Shtëpia tradicionale e shqiptarit pasqyrohet në “Etno Fest”

Shtëpia tradicionale e shqiptarit pasqyrohet në “Etno Fest”

Kultura gusht 16, 2019 - 09:37
Lexo më shumë detaje
Image

Janë mbushur nëntë vjet qëkur “Etno Fest”-i ka nisur udhëtimin në gjurmimin, në afirmimin, në zhvillimin dhe në promovimin e vlerave të mirëfillta të artit, të kulturës dhe të traditës sonë. Nëntë vjet festival do të kulmojnë sivjet me nëntë shtylla të pasura programore, për të cilat drejtori artistik Ilaz Hysaj ka folur në detaje për “Zërin”.

Për nëntë vjet “Etno Fest”-i ka krijuar identitetin e vet

Sipas Ilaz Hysajt, “Etno Fest”-i gjatë nëntë vjetësh ka krijuar identitetin e vet, i cili përmblidhet në nëntë shtylla tematike, që mundësojnë një qasje gjithëpërfshirëse në trajtimin dhe në prezantimin e trashëgimisë kulturore, materiale, si dhe të arteve, artizanaleve dhe kulturës sonë identitare. Hysaj potencon se çdo vit zgjedhin një temë qendrore, që u mundëson ta trajtojnë në veçanti. Sivjet “Etno Fest”-i ka zgjedhur shtëpinë tradicionale me një qasje gjithëpërfshirëse, nga ajo arkitekturale. Kultura urbane e banimit, funksionimi i saj, roli i gruas në menaxhimin dhe në funksionimin e shtëpisë dhe në edukimin e fëmijëve, roli i zotit të shtëpisë në ngritjen, në edukimin e brezave dhe në ekonominë familjare janë boshti i këtij edicioni. “Kjo temë, më saktësisht ky segment i rëndësishëm i kulturës dhe i trashëgimisë sonë materiale, është degraduar më së shumti pas luftës me rrënimet e shtëpive të vjetra, të lagjeve të tëra karakteristike nëpër qytete, si Prishtina, Gjakova, Peja, Ferizaj etj. Duke zhdukur në tërësi gjurmët e një kulture të vjetër urbane, që aq shumë janë të rëndësishme për memorien tonë historike, identitetin dhe kohezionin social”, shprehet drejtori artistik.

Hysaj vlerëson se ndërtimet atipike pa asnjë identitet do ta çrregullojnë në tërësi edhe celulën familjare në aspektin organizativ dhe funksional. Ai njofton se do t’u bëhet lidhshmëri riteve të vjetra, muzikës tradicionale me trendët modernë, duke i pasuruar dhe duke i bërë të qasshëm për publikun. “Ne në etnokompleksin e fshatit po mundohemi të restaurojmë fizikisht disa objekte që po rrënohen nëpër fshatrat e braktisura, për të rindërtuar një fshat me ndërtimet më karakteristike të rajoneve të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë. Veçori tjetër është edhe lidhshmëria që do t’ua bëjmë riteve të vjetra, muzikës sonë tradicionale me trendët modernë, duke i pasuruar ato dhe duke i bërë më të qasshme për publikun e ri, i cili është rritur pothuajse pa i njohur fare vlerat etnokulturore të paraardhësve të tyre”, thekson Hysaj.

Në këtë kontekst drejtori ka njoftuar se pjesë e programit do të jetë edhe “Laboratori Etnokontemporan i Liburn Jupollit”, që sipas tij do të ndërhyjë në mënyrë interaktive gjatë performancave dhe riteve të vjetra, për t’ua dhënë atyre një ngjyrim modern. “Duhet të theksohet sivjet edhe një pjesëmarrje e ndjeshme ndërkombëtare prej 14 shteteve në kuadër të ‘Ekspozitës së Akuarelit’ në bashkëpunim me ‘IWS Kosova’ (International Watercolor Exhibition), që për kurator ka Besnik Xhemailin, si dhe punëtori modelimi me letër të kostumeve tradicionale nga Rica Mende (Gjermani) me Milaim Avdiun dhe me Elvana Avdiun (Kosovë)”, tregon Hysaj.

Hysaj: Është dhënë mjaftueshëm për njohjen dhe për zhvillimin e kulturës

Hysaj përmendi edhe nëntë shtyllat që i karakterizojnë nëntë vjetët e edicionit të festivalit. I pyetur se a mendon që për 9 edicione është arritur ky qëllim, ai vlerëson se është dhënë mjaftueshëm material në njohjen, zhvillimin dhe promovimin e vlerave etnokulturore dhe të arteve në përgjithësi. “Gjatë nëntë vjetësh me një program gjithëpërfshirës, përmes nëntë shtyllave programore, si: ekspozita, etnokoncerte, rite dhe etnoperformaca, shfaqje teatrore, kulinari tradicionale, debate, biseda odash, promovime librash, punëtori kreative, filma dokumentarë, veshje tradicionale dhe kostumografi, zeje të vjetra dhe artizanate dhe etnoneja, besojmë se u kemi ofruar publikut, medieve, artistëve, etnologëve dhe studiuesve të këtyre domeneve një material të çmueshëm në njohjen, zhvillimin dhe promovimin e vlerave etnokulturore dhe të arteve në përgjithësi”, potencon Hysaj, që më tutje thotë se janë munduar që nga edicioni në edicion të përfshijnë gjitha zonat etnografike, duke përfshirë edhe vendet e rajonit. Ai nuk heziton të tregojë se ambiciet nuk i kanë munguar edhe në përfshirjen e kulturave të ngjashme dhe artet nga Evropa e kontinentet e tjera, por që në mungesë të fondeve nuk janë realizuar idetë.

Për Hysajn brengosës është fakti që politika akoma nuk ka arritur të kuptojë që kultura dhe artet nuk janë luks, por domosdoshmëri. “Uroj një ditë që politika ta kuptojë se kultura dhe artet nuk janë luks, por është një domosdoshmëri që fisnikëron shpirtin dhe ndikon në mirëqenien dhe në shëndetin social të vendit tonë”, tha Hysaj.

Dihet se “Etno Fest”-i ka pasur çdo vit shumë vizitorë nga diaspora, i pyetur se sa ndihen të vlerësuar kur bashkatdhetarët ndajnë kohën e tyre për këtë festival, Hysaj thotë se përherë kanë qenë të kujdesshëm që bashkatdhetarët tanë të përfitojnë sa më shumë nga ky festival dhe që të mbushen shpirtërisht. “Unë vetë jetoj qe tridhjetë vjet në Francë dhe e di sa është e rëndësishme kjo për fuqizimin e lidhjes me vendlindjen, sidomos për gjeneratën e tretë që kanë lindur në mërgim. Vitin e kaluar organizuam një sesion të veçantë në fillim të gushtit, ‘Nata e Diasporës’ dhe ‘Nata e Gjergjit’ dhe çuditërisht nuk u përkrah nga Ministria e Diasporës, ne u detyruam ta mbajmë me mjete vetanake. Edhe këtë vit ia prezantuam kësaj ministrie një program të veçantë dhe të pasur për diasporën, që e emërtuam ‘Diaspora në Etno Fest’ në kuadër të ditëve të diasporës, por ajo prapë e refuzoi përkrahjen”, u shpreh Hysaj, duke theksuar se mendon që politika e kësaj ministrie karshi aktiviteteve kulturore të diasporës nuk është aspak në nivelin e duhur.

Datat 20-25 gusht që janë paraparë, sipas drejtorit artistik, nuk janë shumë të përshtatshme për mërgatën, por megjithatë sipas tij një pjesë do të jenë prezentë.

Krahasuar me aktivitetet që ka, përkrahja për “Etno Fest”-in është e vogël

Hysaj njofton për “Zërin” se MRKS-ja ka ndarë për këtë edicion 7000 euro, Komuna e Prishtinës ka ndarë 3000 euro, kurse “Culture For Change” e ka përkrahur me 6000 euro. Sipas tij, këto mjete nuk do të mundë t’i përmbushin nevojat, kur dihet se festivali organizon një numër të madh aktivitetesh. “Nëse flasim nga këndi që kemi për të zhvilluar 64 aktivitete me një numër të madh pjesëmarrësish nga Kosova, nga Shqipëria, nga rajoni dhe nga bota, me gjithë shpenzimet e akomodimit, strehimit të trupave, shpenzimeve organizative, të marketingut dhe ato infrastrukturore, mendojmë se kjo shumë është e pamjaftueshme dhe na krijon shumë vështirësi për të realizuar konceptin programor, aq më tepër kur nuk kemi paradhënie”, tha Hysaj.

Rikujtojmë se Festivali i Arteve dhe i Kulturës tradicionale “Etno Fest” sivjet do të mbahet nga data 20-25 gusht, në etnokompleksin e fshatit Kukaj.

 

Image