'Komedia e kuqe' u duartrokit në Mitrovicë

'Komedia e kuqe' u duartrokit në Mitrovicë

Kultura shtator 12, 2019 - 10:25

Festivali tradicional i komedisë “Mitrovica in Fest” për tri net radhazi mblodhi dashamirët e artit në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë. Numri i madh i shikuesve, që tërhoqi ky festival, bëri që atmosfera artistike të kthehet në qytetin e Mitrovicës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Mbrëmë në natën e tretë në “Mitrovica in Fest” u dha një shfaqje nga ky qytet. Teatri i Mitrovicës “Muharrem Qena” u prezantua me shfaqjen “Komedi e kuqe”, të autores Albana Muja, në regji të Kreshnike Osmanit. Në këtë shfaqje me rolet  e tyre u paraqiten aktorët: Xhejlane Terbunja, Mehmet Preteni, Njomza Tmava dhe Fisnik Istrefi. Muzikën e shfaqjes e ka kompozuar Arbër Krasniqi, kurse kostumografinë Venera Osmani.

Shfaqja “Komedi e kuqe” synon të provokojë shikuesin me një temë, e cila trajton një periudhë jete të një çifti, Agimes dhe Fisnikut, të cilët zgjodhën të jetojnë në Gjermani. Megjithëse supozohet për një jetë të rehatshme të çiftit, na del të jetë diçka tjetër. Me anë të komikes çifti vihet në sprova që shfaqin mungesën e lumturisë së tyre për vite të tëra të bashkëjetesës. Edhe më në dukje vihet ky fakt, pasi Fisniku kinse për të fituar një shumë të caktuar të hollash vendos të martohet me një vajzë nga Kosova, duke ia mundësuar kështu asaj leje qëndrimin në shtetin gjerman. Ardhja e kësaj vajze të quajtur Rilindje, e cila është e detyruar të jetojë me çiftin, na jep mundësinë të shohim situata dramatike, por gjithashtu arrin të shfaqë edhe kthesa dramatike të papritura.

Një natë para kësaj shfaqjeje të teatrit të vet, Mitrovica mirëpriti komedinë nga Teatri i Tetovës  “Jashtë bie borë”, të autorit Vincenzo Salemme dhe në regji të Qendrim Rijanit.

Festivali “Mitrovica in Fest”  u mundësua nga: Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve, KEK-u, Ministria e Financave, Komuna e Mitrovicës, “Jehona.com” – Autopjesë (Autor spare Parts), “Viprint” (Printing House), “Broja Home”, “Museum Pub”, “Missini Sweets”, “Ma Belle”, “Art Gazi”, “Nina”, “KohaRestaurant” e “Bunjamini”. Zëri