Vitia nis procedurat për themelimin e teatrit

Vitia nis procedurat për themelimin e teatrit

Kultura July 17, 2019 - 09:51

Në një takim me kryetarin e Komunës së Vitisë Sokol Halitin është marrë vendimi që të nisin procedurat për themelimin e teatrit të qytetit të Vitisë.Këtë vendim e ka bërë të ditur regjisori Ben Apolloni, i cili së bashku me dy artistë të tjerë janë pritur të hënën në takim nga i pari i Komunës, Sokol Haliti, shkruan sot gazeta "Zëri".

Përmes një postimi Apolloni vlerëson se themelimi i teatrit tashmë ka marrë përkrahjen e nevojshme nga udhëheqja komunale dhe në ditët e ardhshme do të punohet më intensivisht për ta konkretizuar sa më parë. Apolloni ka falënderuar edhe kryetarin, i cili i ka ofruar mbështetje të menjëhershme dhe e ka vënë në fokus të menjëhershëm një kërkesë të tillë. “Sapo dolëm nga takimi me kryetarin e Vitisë z. Sokol Halitin, me të cilin biseduam për themelimin e teatrit të qytetit të Vitisë. Kryetari e priti jashtëzakonisht mirë propozimin tonë dhe që sot filloi puna për realizimin e këtij projekti. Faleminderit kryetarit Haliti dhe ekipit të tij për mbështetjen dhe për energjinë e mirë që kishin për të punuar për të mirën e qytetit të tyre”, ka shkruar Apolloni.

Ndër të tjera vlerësohet se mijëra qytetarë nga komuna e Vitisë më në fund do të kenë mundësi të shijojnë shfaqjet teatrale në teatrin e qytetit të tyre. Zëri