Koncert me valle tradicionale në kuadër të Seminarit të Filologjisë

Koncert me valle tradicionale në kuadër të Seminarit të Filologjisë

Kultura August 23, 2019 - 10:24

Po vazhdon në Prishtinë edicioni i 38-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën e Letërsinë Shqipe. Në kuadër të këtij organizimi mbrëmjen e së enjtes u mbajt një koncert me këngë e valle nga ansambli “Zëri i Kosovës”. Ky koncert mblodhi seminaristët e studiuesit para Fakultetit të Filologjisë, në orën 19:00, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në anën tjetër, gjatë ditës u mbajtën ligjëratat “E ardhmja në bast: futuri i shqipes” nga profesori i Universitetit të Prishtinës, Bardh Rugova, e drejtuar nga profesori Rrahman Paçarizi, si dhe “Drama dhe Teatri shqiptar 1879-1942, fakte dhe të dhëna të reja, të papublikuara” nga studiuesja shkodrane Erenestina Halili, e drejtuar nga profesori Nysret Krasniqi.

Rikujtojmë se këtë vit janë mbushur 45 vjet qëkur është themeluar Seminari në kuadër të Fakultetit të Filologjisë, kurse që nga viti 1974 e deri më sot janë zhvilluar tridhjeteshtatë sesione, duke rikujtuar këtu vitet 1995 - 1996 dhe sesionet e Seminarit që janë mbajtur në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sesionet 19 dhe 20 (2000 - 2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Zëri