Rahoveci hapi dyert e zemrën për festivalin “Hardh Fest”

Rahoveci hapi dyert e zemrën për festivalin “Hardh Fest”

Kultura gusht 18, 2019 - 12:29
Lexo më shumë detaje
Image

Tash e disa vite “Hardh Fest”-i është shndërruar në festë për fermerët, vreshtarët e artistët, duke u ofruar të gjitha palëve hapësirë aktivizimi në jetën shoqërore dhe kulturore. Me moton “Një gotë për mot” edhe zyrtarisht ditën e premte, më 17 gusht, u bë hapja e festës së rrushit “Hardh Fest 2019”, festë kjo e cila promovon vlerat kulturore të vendit tonë. Për tri ditë radhazi njerëzit e Rahovecit i hapin dyert e zemrën dhe tregojnë bujarinë e krenarinë që kanë për pasurinë e tyre - rrushin. Këtë vit festivali do të zgjasë deri më 19 gusht. Vizitorët do të mundë të mësojnë më shumë për vreshtarinë dhe po ashtu do ta kenë mundësinë edhe të shijojnë muzikën nga performues të ndryshëm botërorë. Ata mund të përcjellin edhe lojërat e aktivitete e shumta, që tashmë janë tradicionale në festivalin e vjeljes së rrushit. Edhe këtë vit në hapjen e “Hardh Fest”-it organizatorët theksuan se ky festival ka ndryshuar ndër vite sa i përket nivelit të organizimit. Gjatë këtij edicioni është paraparë të zhvillohen shumë aktivitete kulturore, si dhe performanca artistike nga grupe vendore e ndërkombëtare. Organizatorët në hapjen solemne të festivalit rikujtuan qëllimin themelor të festivalit, që është promovimi i produkteve vendore, nxitja e zhvillimit ekonomik dhe rritja e vizitorëve. Drejtoresha e kooperativës bujqësore, Farije Hoti, pasi hapi festivalin tha se “Hardh Fest”-i i promovon më së miri vlerat e vendit tonë. “Vlerat e vendit tonë më së miri mund t’i prezantojë ‘Hardh Fest’-i, andaj unë uroj organizatorët për punën e palodhshme dhe qytetarët e këtij vendi. Unë ju dëshiroj të kaloni kohë të mirë gjatë këtyre tri ditëve. Urime festa e rrushit!”, tha Hoti.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i ndau një mirënjohje nikoqires Hoti, ndërkohë që në fjalën e tij u uroi mirëseardhje vizitorëve në tokën më pjellore, siç e quajti ai. “Festa e vjeljes së rrushit me të drejtë është festë për të gjithë ne dhe është festë e merituar për bujqit e vyeshëm dhe për punëtorët e komunës së Rahovecit. Ky organizim nga viti 2001 ka identifikuar rajonin tonë, që tashmë është shndërruar në festë nacionale për qytetarët e Kosovës dhe jo vetëm. Aktivitetet që do të zhvillohen përgjatë tri ditëve janë të shumta dhe ofrojnë kohë kualitative për qytetarët e Kosovës dhe për turistët e vendeve të ndryshme”, u shpreh i pari i Komunës që tutje vlerësoi se kjo festë për fermerët, vreshtarët, artistët u ofron të gjitha palëve mundësi të bëhen më aktivë në jetën shoqërore dhe kulturore. Ai tha se gjatë këtyre ditëve njerëzit e Rahovecit i hapin dyert dhe zemrën.

I pranishëm në këtë ngjarje, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, konsideroi se kjo nuk është ditë e veçantë vetëm për Rahovecin, por edhe për Kosovën, për faktin që vera e Rahovecit nuk gjendet kudo. “Sot është një ditë e veçantë jo vetëm për Rahovecin, për Kosovën, por edhe më gjerë për rajonin, sepse vera e Rahovecit sot gjendet kudo në botë, në rajon e në SHBA, prandaj sot jemi së bashku për t’ju uruar në këtë festë, një festë e rëndësishme, për t’ju uruar të gjithë të mirat juve për punën tuaj që nuk kurseni asgjë ta zhvilloni vendin, ta rindërtoni atë dhe të keni sukses”, u shpreh Thaçi.

Në anën tjetër si mysafir special, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, tha se është e rëndësishme t’i kushtohet rëndësi produktit vendor. “E para arsye është se kur kam ardhur me ambasadorin Minxhozi para disa vitesh ka qenë dimër dhe kemi vizituar fabrikën e ‘Stone Castle’-t dhe kam qenë i impresionuar me atë potencial të jashtëzakonshëm. Së dyti, sepse unë vetë vij nga një vend i Shqipërisë siç është Skrapari, që nuk shquhet për verë si Rahoveci, por që mban vendin e parë për raki të fortë dhe ndiej se kjo festë nuk është gëzim, por begati për gjithë komunitetin. Së treti, ne duhet t’i kushtojmë vëmendje prodhimit vendor dhe në mënyrë të veçantë do të thosha që prodhuesit e verës meritojnë një mirënjohje të jashtëzakonshme”, tregoi Meta.

Kurse kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se këto suksese në Rahovec duhet t’i inkurajojnë institucionet e vendit që me politika fiskale t’i përkrahin prodhimet vendore. “Është me rëndësi që të mbetemi të fokusuar te politikat fiskale, te përkrahja e fermerëve, e vreshtarëve, pasi nëse mbesim me këtë fokus, atëherë do të kemi rezultate. Këto rezultate na inkurajojnë të vazhdojmë me këto politika fiskale dhe me përkrahje të prodhimit vendor. Jam i bindur që në Rahovec e gjejmë një model të njerëzve, të cilët punojmë në bazë të punës dhe institucionet e Kosovës edhe në të ardhmen duhet t’i përkrahin njerëzit në Rahovec”, tha Haradinaj.

Pas fjalimeve të politikanëve organizatorët shpallën vreshtarët dhe verat më të mira. Vreshtarët më të mirë në këtë festë u zgjodhën Enver Haxhimustafa, Samir Hoxha, Bilall Dërgutaj, Eshref Rama, Fitim Hamza dhe Ramadan Hajda. Ndërsa verëtarët më të mirë u zgjodhën “Stone Castle”, “Podrumi i vjetër”, “Ntp Sefa” dhe “Kosova Wine”.

Përveç hapjes zyrtare të festës së rrushit, në kuadër të “Hardh Fest”-it janë organizuar edhe një sërë aktivitetesh tjera, siç janë: hapja e Panairit të Rrushit, të Verës, të Rakisë dhe të Gastronomisë, demonstrimi i pjekjes së rakisë rreth kazanit, hapja e “Hardh Camp”-it, zgjedhja e Mbretëreshës së Rrushit dhe muzikë të interpretuar nga “Legends” & “Hardh Eks”.

“Hardh Fest”-i organizon edhe minimaratonën, si fushatë vetëdijesuese, në bashkëpunim me Shoqatën e Fëmijëve me Fibrozë Cistike. Aktivitet tjetër është koncerti i artistit Ronnie Romero, vokalist i grupit “Rainbow”. Rikujtojmë se për edicionin e sivjetmë të “Hardh Fest”-it Komuna e Rahovecit ka ndarë 15 mijë euro.