Vendlindja sipas artistes Ramadani

Vendlindja sipas artistes Ramadani

Kultura September 07, 2019 - 09:48
Image

Me njëzetenjë punime artistike, ku përfshihen piktura e grafika, artistja vizuale Zana Ramadani prezantoi përmes artit pikëpamjen e saj për vendlindjen. Në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë të enjten u hap ekspozita e saj personale e titulluar “Vendi im”. Për gazetën “Zëri” artistja Ramadani tregoi se këto vepra në fakt janë vetëm reflektim i përditshmërisë së saj, i vendeve ku jeton e ec çdo ditë dhe ku frymëzohet. “Në këtë ekspozitë paraqes 21 piktura dhe 19 grafika. Piktura është vazhdim i grafikes, me një fjalë, të mos i lë anash asnjërën prej tyre. Në këto vepra paraqes tema, të cilat janë aktuale ose me një fjalë janë reflektim i përditshmërisë, ku ato i paraqes me ngjyra më të ngrohta ose më të ndezura, që e shprehin pozitivitetin ose bukurinë që e përjetoj në vendin tim, ku edhe për këtë arsye e kam titulluar ekspozitën ‘Vendi im’”, tregon Ramadani. Ajo është falënderuese ndaj menaxhmentit Shtëpisë së Evropës për mundësinë që i ka dhënë të ekspozojë në hapësirat e saj. Ekspozita “Vendi im” e artistes Zana Ramadani do të qëndrojë e hapur aty për një muaj.

Në katin përdhes të Shtëpisë së Evropës në Prishtinë janë vendosur pikturat e Ramadanit, kurse në bodrum janë vendosur grafitet dhe të gjitha punimet e teknikave tjera. Në të gjitha këto punime reflektohet fryma e qytetit në të cilin Zana ka lindur e jeton. Në këto piktura jeton Prishtina. Pasqyrohen lëvizjet, objektet, rrugët e atmosfera. “Nga Shtëpia e Evropës më kanë bërë ftesë të ekspozoj këtu. Unë e kam parë të arsyeshme që kësaj radhe ta ekspozoj para publikut këtë cikël të veprave, me të cilat përfaqësoj vendin tim. U jam shumë falënderuese për ndihmën dhe për mundësinë që ma kanë dhënë të prezantoj artin tim”, tha Ramadani.

E pyetur se pse ka zgjedhur të fokusohet pikërisht te një tematikë e tillë, pra duke u fokusuar vetëm në vendlindjen dhe në elementet që e karakterizojnë atë si koncept, artistja Zana Ramadani tha se konsideron që është e rëndësishme të paraqitet si është më së miri vendi në të cilin jeton dhe kontribuon. “Është e natyrshme ta duash vendin në të cilin jeton, vend në të cilin lindim, jetojmë, gëzohemi, hidhërohemi, inspirohemi dhe i japim vullnet vetes për të jetuar dhe për të vazhduar me tutje. Është vendi  ai i cili të shtyn të zhvillohesh, është vendi ai i cili të vë para sfidave, qofshin të lehta ose të vështira”, theksoi Ramadani.

 

Përmes kësaj ekspozite Zana Ramadani reflekton mbi gjërat që e rrethojnë, familjen, shoqërinë, njerëzit në përgjithësi, kujtimet, të gjitha si pjesë e vendit të saj, Kosovës. Ajo thotë për gazetën “Zëri” se kjo ekspozitë prezanton gjërat që e përmbushin si artiste, përmbledh kujtimet e saj, shoqërinë dhe njerëzit e afërt.

Zana Ramadani është aktive në ekspozita kolektive, brenda dhe jashtë vendit, ndërsa bashkë me Eliza Hoxhën, Shqipe Kamberin, Mjellma Gorancin dhe Zake Prelvukajn përkujdesen ta shoqërojnë njëra-tjetrën në grupin e tyre artistik. Së shpejti ato do t’i shohim në Bullgari, në Turqi e më pas edhe në Paris. Punët e ekspozitës “Vendi im” janë në shitje.

Zana Ramasani u lind në Prishtinë. Ajo diplomoi në Akademinë e Arteve në Prishtinë në drejtimin e Grafikës te profesor Fatmir Krypa dhe magjistroi në Grafikë në klasën e profesor Mirsad Lushtakut. Ramadani ka marrë pjesë në shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit si: në Francë, Japoni, Gjermani, Shqipëri, Turqi e Hungari. Ekspozita “Vendi im” është ekspozita e tretë personale, ku ajo prezanton piktura dhe grafia të teknikave të ndryshme të kombinuara. Në veprat e saj ajo paraqet përditshmërinë tonë, të jetuarit, erën, lëvizjen, lojën, gjallërinë dhe dashurinë. Ramadani punon si skenografe në Radio Televizionin e Kosovës. Zëri