“Sunny Hill”, gati për rrugëtimin e tretë
foto: Laura Hasani

“Sunny Hill”, gati për rrugëtimin e tretë

Kultura July 16, 2019 - 10:02
Lexo më shumë detaje
Image

Kur na ndajnë më pak se tri javë nga fillimi i edicionit të tretë të festivalit “Sunny Hill”, organizatorët në konferencën e parë të këtij festivali për sivjet janë zotuar se synojnë që këtë festival ta rrisin edhe më tepër.

Dukagjin Lipa, nga kompania “Republika”, që organizon këtë festival, ka thënë të hënën para gazetarëve se qëllimi i këtij festivali vazhdon të mbetet promovimi i vendit, si dhe sjellja e artistëve të mëdhenj botërorë në Prishtinë. “‘Sunny Hill Festival’ tashmë veç ka filluar, e keni parë në medie dhe në kanalet tona. Shfrytëzoj rastin të falënderoj birrën ‘Peja’. Ky është viti i tretë, duke përfshirë edhe vitin 2016, në koncertin e Duas për bamirësi. Qëllimi është promovimi i vendit tonë, i artistëve tanë, mundësia e ndarjes së platformës tonë me artistë të mëdhenj botërorë dhe me artistë shqipfolës. Po shpresojmë nga viti në vit të jemi më të mëdhenj dhe të jemi pikë referuese e rajonit”, ka thënë Lipa. Sipas tij, për muzikantët dhe për vizitorët që vijnë në Prishtinë për “Sunny Hill” kjo është një mundësi shumë e mirë të njihen nga afër me vendin, por edhe me banorët. “Gjatë gjithë kohës e potencojmë faktin se e kemi një rini shumë të mirë, kreative, proevropianë, të gjithë artistët që vijnë nga vendet e tjera, edhe pse nuk janë të njohur te ne, qëllimi është të shohin se çfarë rinie të mirë dhe të bukur kemi”, shton më tej ai.

E sipas Lipës një rritje më të theksuar Festivali pritet ta ketë vitin e ardhshëm. “Pritshmëritë nuk i kemi tejkaluar akoma, ‘Sunny Hill’ do të jetë në ekspansion, në vazhdim do të kemi mysafirë, që do të jenë në krye të top-listave botërore, shpresoj që do të rritemi edhe me audiencë”, tha Lipa.

Më tutje ai shtoi se po punojnë që “Sunny Hill Festival” të shndërrohet nga një festival 3-ditor në 4 ose 5-ditor. Edhe sivjet, sikur dy vitet paraprake, “Sunny Hill Festival” do të mbahet në Gërmi, kurse Lipa përmendi edhe mundësinë e ndërrimit të lokacionit vitet e ardhme, kur kapacitetet e Festivalit të rriten edhe më tej.

Në këtë konferencë “Sunny Hill” nënshkroi edhe marrëveshjen e vazhdimit të bashkëpunimit me birrën “Peja”.

Drejtori ekzekutiv i birrës “Peja”, Ernest Jusufi, theksoi se bashkëpunimi me “Sunny Hill Festival” do të vazhdojë edhe për tre vjet të tjera. “Ne kemi bashkëpunim që nga viti 2016 dhe do të vazhdojmë edhe 3 vjetët e ardhshëm, po shpresojmë që e gjithë Evropa të vijë këtu. Jam shumë krenar që jemi pjesë e këtij festivali”, ka thënë Jusufi.

Tash e disa javë organizatorët e Festivalit kanë publikuar gradualisht emrat e artistëve që do të interpretojnë mes datave 2-4 gusht. Tashmë dihet se aktorja e shndërruar në këngëtare të muzikës pop, Miley Cyrus, ka konfirmuar se do të jetë pjesë e festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë. Veç Mileyt, deri më tani e kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe yje tjerë të muzikës botërore, siç është DJ Calvin Harris, G4ashi e shumë artistë të tjerë.

I pyetur se a do të ngjitet në skenë këngëtarja Dua Lipa, të paktën për të interpretuar krahas Calvin Harris, me të cilin ka një duet, Dukagjin Lipa ka refuzuar të përgjigjet, duke thënë se detaje të tilla do të zbulohen ndoshta më vonë.

Krahas artistëve botërorë, në këtë festival pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar edhe shumë artistë lokalë. Përmendim këtu Elvana Gjatën, Ledri Vulën, Yll Limanin, Llunin, Bojken Lakon, Xuxin, Mc Kreshën, Lyrical Sonin etj.

Në anën tjetër, shitja e biletave për “Sunny Hill Festival” ka filluar para më tepër se një muaji. Aktualisht biletat e rregullta kushtojnë 80 euro, kurse ato VIP 200 euro. Në javët e para të shitjes çmimi i biletave të rregullta ishte 40, si dhe më vonë 60 euro.

“Sunny Hill Festival” është festivali i parë i kësaj natyre që mbahet në Kosovë. Vitin e kaluar ky organizim tërhoqi shumë vizitorë dhe ngjalli interesim edhe te mediet e huaja.