Ballkanasit duhet ta njohin gjuhën e njëri-tjetrit

Ballkanasit duhet ta njohin gjuhën e njëri-tjetrit

Kultura August 24, 2019 - 10:05
Lexoni detajet
Image

I riu nga Bullgaria Vladimir Georgiev është njëri nga mbi 100 pjesëmarrësit e Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, të Letërsisë e të Kulturës Shqipe, i cili po mbahet këto ditë në Prishtinë. Ndonëse aktualisht studion Gjuhën Shqipe, në Degën e Ballkanistikës të Universitetit të Sofjes, kur ishte më i ri Georgiev mendonte se studimet e veta do t’i orientonte në ndonjë fushë më përfituese. I pyetur se përse ka vendosur ta studiojë shqipen, për gazetën “Zëri” ai tregon se i shkonte në mendje të studionte fusha si informatika, por që në fund vendosi të mësonte më shumë për Ballkanin, për gjuhët e kulturat e këtij rajoni, sepse e kuptoi që këtë e kishte në zemër.

“Mendoj se si ballkanas kemi shumë gjëra të përbashkëta, por dimë shumë pak për njëri-tjetrin. Madje me njëri-tjetrin flasim anglisht. Mendoj se duhet t’i njohim gjuhët e njëri-tjetrit. Në fillim mësova rumanishten, pastaj mora pjesë në disa grupe dhe më vonë edhe shqipen”, tregon ai.

Absolventi i Gjuhës Shqipe në Universitetin e Sofjes po qëndron për herë të parë në Prishtinë si pjesëmarrës në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, të Letërsisë e të Kulturës Shqipe. Ai thotë se ky organizim po i pëlqen jashtëzakonisht.

“Për mua është hera e parë që jam në Prishtinë dhe që marrë pjesë në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, të Letërsisë e të Kulturës Shqipe. Më pëlqen shumë dhe mendoj të vij edhe vitin tjetër”, tha për “Zërin” Georgiev, duke theksuar se qëndrimi në Kosovë po i ndihmon ta përmirësojë gjuhën shqipe falë klasave e ligjëratave, të cilat po i ndjek në kuadër të këtij seminari. “Në anën tjetër, ky seminar po më ndihmon edhe të krijoj kontakte me njerëz nga shumë vende të botës që do të më shërbejnë për projekte linguistike. Është një seminar shumë i mirë dhe atmosfera është e jashtëzakonshme”, theksoi studenti nga Bullgaria.

Krahas gjuhës ai ka arritur që deri diku të njihet edhe me letërsinë shqipe. Kur e pyesim se çfarë i ka bërë përshtypje më shumë nga kjo fushë, Georgiev përmend “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, për shkak të rregullave e normave shoqërore që përmban.

Tutje Vladimir Georgiev thotë për “Zërin” se në Prishtinë ka gjetur mikpritje dhe një atmosferë të mirë e se po e shijon qëndrimin këtu.

Rikujtojmë se edicioni i 38-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën dhe për Kulturën Shqiptare ka nisur më 19 gusht 2019 dhe do të zgjasë deri më datën 30. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar 45 vjet më parë, në vitin 1974 nga disa intelektualë e albanologë të shquar të asaj kohe./ZERI