Muret e Ferizajt vishen me art

Muret e Ferizajt vishen me art

Kultura July 11, 2019 - 10:15
Lexo më shumë detaje
Image

Murali i parë më të cilin identifikohet qyteti i Ferizajt është “Kamarieri”. Ky mural, që ndër vite shërbeu si simbol i qytetit, daton nga vitet e ’67-ta dhe ka qenë edhe burimi i inspirimit që Ferizaj ta zhvillojë artin e pikturimit të mureve.

Festivali i muraleve “Mural Fest” këtë vit ka nisur edicionin e katërt. Me program të bujshëm e të larmishëm identifikohet edhe edicioni i këtij viti. Festivali, që ka karakter ndërkombëtar, ka nisur më datën 10 korrik dhe do të vazhdojë deri më datën 17 korrik.

E veçanta e këtij edicioni qëndron në temën që është titulluar “Toleranca” dhe sipas organizatorëve artistët do të krijojnë artin unik të tyre duke u bazuar në tolerancën ndërfetare, etnike e gjinore.

“Në fakt, ne si Ferizaj identifikohemi me muralin e parë që është ‘Kamarieri’, është mural i viteve të ’67-ta dhe mendoj që është një lloj inspirimi. Një grup artistësh patëm filluar muralin më herët në vitin 2004, murali i dytë dhe prej asaj kohe, pra prej vitit 2014, patëm filluar nismën me një grup artistësh që t’i japim ngjyrë qytetit dhe kemi rezultuar në Festivalin e Muraleve”, vlerëson organizatorja Lebibe Topalli, që më tutje cilëson se qëllimi i këtij festivali është që të bëjnë art publik.

Lebibe Topalli, drejtoreshë ekzekutive, ka vlerësuar se edicioni i katërt ka një ngritje të cilësisë për faktin se këtë vit kanë sjellë artistë ndërkombëtarë që janë me emër. “Do të inkuadrohen edhe artistët tanë dhe e veçanta është që ne kemi bashkëpunuar ngushtë me Shkollën e Arteve në Ferizaj dhe po tentojmë që t’i ngremë në aspektin profesional edhe këta të rinj të shkollave”, vlerëson Topalli.

Ajo ka njoftuar se gjatë këtij edicioni do të bëhen rreth gjashtë murale të mëdha, të cilat janë emëruar të gjitha “Toleranca”. Përveç muraleve, do të bëhen edhe grafite dhe art 3D, pastaj karakteristikë është zhvillimi i punëtorive, ligjërata, ekspozita të artistëve dhe ekspozita të punimeve të nxënësve, që do të bëhen në fund të edicionit.

“Interesante është që mendojmë se ky edicion do të jetë pak më i bujshëm për faktin se do të organizohet tri net radhazi koncert në sheshin e qytetit. Përgatitjet janë bërë, i vetmi problem që qëndron është koha, e cila ndoshta do ta vështirësojë punën e pikturimit”, tha ajo për “Zërin”.

Ajo ka njoftuar se në përgjithësi plani programor i këtij festivali sillet rreth aktiviteteve artistike, që do të mbahen në Ferizaj në kuadër të temës. “Çdo edicion trajtojmë tema të ndryshme, për të cilat vendosim shumë herët, toleranca është një fushë e gjerë, përfshihen shumë tema në vete, si toleranca ndërfetare, etnike e gjinore. Ne ua kemi prezantuar temën artistëve dhe ata kanë pasur mundësinë që brenda këtyre nëntemave të krijojnë diçka unike që e përfaqëson artin të cilin e kultivon gjithsecili artist. Ata do të zbatojnë punën e tyre në mur”, shprehet Topalli.

E pyetur se sa po e bëjnë me qejf dhe sa e kanë marrë afër zemrës këtë punë artistët, Topalli ka njoftuar se artistët kanë ardhur në Kosovë, ata janë njoftuar tashmë me vendin, i kanë parë muret, hapësirat dhe janë shumë seriozë, më tepër se që e kanë pritur organizatorët.

“Rëndësia është që ata mendojnë se pavarësisht ku realizojnë punën e tyre, e bëjnë me shumë zemër dhe me shumë profesionalizëm. Ne e kemi obligim që t’ua plotësojmë kushtet, kërkesat, gjë që për neve pak janë të rënda, pak më specifike, kërkohen materiale më të veçanta e profesionale, që edhe ne jemi munduar me kujdes t’i përmbledhim. Ne po shpresojmë se festivali do të përfundojë me shumë sukses dhe do t’i kënaqë qytetarët e këtij vendi. E mira është që ne kemi arritur një bashkëpunim shumë profesional me Kuvendin Komunal, përkatësisht me Drejtorinë e Urbanizmit dhe të Kulturës. Bizneset po ashtu janë mobilizuar që të ndihmojnë aq sa kanë kapacitete”, konsideron Topalli, që më tutje thotë se fakti që më së shumti i gëzon është se ky festival është mirëpritur sikur të jetë një festë unike e qytetit dhe se festivali nga viti në vit veçse po rritet.

Në fakt në qytetin e Ferizajt murale të ndryshme janë punuar ndër vite. Më 2004-n është punuar murali me temën “Integrimi drejt Evropës”, më pas, përkatësisht më 2015-n, është punuar murali për nder të 8 Marsit - Ditës së Gruas, me temën “Bashkimi familjar”. Ndërsa më pas me disa artistë të rinj u vazhdua me aktivitetet tjera, me moton “T’i japim ngjyrë qytetit”.

Agjenda e “Mural Fest”-it, që konsiderohet si e bujshme, aktivitetet ka nisur të mërkurën e 10 korrikut, ku me fillim nga ora shtatë e mbrëmjes është bërë ceremonia e hapjes së festivalit, që për mysafirë specialë ka sopranot Erëza Cerkini dhe Gentiana Tusha.

Në sheshin “Adem Jashari” para Komunës së Ferizajt 11 korriku do ta gjejë qytetin me hapjen e pikave artistike, me pikturimin e muraleve, të grafiteve e të punimeve 3D në qytet. Pastaj organizohet koncert nga “Slash Labs” dhe nga “Mural Fest”, ku do të bëhet performancë artistike e defile me motoristat “Shqiponjat e rrugës”.

Të premten që nga mëngjesi e deri në orën tetë të mbrëmjes do të vazhdohet puna e pikturimit të muraleve, risi do të jetë punëtoria që do të zhvillohet nga eksperti amerikan Axel Void nga SHBA-ja. Aktivitetet do të zhvillohen edhe përgjatë ditës së shtunë të 13 korrikut, Nils Westergard dhe Axel Void do të mbajnë punëtori me artistë të rinj dhe në mbrëmje po ashtu zhvillohet koncerti që është planifikuar rresht. 14 korriku do të jetë edhe më i veçantë shkaku që pas pikturimit artistët do të dërgohen për të vizituar vendet artistike në Ferizaj, sikur edhe fenomenin natyror bifurkacioni i lumit “Nerodime” dhe Jezerc.

Në kuadër të aktiviteteve do të mbahet edhe një performancë artistike me instrumentistë, nxënës të shkollës së muzikës “Cesk Zadeja”.

Dita e 15 korrikut festivalin e karakterizon me mbrëmjen poetike me poetin Shpëtim Selmanin në teatrin e qytetit “Adriana”. Programi do të mbyllet në kafenenë “n’dritare”, me muzikë të rokgrupit “By Stander”.

Ditën e fundit të Festivalit të Muraleve, pra më 17 korrik, do të bëhet inaugurimi i muraleve të edicionit të katërt të “Mural Fest”-it 2019.

Image