Pas ndërhyrjes me ekskavator ndërpriten punimet në Kalanë e Novobërdës
foto: Laura Hasani

Pas ndërhyrjes me ekskavator ndërpriten punimet në Kalanë e Novobërdës

Kultura September 06, 2019 - 09:41
Lexo më shumë detaje
Image

Asnjë vizitor e asnjë punëtor që nga e enjtja nuk lejohet të shkelë në Kalanë e Novobërdës. Kjo e fundit është rrethuar me shiritat që paralajmërojnë rrezik dhe atje janë ndërprerë edhe punimet e restaurimit. Kjo ndërprerje erdhi pasi u bë publik lajmi se një ekskavator është përdorur për të rrënuar disa pjesë të mureve gjatë punimeve për restaurimin e kësaj kalaje. Ky veprim i kompanisë serbe “Koto”, e cila është kontraktuar nga UNESCO-ja, ka ngjallur reagime pas publikimit nëpër medie të një videoje, ku shihet ndërhyrja me ekskavator në muret e kalasë. Me këtë rast Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), nën mbikëqyrjen e të cilit po kryhet restaurimi, ka urdhëruar ndaljen e punimeve. Ekspertet e trashëgimisë e kanë konsideruar të papranueshëm përdorimin e mjeteve të rënda gjatë intervenimeve në kala. Gazeta “Zëri” ka vizituar Kalanë e Novobërdës të enjten. Stafi përgjegjës i ka thënë “Zërit” se ekskavatori është përdorur të hënën, kurse përfaqësuesit e UNESCO-s kanë vizituar Novobërdën bashkë me zyrtarët e IKMM-së të enjten.

Ndërhyrja me ekskavator ndodhi të hënën, dje zyrtarët e UNESCO-s vizituan Novobërdën

Ciceroni i Kalasë së Novobërdës, Fitim Bunjaku, ka treguar për gazetën “Zëri” se ndërhyrja me ekskavator në këtë kala, që shihet në videon e shpërndarë nga mediet, ka ndodhur para tri ditësh. Sipas tij, ekskavatori është përdorur për t’i arritur disa lartësi të paarritshme nga punëtorët, por që ka s’ka zgjatur. “Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i ka ndërprerë automatikisht punimet. Sot ka qenë edhe projektuesi dhe pritet të bëhet plani për sanimin e fortifikatës, kalasë. Këtu ishin zyrtarë të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve. Ajo që ka ndodhur para tri ditëve ishte kështu, kanë përdorur një ekskavator për vendet ku punëtorët nuk kanë mundur të mbërrijnë, por ka qenë shumë shkurt”, tha ciceroni. Ai ka shtuar se qysh atë ditë zyrtarët e IKMM-së kanë dalë në terren për t’i ndërprerë punimet, kurse të enjten zyrtarë të të njëjtit institucion bashkë me përfaqësues të UNESCO-s kanë vizituar kalanë, me vendimin që të gjitha punimet të ndërpriten deri në përpilimin e një plani konkret për vazhdimin e punimeve në Kalanë e Novobërdës.

Në anën tjetër Luan Gashi, përgjegjës për arkeologji në Kalanë e Novobërdës, thotë se një ndërhyrje e lehtë me ekskavator ka qenë e planifikuar edhe me planin restaurues. “Punën është duke e kryer UNESCO-ja. Kompetencat i ka Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve. Sidoqoftë, çdo gjë çka po ndodh është e kontrolluar”, tha Gashi.

Shoshi: Ndërhyrja me mjete të rënda në monumente është e papranueshme

Për Sali Shoshin, drejtor i organizatës “Trashëgimia kulturore pa kufij CHwB Kosova”, një ndërhyrje e tillë me mjete të rënda ndaj një monumenti kulturor është e papranueshme dhe joprofesionale. “Pavarësisht qëllimeve, është plotësisht e papranueshme ndërhyrja me mjete të rënda ndaj një monumenti. Ndërhyrjet që i janë bërë këtij monumenti kanë rezultuar të jenë joprofesionale dhe si pasojë kemi parë shembje të mureve. Ndërkaq atë që shohim sot - rrënimin me mjete të rënda – kjo vetëm se eskalon situatën, rrezikon integritetin fizik të monumentit”, thekson Shoshi. Më tutje ai shton se kjo ndërhyrje duhet të ndëshkohet me ligj. “Kjo ndërhyrje duhet të ndëshkohet, duke u bazuar në Ligjin për Trashëgimi Kulturore dhe jam i befasuar që nuk kemi parë prokurorinë të jetë në vendin e ngjarjes”, thotë drejtori i organizatës “Trashëgimia kulturore pa kufij CHwB Kosova”.

Sipas tij, reagimi ose mosreagimi i institucioneve me kohë ndaj këtij veprimi shkatërrues ndaj vlerave është indikator për situatën e përgjithshme në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë.

MKRS: Punimet nuk do të vazhdojnë deri në pranimin e raportit të detajuar

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një komunikate për medie ka bërë të ditur se mbështet plotësisht vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve për ndërprerjen e të gjitha punimeve në Kalanë e Novobërdës. “Punime këto të iniciuara së fundi si rezultat i dëmtimeve në muret e kalasë gjatë muajit mars 2019. Me gjithë angazhimet dhe konsultimet e deritanishme dëmtimet janë evidente edhe në këtë periudhë dhe për këtë arsye Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve - institucion përgjegjës, ka ndaluar punimet. Në këtë kuadër ne kemi përcjellë shqetësimin dhe kërkesën në Zyrën e BE-së, që të shqyrtojë të gjitha mundësitë ligjore për ndërmarrjen e masave të domosdoshme, meqë janë nënshkrues të marrëveshjes me UNESCO-n. Kompania e cila zbaton punimet është e përzgjedhur nga UNESCO-ja, prandaj presim që të njëjtit të marrin përgjegjësitë ligjore”, thuhet në komunikatën e MKRS-së.

Ata kanë theksuar se punimet nuk do të lejohet të vazhdojnë deri në pranimin e raportit të detajuar, të cilin e presin jo më larg se deri në fillim të javës së ardhshme. “Në të kundërtën, duke marrë në konsideratë gjendjen e krijuar e duke përfshirë këtu dhe rrethana tjera të sigurisë së monumentit, jemi të obliguar të ndërmarrim veprime tjera në konsolidim të gjendjes dhe në koordinim me institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore dhe të tjera relevante”, thuhet më tutje në njoftim.

Ministri Kujtim Gashi u shpreh se mbështet vendimin e IKMM-së dhe ka vlerësuar se ky hap është më i duhuri për ta ruajtur dhe për të mos e dëmtuar më tej një objekt jashtëzakonisht të rëndësishëm siç është Kalaja e Novobërdës. “Ne kemi qenë në koordinim të vazhdueshëm me Institutin dhe vendimi që ka ndërmarrë ai është hap të cilin unë si ministër e mbështes, sepse është obligim yni që trashëgiminë tonë ta ruajmë dhe të kujdesemi për të”, tha të enjten ministri Gashi.ZERI