'Streha mes reve' pas 'PriFest'-it shfaqet në 'Za Fest'

'Streha mes reve' pas 'PriFest'-it shfaqet në 'Za Fest'

Kultura gusht 08, 2019 - 09:56

Filmi “Streha mes reve" u shfaq edhe në festivalin “Za Fest” në Theth. Filmi më skenar dhe regji të Robert Budinës ishte pjesë e këtij festivali, që solli për të pranishmit dhe aktivitete të tjera, shkruan sot gazeta "Zëri".

Me skenar dhe regji të Robert Budinës “Streha mes reve" deri më tani është shfaqur në disa festivale filmi dhe është vlerësuar me çmime e është mirëpritur nga kritika. Pak ditë më parë “Streha mes reve” fitoi çmimin si “Filmi më i Mirë” dhe aktorja Irene Cahani e aktori Arben Bajraktaraj si “Aktorët më të Mirë” në “PriFest”. Në këtë film ka një kast të përzgjedhur aktorësh, Arben Bajraktaraj (i njohur për "Taken", "Harry Potter" dhe "Deathly Hallows") vjen në rolin kryesor, atë të Besnikut, për të vijuar dhe me Esela Pysqyli, Irene Cahani, Bruno Shllaku, Osman Ahmeti etj.

I shfaqur më parë premierë botërore në “Tallinn Black Nights Film Festival” në Estoni, një tjetër kritikë për “Streha mes reve” ishte më parë dhe nga revista e kinemasë “Film Is A Fine Affair”.

Në film Besniku është një bari i vetmuar dhe mysliman i devotshëm, i pafat në dashuri. Ai jeton në Alpet e Shqipërisë së Veriut, biri i një nëne katolike dhe i një babai ish-komunist. Atje lart katolikët dhe myslimanët jetojnë në paqe mes tyre, madje edhe pas zbulimit të Besnikut, që xhamia e vjetër e fshatit ka qenë dikur kishë dhe është ndarë mes dy feve në të kaluarën e largët. Vdekja e babait ish-komunist sjell ndryshime të mëdha që vënë në rrezik ekuilibrin në familjen me besime të ndryshme fetare të Besnikut, ndaj ai detyrohet të marrë një vendim të rëndësishëm për jetën e tij. Zëri