'PriFest'-i ndez ekranet, prek dekadën e dytë

'PriFest'-i ndez ekranet, prek dekadën e dytë

Kultura July 17, 2019 - 09:47

Festivali Ndërkombëtar i Filmit (Prishtina Internacional Film Festival) ka nisur të martën edicionin e 11-të me radhë. Në Teatrin Kombëtar të Kosovës u bë hapja zyrtare e këtij festivali, organizatorët e të cilit premtuan edhe një edicion përmbajtjesor, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ishte filmi “Fusha e mëllenjave”, me skenar dhe me regji të Arzana Krajës, ai që hapi zyrtarisht edicionin e 11-të të “PriFest”-it. Filmi flet për Sylën, një ish-i burgosur politik, që kthehet në Kosovë pas 25 vjetësh. Në përballje me të shkuarën ai do të kërkojë arsyen e vërtetë të dhimbjes së tij. Filmi “Fusha e mëllenjave” është prodhim i shtëpisë kinematografike “Circle Production” (Kosovë – Besnik Krapi) në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe me “Action Production” (Shqipëri - Gerta Qurku). Ky film është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Shqipëri.

Në rolet kryesore në këtë film paraqiten: Shkumbin Istrefi, Astrit Kabashi, Melihate Qena, Abdinaser Beka, Ilire Vinca, Art Lokaj, Çun Lajçi, Xhevat Qorraj, Adem Karaga, Irena Cahani, Xhevdet Doda, Shengyl Ismajli e Ilir Prapashica.

Krahas “Fushës së mëllenjave”, mbrëmjen e së martës u dha premierë dokumentari për heroin Zahir Pajaziti në kinemanë e hapur, në sheshin që e mban pikërisht emrin e tij. Të mbledhur afër shtatores së Zahir Pajazitit, shumë qytetarë të interesuar ndoqën një rrëfim për jetën e tij.

Ky film është punuar nga skenaristi dhe regjisori amerikan Douglas Beck dhe nga regjisori i ri Valdrin Fetahu, nga Podujeva. Dokumentari me titull “Mjaltë nga Shkëmbi”, që i kushtohet heroit të kombit Zahir Pajazitit, përbëhet nga intervista me familjarët e miqtë që e njohën nga afër Zahirin, duke përfshirë kështu informacione të ndryshme për jetën e tij, shkollimin e të bëmat deri në kohën e vrasjes së tij.

Mes datave të rrethuara në kalendar për këtë festival, 16-21 korrik, pritet të shpaloset një program i pasur filmash. “PriFest”-i shfaq sivjet rreth 70 filma, prej tyre 7 premiera botërore, 5 premiera ndërkombëtare, 1 premierë evropiane, 19 rajonale dhe 32 premiera kosovare. Përveç shfaqjes së filmave, në kuadër të “PriFest”-it do të organizohen edhe shumë aktivitete, punëtori e mbrëmje festive të muzikës live dhe DJ e artistë të huaj. Zëri