 2019 - 11:27
Lexo më shumë detaje

 

“Korça Short Film Fest 2019” këtë vit sjell 50 filma të shkurtër në konkurrim nga 27 vende të ndryshme të botës. Filmat shqiptarë dhe të huaj do të shfaqen gjatë pesë ditëve të festivalit, që u çel mbrëmë në ambientet e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, por edhe në sheshin e kullës panoramike, shkruan gazeta “Zëri”.

Drejtori artistik Gledis Bica shprehet se festivali në edicionin e tij të dytë këtë vit ka pasur rreth 800 aplikime filmash nga shtete të ndryshme të botës dhe mes tyre janë përzgjedhur 50 që janë dokumentarë, animacion dhe fiksion. Sipas tij, temat që trajtojnë filmat në festival janë nga më të ndryshmet. “Janë tema sociale, politike, por ka edhe filma komedi. Por pjesa më e madhe në këtë edicion të dytë të ‘Korça Short Film Fest 2019’ janë me temë sociale dhe drama jetësore. Për këtë edicionin të festivalit, që ne e zhvillojmë në qytetin e Korçës, kanë qenë rreth 800 filma që aplikuan dhe u përzgjodhën 50 nga 27 vende të botës”, tregon drejtori artistik i festivalit, Gledis Bica.

Filma të shkurtër nga vende të ndryshme të botës do të shfaqen gjatë ditëve të festivalit, por këto prodhime të kinematografisë janë në konkurrim në garën kombëtare dhe ndërkombëtare, përcjell gazeta “Zëri”.

Drejtori artistik Gledis Bica shpjegon se në garën kombëtare është si rregull që skenaristi dhe regjisori duhet të jenë shqiptarë, edhe pse mund të jetë filmi në gjuhë të huaj. “Janë 50 filma nga vende të ndryshme të botës. Janë shtatë filma në garën kombëtare, që janë filma shqiptarë ose nga autorë shqiptarë. Janë kineastë shqiptarë dhe kemi filma nga Shqipëria e Kosova që janë në garën kombëtare, por edhe nga autorë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Në garën kombëtare është si rregull që regjisori dhe skenaristi duhet të jenë shqiptarë, që mund të jenë film shqipfolës, por edhe filmi ta zëmë në gjermanisht e autorët shqiptarë.

Kompeticioni shqiptar është veç për filmat shqiptarë, por të njëjtët filma garojnë edhe në garën ndërkombëtare”, tregon më tej drejtori i festivalit, Gledis Bica.

Programi special “Focus Austria” çeli këtë edicion. Një program i mundësuar nga Ambasada e Austrisë në Tiranë. Znj. Doris Bauer, drejtoresha e “VIS Vienna Shorts”, prezantoi këtë projekt.

Drejtori Gledis Bica shprehet se do të ketë edhe diskutime të ndryshme. “Në ditën e dytë do të zhvillohet një diskutim te muzeu ‘Gjon Mili’ në Korçë, ku do të ketë përfaqësues edhe nga Festivali i Vjenës”, pohon ai.

Risia e këtij viti është edhe programi “VR Competition”. Filmat “Virtual Reality” do të mund të shihen nëpërmjet syzeve VR dhe hyrja do të jetë e lirë për të gjithë. Ditën e premte, më 12 korrik, do të ndahen çmimet për filmat më të mirë. “Kids Program” është program i fëmijëve në kuadër të festivalit, i cili u zhvillua mes datave 2-4 korrik dhe ku 60 fëmijë morën pjesë në një seri punishtesh, duke u njohur me teknikat e ndryshme të animacionit dhe duke realizuar disa filma të animuar.

“Korça Short Film Fest 2019” është vazhdim i “First Step Film Festival”, që zhvilloi katër edicione ndër vite. Zëri