“Dy oqeane largësi” në pendën e Medina Pasomës

“Dy oqeane largësi” në pendën e Medina Pasomës

Kultura September 05, 2019 - 09:56
Lexo më shumë detaje
Image

Medina Pasoma rrugëtimin letrar e ka filluar në bankat e shkollës së mesme të gjimnazit “Eqrem Çabej”, gjegjësisht te klubi letrar i cili ka qenë i formuar në kuadër të gjimnazit. Pasoma thotë se hapat e parë drejt letërsisë kanë filluar nën këtë çati, ku së bashku me profesorët i kanë prirë fatit që të dalin në skenë publikisht për të prezantuar në opinion më të gjerë shkrimet e tyre. E për Pasomën kjo shtëpi ka rritur vetëbesimin për gjeneratat që kanë pasur prirje në shkrime. Së fundi Medina Pasoma, vajza nga Vushtrria, ka nxjerrë në dritë në moshën 18-vjeçare librin e saj të parë “Dy oqeane largësi”, që përmbledh gjithsej 50 poezi të autores.

Por për poeten e re sukseset kanë filluar të marrin rrugën qysh herët, ngase shkrimet e saj janë bërë pjesë e vëllimeve të librit “Vrulle rinore”, pjesëmarrje të shpeshta ka zhvilluar edhe në organizime të ndryshme letrare, kurse me poezinë “Emri yt” poetja ka nxënë çmimin e dytë në festivalin “Takimet e Poeteshave Shqiptare”. Viti 2019 e ka shpallur Pasomën poete të re, ku këtë vit ka fituar çmimin “Pena e re” prej klubit “De Rada” në Ferizaj.

Për rrugëtimin e saj Pasoma ka folur në detaje për “Zërin”, ajo konsideron se libri i parë që ka shtypur është një përmbledhje e poezive të saj më të mira që ka shkruar ndër vite. “Duke diskutuar me profesorë përgjegjës të cilët i kam pasur krahë, Mentor Mani ka qenë krah me mua në çdo hap që e kam bërë në rrugën e letërsisë, ne vendosëm që me çdo kusht të nxjerrim një libër. Këtë vit e arrita mbështetjen financiare të Komunës dhe doli në dritë libri ‘Dy oqeane largësi’, që vjen si libër i parë imi, ku përmblidhen 50 poezi. Prej titullit kuptohet që tema bosht është ‘Dashuria’, mirëpo ka edhe tema të tjera, shembull poezi të dedikuara për gratë, viktimat e dhunës seksuale në Kosovë dhe çështje atdhetare”, shprehet Pasoma.

Veçori tjetër e shkrimeve të autores është që poezitë janë të shkruara edhe në standard, por disa edhe në gegë. Sipas saj, natyrshmëria e shkrimeve e ka shtyrë në këtë kombinim.

“Përndryshe, shkrimet nuk janë të gjitha të shkruara në standard, disa janë në gegë, të cilat afrohen me të folurën kosovare. Realisht letërsia është shumë e thellë dhe e pasur, saqë me një gjuhë mund të përdorësh tri-katër sende përnjëherë për të dalë në pah ajo madhorja. Standardja ka ditur shpesh të mos më mjaftojë për të shprehur krejt atë çka kam dashur të them. Vetë natyrshmëria e shkrimeve më ka shtyrë të bëj këtë lloj kombinimi në poezitë e mia”, thekson poetja.

Përmbledhja e poezive ka qenë një punë e vazhdueshme e poetes, një pjesë shumë e vogël e përmbledhjes së krijimtarisë të saj, siç e quan ajo. Pasoma shpreson se janë selektuar më të mirat prej punës të saj dhe janë kurorëzuar në këtë libër. Shkrimi ka qenë pasion i vazhdueshëm i poetes së re dhe libri i parë për të ka qenë një ëndërr, që është realizuar më herët sesa që është menduar.

“Realisht botimin e një libri unë e kam pasur ëndërr, por nuk e kam menduar të paktën finalizimin në moshën 18-vjeçare. Kur e kam parë që pos profesorit edhe rrethi im i shoqërisë dhe rrethi më i gjerë e kanë mirëpritur punën time, kam marrë vendimin që lexuesit t’ia sjell edhe këtë libër. Realisht është mirëpritur, kam bërë promovimin në Kalanë e Vushtrrisë, ka qenë një promovim që ka shkuar mirë, me njerëz plot dhe zakonisht kur është tema e dashurisë në pyetje jemi të afërt me gjithsecilin”, u shpreh ajo.

Kur e pyesim se a e shohim Medinën e vërtetë, personalitetin e saj në poezitë e librit, ajo thotë se është mirë kur di t’i kombinosh edhe përvojat e tua dhe të të tjerëve në një. “Realisht çdo libër është libër autobiografik, në secilin libër ia shohim sytë, dorën e shpirtin autorit të vërtetë, mirëpo e mira e të qenët shkrimtar është që nëse di të krijosh empatinë, pos që di të flasësh për ndjenjat e tua, ti do të flasësh edhe për ndjenjën e tjetrit. Frymëzimi është i atillë që shumë shpesh ndjenja dhe e jetuara e dikujt di të frymëzojë aq shumë për të shkruar sikur ta përjetosh atë edhe vetë”, thotë poetja.

Medina thekson se për të qenë shkrimtar duhet t’i kesh dy sende, vullnetin, të ta falë Zoti brumin dhe gjithmonë leximin, forma e vetme që të arrihet profesionalizmi.

Sa po përkrahen poetët e rinj në Kosovë, Pasoma thotë që letërsia duhet të jetë e saktë dhe e drejtë për të gjitha moshat dhe shpreson që do të jetë e kuptueshme edhe prej gjeneratave më të vjetra të letërsisë. Sipas saj, poezia është zhanri ku ajo gjen veten më së shumti deri tani.

“Realisht veten e gjej në poezi, proza është pak më sfiduese për mua, në prozë nuk e kam sfiduar veten. Po shpresoj që ky libër do të jetë veç një pikë brenda oqeanit të artit përgjithësisht, unë e kam filluar veç si një lloj shkëndije të ëndrrës sime. Ëndrra ime më e madhe është që ky libër të mos mbetet veç në rafte, por të kënaqemi me ndjenjat e çiltra brenda dy oqeaneve largësi”, vlerëson poetja.

Kur flitet për mbështetjen, Pasoma njofton se libri është financuar pjesërisht prej Drejtorisë për Kulturë të Komunës së Vushtrrisë, sipas saj mbështetja është çatia e shtëpisë. “Realisht nëse frymëzimi i një personi është themeli në letërsi, çatinë e letërsisë e përbën mbështetja. Në Kosovë poetët e rinj nuk përkrahen hiç ose shumë pak, letërsia është lënë jashtë dorës. Mesazhi është që mua më ka mbështetur dikush, por mbështetjen më të madhe ta gjeni te vetja juaj, t’i jepni vetes kurajën e mbështetjen”, përfundon Pasoma.

Në anën tjetër, redaktori i librit Mentor Mani ka vlerësuar punën e poetes së re, ai vlerëson që poetja reflekton pozitivitet në mesazhet e përcjella në poezi. “Duke e vështruar nga struktura e vargut, poetja përdor formën e vargut të lirë, që është tipike për poezinë e stome moderne. Ajo tregon aftësi në manovrimet leksikore me fjalë, duke u vënë ngjyrime stilistike në masën e duhur, që poezia të kuptohet drejt, nga i riu, deri te më i vjetri, pavarësisht përgatitjeve arsimore. Edhe pse libri fillon me një poezi të bukur, të shkruar në dialektin gegë, megjithatë varieteti dominues në poezitë e Medina Pasomës është varieteti standard, ku e zotëron shumë mirë. Ndërsa gjatë përdorimit të dialektit gegë vërehet anim nga e folmja e Kosovës”, vlerëson redaktori.

Sipas tij, për nga përmbajtja dhe tipologjia e poezive libri është i karakterit unik, në pothuajse shumicën e poezive, duke ardhur kështu si risi për lexuesin. “Poetja Medina Pasoma reflekton pozitivitet me mesazhet që japin poezitë e saj, ku shpesh e shohim dominimin e së mirës kundër së keqes. Me anë të një fjalori shumë të pasur ajo arrin ta shfaqë muzën e saj poetike, duke e lidhur bukur konkreten me abstrakten”, vlerëson Mani. ZERI