Prishtina vazhdon traditën e muzikës rok, të premten nis Festivali i Rokut

Prishtina vazhdon traditën e muzikës rok, të premten nis Festivali i Rokut

Kultura September 05, 2019 - 10:09
Lexo më shumë detaje

 

Amfiteatri i pishinës së Gërmisë do të mirëpresë grupe artistësh të muzikës rok. Më 6 dhe 7 shtator 2019 do të mbahet festivali “Rock United” në amfiteatrin e pishinës së Gërmisë. “Rock United” është projekt që bashkon grupet e muzikës rok dhe fansat nën moton “Një për të gjithë, të gjithë për rokun”, shkruan gazeta “Zëri”.

Organizatorët përmes një komunikate për medie njoftojnë se qëllimi i këtij festivali është vazhdimi i traditës së rokut dhe promovimi i kësaj kulture te të rinjtë. “Qëllimi kryesor i këtij festivali është të vazhdojë tradita e rokut, e cila në Kosovë ka fillet nga vitet e gjashtëdhjeta dhe të promovohet kjo kulturë te të rinjtë, me pjesëmarrje më të madhe të bendeve të reja, duke përfshirë të gjitha komunitetet në Kosovë”, shkruajnë organizatorët.

Në programin, që është bërë publik, mësohet se përgjatë dy mbrëmjeve sa organizohet festivali do të performojnë 12 grupe roku, që janë nën udhëheqjen e dy grupeve të mirënjohura shqiptare “Elita 5” dhe “Grupi 403”. “Gjatë 2 mbrëmjeve të festivalit në Gërmi do të marrin pjesë 12 grupe, nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore, të udhëhequra nga ‘Elita 5’ dhe nga ‘Grupi 403’, duke u zgjeruar me bende ndërkombëtare në vitet në vijim”, njoftohet për medie.

Në mbrëmjen e parë do të performojnë “Purgatory”, “Gillespie”, “Vini e Veni”, “Zwada”, “The Mole Pack”, kurse për mbylljen e natës së parë performojnë grupi legjendar kosovar “Grupi 403”. Për të vazhduar tutje me mbrëmjen e dytë njoftohet se grupet që do të paraqiten për publikun kosovar janë “Peter Pan Quartet”, “Trampolinë”, Këpurdhat”, “Jutbina”, “Bystander” dhe natën e dytë të festivalit do ta përmbyllë grupi i njohur “Elita 5”.

Rikujtojmë se Prishtina njihet si qytet i rëndësishëm për muzikën rok shqiptare gjatë viteve 1980. Në rrethet kryesore “Gjurmët” (i themeluar në vitin 1981) ishin ndër të preferuarit. Kombinimi i tyre i rokut me muzikën qytetare hodhi themelet e rokut shqiptar. Banda të tjera të njohura që u formuan gjatë kësaj periudhe ishin “Ilirët”, “403”, “Telex”, “Seleksioni 039”, “Minatori” dhe “Menkis”. Nga ana tjetër, muzika nëntokësore (underground) ishte më e prirë drejt pankut (punk). Grupi më i njohur nëntokësor i rokut/ punk i Prishtinës në vitet 1980 ishte “Lindja” me muzikantin e tij kryesor Luan Osmani (kitarë udhëheqëse). Fillimi i viteve 1990 prezantoi grupet e tjera rok dhe solistët që luajtën kryesisht në Kosovë, si: “Troja”, Dardan Shkreli, “Blla blla blla” dhe “Elita 5” (nga Maqedonia).

Gjatë qeverisjes paralele (1989-1999) dhe pas luftës së vitit 1999 në Kosovë janë shfaqur disa grupe të reja, ndër të cilat më të famshmet janë “Diadema”, KEK (Kreativ dhe Jo-Komercial), “7 me 7”, “Hithat”, “Babulja e bukur”, “Por-jo”, “Greqia”, “Retrovizorja”.

Pas vitit 2004 u shfaqën shumë grupe alternative rok, duke formuar një valë të re. Shumë grupe u formuan, u shpërndanë e më pas u riformuan. Bandat si: “Votra”, “Gillespie”, “Të huajt e përgjakur” dhe “Gre3n” (pushuan së ekzistuari në vitin 2008). Gjithashtu “Gota”, “Dizzies” (me disa anëtarë të grupit të “Gillespie”) “Freelancers” shumica e tyre debutuan në vitin 2009. D.E