'Derë e hapur' në garën kryesore të Festivalit të Filmit në Sarajevë

Kultura August 23, 2019 - 10:23

Filmi shqiptar “Derë e hapur” është në garën kryesore të edicionit të 25-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë. Ky është festivali kryesor i filmit në Evropën Juglindore dhe një nga festivalet më të mëdha të filmit në Evropë, i cili u themelua në Sarajevë më 1995-n, shkruan gazeta "Zëri".

Filmi “Derë e hapur” ka bërë bashkë regjisorin Florenc Papasin dhe producentin Eno Milkanin. Ky film sjell në role aktorë të njohur të kinemasë shqiptare, por dhe emra të rinj. Skenarin e tij e kanë bërë Florenc Papasi dhe Ajola Daja.

“Derë e hapur” është një film intim, ku në qendër është ai njeriu i thjeshtë me plot ndjesi e me komplekse brenda tij. Rolet në film i janë besuar aktorëve të njohur për publikun, por nuk mungon dhe një djalë 5-vjeçar. Kasti përfshin një shumëllojshmëri aktorësh, që nga djali i vogël 5-vjeçar deri tek emra të mëdhenj të kinemasë shqiptare si Guljelm Radoja, Lutfi Hoxha dhe Sotiraq Bratko. Dy personazhet kryesore i luajnë emra të njohur të ekranit Luli Bitri dhe Jonida Vokshi.

Projekti kinematografik i metrazhit të gjatë “Derë e hapur” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri, Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Kosovë, por ka gjetur financime dhe nga “Eurimages”, “SEE Cinema Network”, producent Eno Milkani, “Co-producent” Besnik Krap, Goran Stojilkovic, etj.

Filmi “Derë e hapur” i vendos ngjarjet në ditët tona dhe ato zhvillohen sipas regjisorit në Tiranë, Krrabë, Prrenjas dhe në Lin. Filmi ka në qendër tri personazhe, dy motrat Rudina e Elma dhe djalin 5-vjeçar të Rudinës. Zhanri i filmit i përket asaj që quhet “Road-Movie”, pra filmi ndodh në rrugëtim dhe hera-herës skenat zhvillohen në “kutinë” e veturës së personazhit kryesor. Filmi tregon historinë e rrugëtimit të dy motrave duke shkuar te babai i tyre në fshat, tek e shkuara, fëmijëria e tyre. Motra e vogël kthehet shtatzënë dhe e pamartuar nga Italia. Motra e madhe e pret në port dhe të dyja nisin rrugën për në fshat pa ditur se si do të ballafaqohen me babanë e tyre. Pas shumë peripecish dhe një mori marrëdhëniesh midis motrave, në një moment në histori ato i lidh e shkuara dhe i bën bashkë derisa ia dalin të shkojnë të babai i tyre në fshat. Ato ballafaqohen herë pas here me forcën e sistemit tradicional-patriarkal. “Derë e hapur” merret me këtë tematikë edhe pse nuk kërkon të thotë se e gjithë shoqëria jonë është tradicionale dhe herë pas herëe patriarkale, por kërkon të thotë se këto forma ekzistojnë akoma dhe janë të pranishme në shoqëri.

Edicioni i këtij viti i Festivalit të Filmit në Sarajevë po zhvillohet nga data 16 deri më 23 gusht. Zëri