Një rrëfënjë ballkanike: Si të krijojmë një distopi të animuar?
Foto: Anibar

Një rrëfënjë ballkanike: Si të krijojmë një distopi të animuar?

Kultura July 19, 2019 - 10:36

Prezentim nga Ana Nedeljkovië

E mërkurë, 17 korrik, Kinema “Jusuf Gërvalla”

Chris Keulemans

Krejt çfarë i është dashur asaj është një shikim nga dritarja. Gjatë prezentimit të saj të djeshëm - Ana Nedeljkovië e cila ka krijuar bashkë me Nikola Majdak filmat e animuar “RabbitlanddheUntravel” -, ajo shfaqi para nesh pamjen nga banesa e saj në Beograd. Zymtësi e madhe, betonizim gjithandej e dritare të errëta. Mesazhi i saj ishte i qartë: animacionet tona duken si distopi nga ferri, por në fakt ato janë të bazuara në realitetin e botës sonë të përditshme.

Ajo vazhdoi duke falënderuar vendin e saj të origjinës, Serbinë, për tërë frymëzimin që ia ka dhënë gjatë këtyre viteve. Ironia e saj ishte e qartë, por poker fytyra e saj nuk shfaqi ndonjë gjë. Serbia nuk i ka ofruar asgjë për të krijuar dy filma të stërholluar, të zymtë e provokativ, të cilët po udhëtojnë çdokund në botë duke fituar çmime ngado. E jashtëzakonshme kjo në mënyrën më të parehatshme të mundur. Aq shumë sa ta vë buzën në gaz dhe ta ngrinë zemrën.

“Rabbitland” të shpie në peisazhe urbane të shkatërruara nga lufta. Duken si Hiroshima, Mosuli dhe Sarajeva. Por, janë të banuara nga lepuj që kanë nga një birë në kokë në vend të trurit. Si të pa tru që janë, nuk kanë probleme. E vetmja gjë që duhet ta bëjnë përditë është votimi, për partinë e njëjtë të quajtur “Evil Girls”, të cilat zgërdheshen me zgërdheshjen e tyre të frikshme sepse fitojnë gjithmonë zgjedhjet. (Përsëri, Ana shpjegon me pamje të qetë frymëzimin që i ka ardhur nga jeta e përditshme në Serbi: Gjatë të nëntëdhjetave, diktatori kishte organizuar vazhdimisht zgjedhje të reja, ndërsa i ka fituar ato në mënyrë demokratikisht të përsosur).

“Untravel” është i vendosur në një qytet që duket goxha shumë sikur pamja nga dritarja e Anas. E lodhur dhe e lënë pas dore, gjithçka duket e përkufizuar nga dëshpërimi. Një grua e re që ka jetuar gjithë jetën e saj në dhomën dhe qytetin e njëjtë, përnatë ka të njëjtën ëndërr: Udhëtimin në një botë të përsosur të quajtur “Përjashta”. Sido që shkon udhëtimi, ajo përherë përfundon në një vend që dëshpërimisht duket si shtëpia e saj.

Ana është shkolluar si piktore. Pastaj ajo filloi të ekspozojë lepuj pa tru dhe gra të djallëzuara në galeritë e Beogradit. Ajo kishte rrëfime për të thënë dhe këto figura prej plasteline nuk po lëviznin dot. Gjersa e takoi Nikolan në një lokal në ora 3:00 pas mesnate. Ai është filmbërës dhe kameraman. (“Fatkeqësisht, ai nuk ka mundur të jetë këtu”, tha Ana. “Ai është duke filmuar politikanë diku nëpër Ballkan”). Tani për tani, ata i kalojnë ditët e tyre në një studio të vogël duke krijuar sete të dizajneve dhe personazhe të detajuara. “Përditë kaloj rrugën nga banesa ime tek studioja, për të krijuar 5-6 sekonda të një filmi, gjersa shokët tanë na dërgojnë kitsch fotografi nga pushimet e tyre nga kjo bota e përsosur e quajtur Përjashta.

Një prej të fshehtave të animacionit është fakti se edhe idetë më komplekse duhet të shkrihen në esencë: Nuk ka kohë për humbur. Ana dhe Nikola shfrytëzojnë këto orë të pafundme në studio për të përkthyer çështjet komplekse të Serbisë, të politikave dhe ekonomive botërore, në imazhe të shkreta dhe të vetme, përkthime këto që i kanë bërë ata sot disa prej animatorëve më të rëndësishëm në rajon.

Përktheu: Valton Marku