'Të gjithë duhet të jemi feministë' nga Chimamanda Ngozi Adichie

'Të gjithë duhet të jemi feministë' nga Chimamanda Ngozi Adichie

Kultura September 09, 2019 - 09:52

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Të gjithë duhet të jemi feministë” nga Chimamanda Ngozi Adichie. Ky libër është përkthyer në shqip nga Hajrulla Çeku dhe është botuar nga shtëpia botuese “Pema”. 

Ky libër i vogël lindi në fakt nga paraqitja e autores Chimamanda Ngozi Adichie në fjalimet “Ted” në vitin 2013, saktësisht nga fjalimi i saj “We Should All Be Feminists” (Të gjithë duhet të jemi feministë). Më vonë u publikua si pamflet dhe u distribuua te secili 16-vjeçar në Suedi si pjesë e kampanjës nga “Swedish Women’s Lobby”. Audio nga kjo paraqitje po ashtu u bë pjesë e këngës së Beyonces, me titull “Flawless”. Autorja është edhe fituese e çmimit “PEB Pinter”. Çmimi “PEN Pinter” ka për qëllim që të nderojë shkrimtarët me “Merita të jashtëzakonshme letrare”, të cilët – sipas fjalëve të Pinterit në fjalimin kur mori çmimin “Nobel” në vitin 2005 – hedhin një vështrim të patundur mbi botën dhe tregojnë “përkushtim të patrembur intelektual për të definuar të vërtetën reale të jetëve tona dhe të shoqërisë”. Në dekadën e fundit ky çmim është marrë nga shkrimtarë të ndryshëm të njohur, në mesin e të cilëve Margaret Atwood, Salman Rushdie dhe Tom Stoppard.

 

Disa pyesin: "Pse fjala feminist/e? Pse jo të thuhet se je ithtar i të drejtave të njeriut ose diçka e ngjashme?" Sepse do të ishte e pasinqertë. Feminizmi natyrisht që është pjesë e të drejtave të njeriut në përgjithësi, por të përdorësh shprehjen e mjegullt “Të drejta të njeriut” do të thotë të mohosh problemin e veçantë të gjinisë. Ky do të ishte një lloj pretendimi që nuk kanë qenë gratë ato që për shekuj me radhë kanë qenë të përjashtuara. Në njëfarë mënyre, do të ishte mohim që çështja e gjinisë targeton gratë.

Diskutimi mbi gjininë nuk është i lehtë. Njerëzit ndihen në siklet; nganjëherë edhe irritohen. Si burrat edhe gratë i rezistojnë diskutimit mbi gjininë ose shpejt i ikin problemeve të gjinisë. Sepse të mendosh për ndryshimin e status quo-së është gjithmonë e sikletshme. Për këtë arsye konsiderojmë se leximi i këtij libri është i domosdoshëm.

Libri “Të gjithë duhet të jemi feministë” nga Chimamanda Ngozi Adichie kushton 3 euro dhe atë mund ta blini në pikat e librarisë “Buzuku” në Prishtinë.