“Pick A Name”, filmi që pasqyron sfidat e emigrantëve modernë

“Pick A Name”, filmi që pasqyron sfidat e emigrantëve modernë

Kultura gusht 14, 2019 - 09:43
Lexo më shumë detaje
Image

Filmi “Pick A Name” (Zgjedhe një emër), i regjisorit Dritëro Mehmetajt, triumfoi në kategorinë e filmave nacional në “DokuFest” sivjet. Në mesin e më shumë se 10 filmave, juria e përbërë nga Ilir Hasanaj, Lala Meredith-Vula dhe Enrico Vannuci, e vlerësoi filmin e shkurtër të Mehmetajt. Në arsyetimin e saj kjo juri deklaroi se shpërblen këtë film për shkak të rrëfimit të fortë, që i adreson çështjet moderne të emigrantëve kosovarë jashtë vendit, të aktrimit të mirë dhe të skenave që në mënyrë të vetëdijshme përdorin fuqinë e kinematografisë.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” regjisori Mehmetaj shpalosi më shumë detaje për filmin që flet për një nënë vetushqyese emigrante, e cila kërkon rrugë alternative për ta shmangur largimin nga Republika Çeke, pasi azili i saj refuzohet. Në filmin “Pick A Name”, skenarin e të cilit Mehemtaj e ka shkruar bashkë me Doruntina Bashën, luajnë: Doresa Rexha, Fiorela Shala, Mensur Safqiu, May-Linda Kosumoviq, Baronka Oboznënko, Jaroslav Mendel, Nataša Prenka dhe Zeljko Prenka.

Një film i realizuar me pak buxhet falë besimit në idenë

Në kategorinë e filmave nacional në “DokuFest” ishin në garë rreth 10 filma nga regjisorë të ndryshëm. Mehmetaj thotë për “Zërin” se e vlerëson punën e secilit koleg, sidomos ata filma që ka arritur t’i shohë dhe se ndihet i nderuar nga vlerësimi, të cilin ia ka bërë “DokuFest”-i. “Nuk kam mbërritur t’i shoh të gjithë filmat që kanë qenë në konkurrencë, mirëpo nga ata që i kam pare, ka pasur filma që më kanë pëlqyer shumë. Filma me tema interesante dhe të realizuar shkëlqyeshëm, prandaj edhe marrja e çmimit më erdhi befasi. Natyrisht se ndihem mirë dhe i nderuar nga vlerësimi i festivalit”, thotë regjisori, duke shtuar se ndihet kështu sidomos për faktin që për realizimin e këtij filmi ka kaluar nëpër shumë sakrifica. “Buxheti ka qenë minimal dhe pothuajse i gjithë ekipi ka ardhur pa kurrfarë kompensimi monetar vetëm pse ka besuar në projekt. Në raste të tilla përgjegjësia është edhe më e madhe, sepse disi duhet t’ia dëshmosh anëtarëve të ekipit që mundi i tyre ia ka vlejtur, prandaj vlerësimi nga festivalet ka mjaft rëndësi”, tregon Mehmetaj.

Për 27 minuta përmes personazhit të Norës filmi i Mehmetajt sjell dramën e refuzimit të azilit dhe vështirësitë që sjell ky proces. I pyetur se pse është përcaktuar pikërisht për këtë temë, që prek jo pak shoqërinë kosovare, regjisori thotë se kanë dashur të trajtojnë një projekt, i cili mund të xhirohet në Çeki, ku edhe studion. “Skenarin e kemi shkruar bashkë me dramaturgen Dori Basha dhe ideja ka qenë ta prekim një temë aktuale vendase, e cila mund të xhirohet në Çeki, aty ku jam duke studiuar. Dori e ka pasur idenë fillestare, një tregim i bazuar në ngjarje të vërtetë, e cila e trajton rastin e një nëne të re e të pambrojtur në një shoqëri patriarkale, siç është shoqëria jonë. Gjatë zhvillimit të skenarit kemi devijuar pak nga tregimi origjinal, mirëpo tema ka mbetur e njëjtë”, tregon ai.

Mehmetaj: Kënaqësi të punosh me aktorë, të cilët kanë aftësi të shndërrohen në personazhe të tregimit

Në arsyetimin e saj, juria ndër të tjera deklaroi se e shpërblen këtë film: “për shkak të rrëfimit të fortë, aktrimit të mirë dhe të skenave që në mënyrë të vetëdijshme përdorin fuqinë e kinematografisë”. E për këto cilësi që filmi përcjell regjisori meritat i ndan me pjesën tjetër të ekipit. “Lirisht mund të themi se ky kast më ka ndihmuar ta tregoj rrëfimin edhe më mirë sesa e kam paramenduar. Me Majlindën dhe me Mensurin kam pasur edhe përvoja të mëhershme kur i kanë ngritur karakteret e tyre në një nivel krejt tjetër, duke i dhënë shpirt projektit, mirëpo në këtë film të njëjtën përvojë e kam pasur edhe me Doresën, me të cilën njihemi moti, mirëpo kemi xhiruar bashkë për herë të parë. Është gjithmonë kënaqësi të punosh me aktorë, të cilët kanë aftësi të shndërrohen në personazhe të tregimit dhe ta krijojnë përshtypjen se nuk janë duke aktruar fare, mirëpo janë në të vërtetë ato personazhe”, thekson regjisori Mehmetaj.

Megjithatë ai thotë se e kishte pritur më sfiduese punën me aktoren e re, në rolin e vajzës së protagonistes kryesore – Norës, për faktin se i është dashur të punonte me një vajzë 3-vjeçare, por sipas tij, gjithçka ka ecur siç duhet edhe në këtë drejtim. “Një performancë të tillë e kam pritur nga këta aktorë, mirëpo çka na ka befasuar të gjithëve ka qenë loja gjeniale e Fiorela Shalës në rolin e vajzës së Norës, e cila kur xhiruam sapo i kishte mbushur 3 vjeç. Në fillim kisha përshtypjen se ka për të qenë e vështirë të punojmë me të pikërisht për shkak të moshës, mirëpo ajo e pranoi xhirimin si një lojë dhe me tërë energjinë e saj bëri që ajo lojë të jetë sa e natyrshme, aq edhe magjike”, përfundon kështu regjisori.

Mehmetaj është një regjisor i ri nga Prishtina, i cili aktualisht po studion master në Pragë të Çekisë.