Prishtina mirëpriti filmin 'Pranverë e paharruar në fshatin e harruar'

Prishtina mirëpriti filmin 'Pranverë e paharruar në fshatin e harruar'

Kultura July 19, 2019 - 10:09
Image

Festivali ndërkombëtar i filmit “PriFest”, që po mbahet përgjatë muajit korrik në Prishtinë, së fundi ka shfaqur premierën e filmit “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, të regjisorit Kushtrim Bekteshi. Ky film artistik i metrazhit të gjatë, i cili mbaroi xhirimet vitin që shkoi, ka bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Pas Maqedonisë, filmi u mirëprit edhe nga audienca kosovare. Organizatorja e “PriFest”-it, Vjosa Berisha, para premierës që u mbajt në Teatrin Kombëtar të Kosovës theksoi se pas kërkesave të cilat janë bërë për filmin do të mundohen të bëjnë të pamundurën që të realizojnë reprizën e shfaqjes gjatë këtij edicioni të “Prifest”-it, shkruan sot gazeta "Zëri".

Mund të thuhet se filmi ka prekur zemrën e audiencës dhe se regjisori Bekteshi ka arritur në film të paraqesë jetën e zakonshme dhe të qetë të një fshati të harruar. Por në film këtë fshat e çrregullon ardhja e tri prostitutave në kafenenë ilegale të dy vëllezërve, Xhinga dhe Murseli. Me ta marrë lajmin e ardhjes së prostitutave në fshat u zgjua edhe interesimi i dyanshëm, sikur ai i burrave të fshatit, por edhe prostitutave që shkuan në atë vend të panjohur.

Në tjetrën anë paraqitet edhe shkolla e fshatit, në të cilën prej kohësh kishte mbizotëruar gjendja kaotike dhe xhamia, që shkaku i prostitutave mbetet pa besimtarë. Nga gjithë ky kaos që u krijua në fshat arrijnë të përfitojnë dy të rinj, Agimi e Shpresa, të cilët realizojnë lidhjen e dashurisë që ua kanë ndaluar prindërit e tyre. Ndër klientët e rregullt në kafene është edhe i papuni Xharra, i cili me gruan e tij Hanën (e cila është shtatzënë) ka tre fëmijë të vegjël. Tek “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” hoxha arriti ta humbë gjithë autoritetin te burrat e fshatit. Përveç pleqve, askush tjetër më nuk shkon në xhami. Edhe pavarësisht thirrjeve të tij apokaliptike për katastrofën që i kanoset fshatit, prapëseprapë kafeneja vazhdon me punë. “Spiuni” i fshatit (Avdili) përpiqet që ta përmbushë misionin të cilin ia ka ngarkuar Xhinga, për ta vënë në tundim Hoxhën që edhe ai ta vizitojë kafenenë. Burrat, edhe pavarësisht përpjekjeve të grave të tyre për t’i ndaluar, tërë kohën e kalojnë në kafene, duke harxhuar paratë e fundit në alkool dhe në seks. Kjo gjendje rezulton që gratë e fshatit pas shfrenimit të burrave të marrin detyrimet e shtëpisë, ato obligohen vetë të përkujdesen për fëmijët, shtëpinë, arat dhe gjithçka tjetër. Përpjekjet e tyre për t’i ndalur burrat për të shkuar në kafene rezultojnë të pasuksesshme. I vetmi shpëtim për to pas një kohe të gjatë sakrifice bëhet nga Hana, me ndihmën e Hoxhës dhe të gruas së tij. Ata arrijnë t’i organizojnë gratë e fshatit që të rebelohen, të ndërmarrin aksion për t’i dëbuar prostitutat dhe për ta djegur kafenenë. Ky mision kryhet me sukses dhe kafeneja digjet e tëra, ndërsa jeta në fshat ka gjasa të kthehet përsëri në normalitet.

Para se të vijë për t’u shfaqur në Kosovë, filmi i Bekteshit ka bërë edhe rrugëtimin e tij  në Maqedoni. Filmi është xhiruar në fshatin Gjonomadh të Korçës. Për këtë projekt filmik më herët janë zhvilluar audicione në Shkup, në Tiranë dhe në Prishtinë.

Mumin Jashari, producent dhe operator i kameres se filmit ne nje konference per medie qe u mbajt ne Prishtine theksoi se ju eshte mirenjohes aktoreve qe pavaresisht punes qe ka qene e lodhshme, me mbi 12, 13 ore eshte punuar per ta arritur realizimin final.  

Në filmin “Pranverë e paharruar…” me rolet e tyre paraqiten aktorët: Ndriçim Xhepa, Shkumbin Istrefi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Luan Jaha, Ilire Vinca, Vjollca Bekteshi-Hamiti, Osman Ahmeti, Diana Marinova Spasova, Ismet Ramadani, Adriana Matoshi, Shengyl Ismajli, Genta Retkoceri, Donikë Ahmeti, Bujar Ahmeti e të tjerë. Drejtori i fotografisë në këtë film është Almir Gjikolli, muzikën origjinale e ka kompozuar Trimor Dhomi, montazhin e ka bërë Radovan Petroviç, skenograf është Durim Neziri, kostumografe Zhaklina Krstevska dhe disenjator i zërit Darko Spasovski.

Filmi është bashkëprodhim në mes Manufaktura Production (Maqedoni) me producent Sasho Pavslovski, Media&Film Production (Kosovë) me producent Mumin Jashari, Ska-Ndal Production (Shqipëri) me producent Genc Permeti dhe Skupifestival (Maqedoni) me producent Muzbajdin Qamili dhe Osman Ahmeti.