Ekranizohen përjetimet e të burgosurve politikë

Ekranizohen përjetimet e të burgosurve politikë

Kultura July 18, 2019 - 10:11
Lexo më shumë detaje
Image

Me premierën kombëtare të filmit “Fusha e mëllenjave” (Field of Blackbirds) nisi edicioni i 11-të i festivalit “Pri Film Fest”. Ky festival zgjodhi të nisë këtë edicion me një film që prek një temë nga e kaluara e shoqërisë kosovare. Filmi i Arzana Krajës flet për Sylën, një ish-i burgosur politik, që kthehet në Kosovë pas 25 vjetësh. Në përballje me të shkuarën ai do të kërkojë arsyen e vërtetë të dhimbjes së tij. Në konferencën për medie, që u mbajt një ditë pas premierës kombëtare, regjisorja Arzana Kraja u shpreh e kënaqur me pritjen që filmit iu bë nga publiku në “PriFest”. “Mendimet pas filmit më kanë bërë shumë përshtypje. Unë mendoj që filmi ka një standard të vetin. I vlerësoj aktorët e këtij filmi për punën që kanë bërë dhe i falënderoj të gjithë që na kanë ndihmuar në procesin e realizimit të këtij filmi”, tha regjisorja.

Kraja deklaroi se tema e ish të burgosurve politikë është një temë që e ka përcjellë nga fëmijëria, sepse disa familjarë të saj ishin të burgosur politikë. Rrethana të tilla sipas saj ndikuan që ajo të ketë informata edhe për torturat e tmerrshme që bëheshin në ato burgje. Kësisoj Kraja tha se ka dashur që filmi i saj të flasë pikërisht për pasojat që këto përjetime kanë lënë në jetën e këtyre njerëzve edhe më vonë, pas luftës.

Në anën tjetër, pesha dhe përgjegjësia e rolit kryesor në këtë film i takoi aktorit Shkumbin Istrefi. Protagonisti kryesor i filmit “Fusha e mëllenjave” falënderoi regjisoren Arzana Kraja, si dhe producentin Besnik Krapi për besimin dhe bashkëpunimin. “Ky personazh është kompleks, është vështirë për ta luajtur mu për faktin që është i mbyllur. Është personazh introvert. Nuk shfaq shumë jashtë dhe nuk ka aksione të mëdha. Në këtë aspekt për mua ka qenë e vështirë ta gjej masën dhe t’i mbush situatat me dramë, pa kaluar në patetikë. Këtu më ka ndihmuar shumë puna me Arzanën. Dy vjet para se të fillojë xhirimi ne kemi filluar analizimin e skenarit, derisa kemi ardhur te ky version, që Arzanës i ka pëlqyer dhe kemi hyrë në xhirim”, tha aktori Istrefi. Më tutje Istrefi përmendi edhe kushtet jo shumë të favorshme financiare me të cilat u punua ky film e po punohen edhe projektet tjera. “Jo vetëm ky projekt, por çdo projekt i tejkalon mundësitë e veta. Si në organizim, si në çdo aspekt. Kjo çka shohim ne është një projekt i gatshëm, por që do të mundë të bëhej me një buxhet edhe 2-3 herë më të madh. Personalisht jam shumë i kënaqur”, theksoi Istrefi.

Në anën tjetër, për çështjen e buxhetit foli edhe producenti kryesor i filmit, Besnik Krapi.

“Buxheti ka qenë problematik. Xhirimi në Angli e ka vështirësuar pak këtë punë, por jemi mësuar të bëjmë film edhe me pak buxhet. Është jashtëzakonisht e rëndësishme ajo se çfarë kualiteti po mbërrijnë të sjellin filmbërësit shqiptarë, kur kemi parasysh buxhetin me të cilin punojnë”, tha Krapi, duke shtuar se mendon që me këtë film kanë trajtuar një temë të rëndësishme, për të cilën nuk është folur më herët.

Producenti Krapi foli më tutje edhe për rrugëtimin që e pret këtë film në të ardhmen. Ai konfirmoi se veçse janë në bisedime me dy festivale të kategorisë “A” për ta shfaqur filmin “Fusha e mëllenjave” (Field of Blackbirds) jashtë vendit. Gjithashtu Krapi tha se edhe në kuadër të “PriFest”-it do të mbajë disa takime me mysafirët ndërkombëtarë, për të parë mundësinë e shfaqjes së këtij filmi jashtë vendit. E në anën tjetër ai u zotua se së shpejti ky film do të jetë edhe nëpër kinematë e qyteteve në Kosovë. “Shpresoj që ‘PriFest’-i është një nismë e parë dhe e mirë për rrugëtimin tonë ndërkombëtar”, përfundoi ai.

Filmi “Fusha e mëllenjave” është prodhim i shtëpisë kinematografike “Circle Production” (Kosovë - Besnik Krapi) në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe me “Action Production” (Shqipëri - Gerta Qurku). Ky film është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Shqipëri.

Me rolet e tyre në këtë film paraqiten: Shkumbin Istrefi, Astrit Kabashi, Melihate Qena, Abdinaser Beka, Ilire Vinca, Art Lokaj, Çun Lajçi, Xhevat Qorraj, Adem Karaga, Irena Cahani, Xhevdet Doda, Shengyl Ismajli e Ilir Prapashica.

Rikujtojmë se edicioni i 11-të i festivalit “Pri Film Fest” po mbahet mes datave 6-21 korrik. Gjatë këtyre datave ky festival po shpalos një program të pasur filmash. “PriFest”-i shfaq sivjet rreth 70 filma, prej tyre 7 premiera botërore, 5 premiera ndërkombëtare, 1 premierë evropiane, 19 rajonale dhe 32 premiera kosovare. Përveç shfaqjes së filmave, në kuadër të “PriFest”-it do të organizohen edhe shumë aktivitete, punëtori e mbrëmje festive të muzikës live dhe DJ e artistë të huaj.