Agim Sulaj me karikaturën e Trumpit rrëmben çmimin e parë në Brazil

Agim Sulaj me karikaturën e Trumpit rrëmben çmimin e parë në Brazil

Kultura gusht 14, 2019 - 09:45
Lexo më shumë detaje

 

Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës, që u mbajt në Piracicaba të Brazilit, ka shpallur fitues të çmimit të parë artistin shqiptar Agim Sulajn. Vepra fituese e artistit të njohur shqiptar u vlerësua këtë vit për karikaturën e presidentit Donald Trump. Ky çmim artistit i është ndarë nga këshilli bashkiak i Piracicabas, ku nga përzgjedhja e 2176 veprave të ardhura nga e gjithë bota nxori fituese veprën e artistit Agim Sulaj për karakteristikën e saj të veçantë, përcjellë gazeta “Zëri”.

Festivali këtë vit shënoi dhe 46-vjetorin e tij dhe ka promovuar artistë të artit të satirës nga më të njohurit në botë. Me një aktivitet të vlerësuar me punët e tij këtë herë për vlerësimin e radhës në Brazil artisti Sulaj shprehet se e priste çmimin e madh. “Ky vlerësim i dedikohet një vepre për të cilën që ditët që e realizova e dija se do ta fitoja. Nga eksperienca personale veprat fituese kanë një llambushkë të veçantë, e cila më vjen gati. Thjesht, mua më mbetet vetëm realizimi”, pohoi ai.

Artistit Sulaj i shtohet ky çmim tjetër prestigjioz, i cili pasuron larminë e vlerësimeve ndërkombëtare. Sulaj cilëson me ironi se vendi ku nuk ka marrë çmim është vetëm Shqipëria, madje edhe një ide-projekt që paraqiti në bashkinë e qytetit të Vlorës vitin e kaluar nuk u aprovua. Por ky vit ka qenë i frytshëm për karrierën artistike të Sulajt, ku mund të përmendim çmime të tjera si Belgjikë, Knokke Heist, përsëri Belgjikë në Kruishoutem, Prishtinë, Norvegji e Turqi.

Agim Sulaj vetëm në moshën 19-vjeçare fitoi çmimin e parë në një konkurs satire dhe humorizmi, i organizuar nga "Hosteni". Në vitin 1985 diplomohet në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe gjatë shkollës e më pas punon te “Hosteni” (revistë), e vetmja revistë satirike e kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Artisti vlerësohet se trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Në vitin 1990 shkon në Ankara të Turqisë me veprën tij "Valixhja e emigrantit" punim i vitit 1989 dhe fiton çmimin special në "Aydin Dogan International Cartoon Competition". Në vitet ’90-a merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në Rimini, që është vendi ku ka vendosur kavaletën e vet dhe prej nga shkon në të katër anët e botës me pikturat e me karikaturat e veta dhe merr vlerësimet maksimale kudo. Edhe sot e kësaj dite trajton temat shoqërore në punimet e tij. Pa dyshim shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në "karikaturizimin e personit". Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo mbartësit.

Gazeta “Zëri”