Gashi shkarkon Këshillin e MKK-së, kthen në pikën 0 konkursin për drejtor

Gashi shkarkon Këshillin e MKK-së, kthen në pikën 0 konkursin për drejtor

Kultura August 24, 2019 - 10:00
Lexoni detajet
Image

Të premten ministri në largim i Kulturës, i Rinisë e i Sportit, Kujtim Gashi, ka shkarkuar Këshillin Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës, i cili ishte përgjegjës për zgjedhjen e drejtorit të ri të këtij institucioni. Kjo erdhi pas raportimeve se për këtë pozitë u zgjodh Ajet Leci, bashkëpartiak i Gashit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Gashi e mori këtë vendim pasi zgjedhja e Lecit u kritikua nga njohës të kulturës, megjithatë në anën tjetër njohësit e Kushtetutës së Kosovës thonë se Qeveria në largim nuk mund të emërojë ose të shkarkojë zyrtarë, të cilët janë brenda kompetencave të Qeverisë, shkruan gazeta "Zëri".

Gashi: Këshilli nuk garantoi transparencë, përgjegjësia është individuale

Pasi ka njoftuar publikisht për shkarkimin e Këshillit Drejtues të Muzeut të Kosovës, ministri në detyrë Kujtim Gashi ka thënë për “Zërin” se ka shkarkuar këtë Këshill, ngase nuk ka garantuar proces transparent dhe tërë procesin e deritashëm të përzgjedhjes e ka anuluar.

“E kam shkarkuar Këshillin Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe kjo i bie që procesi kthehet në pikën zero. Tani janë disa procedura, të cilat shkojnë sipas afateve ligjore, por nuk do të ketë vonesa, do të ketë zgjidhje të shpejta”, ka konfirmuar Gashi. I pyetur se sa ndihet përgjegjës për parregullsitë e evidentuara në konkursin për drejtorin e Muzeut, nga Këshilli Drejtues që e ka emëruar vetë, Gashi tha se përgjegjësia është individuale dhe se ai si ministër ka kërkuar të respektohen procedurat. “Ne i kemi dhënë mundësi secilit. Përgjegjësia është individuale. Unë çdo këshill që e emëroj kërkoj të respektohen procedurat dhe të ofrohen kushte të barabarta për secilin kandidat të konkurseve. Ata që nuk i zbatojnë udhëzimet dhe ligjet natyrisht se ndëshkohen”, tha Gashi.

Në anën tjetër, i kontaktuar nga gazeta “Zëri” Selim Bezeraj, ish-kryetar i Këshillit Drejtues të MKK-së që zgjodhi drejtor të muzeut Ajet Lecin, tha se e konsideron të padrejtë vendimin e ministrit Gashi.

“Vendimi nuk është i bazuar në asgjë. I gjithë procesi ka qenë transparent dhe i monitoruar. Ky vendim për shkarkim është jo i drejtë. Për më shumë detaje mund ta kontaktoni anëtarin tjetër të Këshillit Drejtues Arben Hajdarin. Ai është i autorizuar të flasë për rastin”, ka thënë shkurt për “Zërin” përmes telefonit Bezeraj.

IKD: Ministrat në largim nuk mund të emërojnë ose të shkarkojnë zyrtarë

Në anën tjetër Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), vlerëson se Qeveria në largim ka kompetenca të kufizuara dhe nuk mund të vazhdojë me zbatimin e planprogramit qeverisës.

“Në momentin kur kjo Qeveri është dorëhequr, nuk ka të drejtë të vazhdojë më me zbatimin e planprogramit qeverisës. Në këtë drejtim kryeministri, por edhe anëtarët e Qeverisë janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e qeverisë pasardhëse, sikurse Qeveria në largim kryen vetëm punët e rregullta dhe nuk mund t’i paraqesë Kuvendit projektligje ose të nxjerrë akte të përgjithshme, përveç në rastet me interes të mbrojtjes ose në rastet e fatkeqësive natyrore, ose të gjendjes së jashtëzakonshme. Qeveria në largim po ashtu nuk mund të emërojë ose të shkarkojë persona, të cilët janë brenda kompetencave të Qeverisë”, ka shtuar ai.

Rrjedhimisht sipas tij çdo tejkalim i këtyre autorizimeve në publik shihet si vazhdimësi e keqqeverisjes dhe paraqet nevojën që qeveria e ardhshme të vlerësojë ligjshmërinë e çdo vendimi dhe anulimin e tyre.

Tri vjet telashe me pozitën e drejtorit të MKK-së

Gazeta “Zëri” ka provuar gjatë ditës së premte ta kontaktojë edhe Ajet Lecin, të përzgjedhurin e ish-Këshillit Drejtues të Muzeut të Kosovës për drejtor, por kontakti më të ka qenë i pamundur. Rikujtojmë se Leci është anëtar i Kryesisë së PDK-së në Drenas dhe se ishte zgjedhur edhe drejtor i shkollës “Mehmet Gradica”, në fshatin Gradicë.

Përveç Ajet Lecit, edhe Izet Miftari, Sadik Krasniqi, Arsim Mehmeti, Sedat Sahitaj, Naim Çekaj, Bekim Vishaj, Bekim Gashi, Arben Arifi, Fatmir Hoxha e Ismet Mulaj ia kishin mësyrë pozitës së drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Këta kanë aplikuar në konkursin publik, të shpallur më 27 qershor, i cili ishte i hapur deri më 18 korrik. Ky konkurs u hap pas dështimit të konkursit të brendshëm për drejtor të MKK-së. Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, duke u bazuar në rekomandimin e Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës, të datës 11.06.2019 dhe në Rregulloren për Proceduarat e Rekrutimit në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, pati njoftuar për anulimin e konkursit (rekrutim i brendshëm) të shpallur më datën 27.05.2019 për pozitën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Sipas MKRS-së, ky konkurs ishte anuluar për shkak të mospërmbushjes së kriterit të kandidatëve aplikues me më së paku tre kandidatë, të cilët i plotësojnë kriteret për zhvillimin e procedurës së rekrutimit në këtë pozitë.

Problemi në Muzeun Kombëtar të Kosovës filloi para tre vjetësh kur njëri nga punëtorët e MK-së bëri një ankesë për ish-drejtorin Skënder Boshtrakajn, e cila u shqyrtua tre vjet më vonë.

Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi që ish-drejtorin e Muzeut Kombëtar të Kosovës Boshtrakajn pas largimit nga detyra në Muzeun e Kosovës ta rikthejë në pozitën ku ka qenë si udhëheqës i Divizionit për Menaxhim të Integruar dhe Turizëm Kulturor në MKRS. Si pasojë e kësaj që nga muaji korrik i vitit 2018 Muzeu i Kosovës është pa drejtor. Që nga ajo periudhë e deri më tash si ushtrues detyre aty kanë punuar dy persona. Bëhet fjalë për Bislim Bislimin, i cili udhëhoqi me këtë institucion për rreth tre muaj, kurse aktualisht në krye të Muzeut është Vjollca Aliu, njëkohësisht edhe drejtoreshë e Departamentit për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, të Rinisë e të Sportit. Muzeu i Kosovës si institucion me status vazhdon ushtrimin e veprimtarisë së tij nën autoritetin e MKRS-së dhe zbaton politikat e strategjitë e po kësaj Ministrie./ZERI