Një përplasje mes frikës dhe shpresës, pafundësisë e qenies njerëzore
Foto: Ferdi Limani/ Anibar

Një përplasje mes frikës dhe shpresës, pafundësisë e qenies njerëzore

Kultura July 17, 2019 - 10:01

Leonora Aliu

Homo Deus në vazhdimësi është në konflikt me Homo Sapiens. I pari flet për shpresat, të cilat i dyti asnjëherë nuk mbërrin t’i realizojë nga frika. Por si të tejkalohet kjo? Kjo është pikëpyetja kryesore, përgjigjen e së cilës edicioni i dhjetë i Festivalit Ndëkrombëtar të Filmit të Animuar – Anibar, fton këtë vit ta gjejmë së bashku. “Frika dhe Shpresa” është tema e këtij viti të Anibar, që feston vitin jubilar. Një dekadë aktivizëm përmes artit si përgjigje ndaj ndryshimeve shoqërore dhe mjedisore dhe nevojave për drejtësi.

Duke u bazuar në dy librat “Homo Deus” dhe “Sapiens” të shkrimtarit të njohur izrealit Yuval Noah Harari, moderatori Vullnet Krasniqi që bëri hapjen e Anibar në këtë edicion, ironizoi me faktin se si qenia njerëzore përherë bie ndesh me ato që i ofrohen për të arritur pozitë më të mirë në shoqëri, dhe kryesisht për shkak të frikës për të provuar gjëra të reja, frikës për t’u ballafaquar me realitetin, etj.

Jo rastësisht Anibar ka zgjedhur frikën dhe shpresën si temë të këtij edicioni. Organizatorët e kanë bindjen që në një shoqëri ku politikanët dhe personat kompetentë në institucione për të punuar për përmirësimin e jetësës së njerëzve dhe për të adresuar nevojat dhe shkeljet ndaj tyre, bëhen indiferent, atëherë njerëzit me doemos ndjejnë pasiguri, e cila përcillet me frikë por edhe shpresën se një ditë ato frika dhe nevojat e tyre do të adresohen dhe zgjidhen. Anibar fton të gjithë, që në këtë edicion të diksutojnë për këto dilema dhe më shumë, duke folur për frikërat dhe shpresat dhe duke kuptuar se ku gjendemi si shoqëri dhe ku synojmë të arrijmë.

Në hapje të festivalit Anibar shfaqi tre filma të animuar: MATCHES të regjisorit Geza M. Toth që është pjesë e garës për filmin më të mirë të animuar ndërkombëtarë; Mom’s Clothes nga regjisori Jordan Wong, e që është film nga gara për filmin më të mirë nga studentët; si dhe The Ostrich Politic nga regjisori Mohamad HOUHOU, po ashtu film në kategorinë e më të mirit nga studentët.

Anibar hap dyert e pesë kinemave: Jusuf Gërvalla, Urban, Kubat, te Liqeni dhe për Fëmijë në Tetarin “Istref Begolli” që nga orët e hershme të mëngjesit nesër duke ftuar të gjithë të trajtoj frikën dhe të shikojnë përpara se ardhmës shpresëdhënese.