Artistët në kërkim të votës për deputet
foto: Laura Hasani

Artistët në kërkim të votës për deputet

Kultura September 13, 2019 - 10:14
Image

Deri para pak ditësh kanë kontribuuar në fushën e kulturës, por disa pjesëtarë të këtij komuniteti së fundmi kanë vendosur ta sfidojnë veten edhe në politikë. Agim Sopi (LVV) drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Besa Luzha (AAK-PSD) muzikante dhe profesoreshë, Eliza Hoxha (PDK) këngëtare dhe arkitekte, Enlekeida Arifi (LVV) këngëtare e Migjen Kelmendi (PDK) muzikant janë disa nga pjesëtarët e komunitetit të kulturës që për herë të parë pritet ta sfidojnë veten në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 6 tetor të këtij viti. Por, përveç këtyre artistëve të cilët kanë vendosur ta kërkojnë besimin e qytetarëve për deputet, të njëjtën gjë në këto zgjedhje do ta bëjë për të dytën herë edhe Labinot Tahiri (AAK-PSD), i cili me profesion është këngëtar. Në garë për deputet është edhe ish-kryetari i Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe të Kulturës, Yll Rugova, i cili para dy vjetësh ishte zgjedhur drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Të kontaktuar nga gazeta disa prej këtyre personaliteteve kanë thënë se arsyeja e inkuadrimit në politikë ka të bëjë me synimin për t’i shtyrë përpara disa agjenda të rëndësishme kulturore. Mirëpo njohës të kësaj fushe janë shprehur skeptikë se një gjë e tillë mund të ndodhë në realitet.

Luzha: Angazhimi profesional nuk mjafton pa angazhimin politik

Muzikantja edhe kandidatja për deputete nga radhët e koalicioni AKR-PSD, Besa Luzha, thotë për “Zërin” se ka vendosur t’i hyjë kësaj gare, sepse konsideron se angazhimi profesional nuk mjafton pa angazhimin politik. “Unë kam hyrë në këtë garë pikërisht nga fusha e arsimit dhe e kulturës falë përvojës më shumë se 20-vjeçare të angazhimit profesional, por angazhimi profesional nuk mjafton pa angazhimin politik, sepse duhen iniciativa ligjore, angazhim për buxhetin, për investimet kapitale duke pasur parasysh edhe angazhimin tim në këtë fushë përmes aktivizimit në shoqërinë civile mendoj se do të jem zë i fuqishëm dhe do të kontribuoj në fushën e kulturës në mënyrë aktive”, thekson Luzha.

Ajo zotohet se nëse hyn në Kuvendin e Kosovës ndër të tjera do të jetë e zëshme për çështjen e ndërtimit të sallës koncertale në Prishtinë. “Shtyrja përpara e ndërtimit të sallës koncertale dhe e teatrit të operës e baletit, përkrahja e barabartë e sektorit publik dhe atij të pavarur, muzeu bashkëkohor, avancimi i skenave e i institucioneve edhe në nivelin lokal, ndërlidhja me edukimin artistik, Fondi i Pavarur për Artin dhe për Kulturën etj. janë një varg çështjesh me të cilat do të merrem aktivisht si deputete e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, plus pavarësimi financiar, menaxherial, i operatorëve të kulturës, amendamentimi  i Ligjit për Sponsorim për ta barazuar kulturën dhe sportin e të tjera ”, përfundon Luzha.

Rugova: Arti në Kosovë përballet me neglizhencë absolute institucionale

Themelimin e krijimin e Teatrit të Operës dhe të Baletit si ndërtesë, por edhe si institucion të vetëqëndrueshëm, ideimin e teatrit e ri kombëtar, projektin e Muzeut të Artit në ndërtesën e ish-Gërmisë, si dhe disa muze të reja në Kosovë, si për shembull Muzeu Arkeologjik në Prishtinë e Muzeu i Filigranit në Prizren, i sheh parësore për kulturën Yll Rugova, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, si dhe ish-drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës. “Duhet të mos harrojmë që Kosova tash është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe institucionet e artit përveç tjerash janë edhe simbole të kësaj shtetësie. Ne jemi mbase i vetmi shtet pa teatër të operës dhe të baletit, pa muze arkeologjik, pa muze të shkencave të natyrës. Ne po ashtu s'kemi institucione si muzeu i artit modern dhe bashkëkohor, nuk kemi ekspozim të koleksionit të Galerisë Kombëtare”, thekson Rugova për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, arti në Kosovë përballet me neglizhencë absolute institucionale, prej mungesës së ligjeve e deri te mungesa e buxhetit dhe e ndërtesës. Rugova thotë se Lëvizja Vetëvendosje e sheh artin e edhe kulturën si pjesë e arsimit dhe e akumulimit historik të një shoqërie. “Në gjithë betejën tonë për shtet në thelb e kemi bërë për mbrojtje të kulturës dhe të gjuhës sonë, andaj është imperativ që kultura të trajtohet me vëmendje. Ashtu dhe siç është tashmë e njohur ne u japim prioritet buxhetimit serioz e dinjitoz të institucioneve të artit dhe të trashëgimisë kulturore. Arti nuk mbahet vetëm më miniprojekte. Subvencionet do të shumëfishohen, por kryesisht për skenën e pavarur”, potencon ai.

Kelmendi: Kultura mund të ndihmojë në avancimin e shoqërisë

Ndonëse deklaron se pas shumë viteve pauzë në muzikë më nuk e konsideron veten pjesë të skenës kulturore kosovare, Migjen Kelmendi, anëtar i rokgrupit “Gjurmët”, që për kohë të gjatë ka punuar në fushën e medieve, thotë për “Zërin” se kultura mund të ndihmojë në përmirësimin dhe në avancimin e shoqërisë dhe të standardeve të saj. “Historikisht estetika, arti, kultura kanë ditë me u keqpërdor prej marksizmit e fashizmit si mekanizma për inxhinjerimin e shoqërisë. Ata gjithmonë kulturën dhe artin e kanë pa si njëfarë zgjatimi i veprimit të tyre politik me ambicien t’i inxhinjerojnë. Por më vonë kjo evoluon, sepse arti në parim e ka një rol, siç e thotë një filozof, që kultura nuk është e thënë që duhet të inxhinjerojë, por duhet të ndihmojë në përmirësimin dhe avancimin e shoqërisë e të standardeve të shoqërisë”, thekson Kelmendi.

Ai më tej ka thënë se pret që personat të cilët janë të angazhuar në politikë të ndihmojnë në ngritjen e standardeve të komunikimit, të shijes dhe të artikulimit. “Nëse ata arrijnë ta bëjnë këtë ne do të përfitojmë prej prezencës së tyre në skenën publike”, shprehet Kelmendi.

Kelmendi, që votën e qytetarëve e kërkon në listën për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës, thekson se nëse ata ia japin besimin, ai do të jetë i zëshëm për krijimin e një kulture të komunikimit dhe për ngritjen e cilësisë. “Përfundimisht, nëse arrij të fitoj besimin e qytetarëve unë do të jem zëri i tyre brenda PDK-së dhe brenda Kuvendit. Pikërisht për krijimin e kulturës së komunikimit, ngritjes së cilësisë dhe të një kulture ku politikani nuk kuptohet më në kuadër të nocionit të deritashëm, por në kuadër të shpjegimeve që kultura perëndimore e ka për politikanin e ai quhet shërbyes i çështjeve publike”, përfundon ai.

Ugzmajli: Angazhimi i artistëve në politikë është naivitet

Ndryshe nga kolegët e tij që ia kanë mësyrë garës për deputet mendon regjisori Besim Ugzmajli. Ai është pesimist sa u përket ndryshimeve që këta të fundit mund të sjellin. Sipas tij, angazhimi i artistëve në politikë është naivitet. “Angazhimi në politike i artistëve në këtë kohë të vështirë dhe me shumë polarizime mes partive politike, me idenë për të ndryshuar kinse diçka, është një naivitet i madh. Mirëpo në të shumtën e rasteve ky angazhim nuk ka për qëllim ndryshim e çështjeve që lidhet me artin e kulturën, por ka interesin krejtësisht personal të të ashtuquajturve artistë”, thotë Ugzmajli.

Sipas tij, se artistët hyjnë në politikë për interesa të vet është dëshmuar edhe më herët. “Shikoni ata persona që i janë bashkangjitur politikës ndër vite, sot janë në 2-3 seri ku përmes politikës kanë kapur hapësirën televizive, janë në borde teatrosh e në bord të Qendrës Kinematografike. Pra, angazhimi i artistëve ka dalë të jetë një angazhimi për interesa personale, duke ikur nga nënshtrimi i konkurrencës së lirë dhe duke i penguar kolegët e tyre”, përfundon kështu ai.

Apolloni: Politika kosovare ka nevojë për artistë

Më optimist për angazhimin e kolegëve të tij në politikë është regjisori i Teatrit Ben Apolloni. Sipas tij, politika kosovare ka nevojë për artistë. “Mendoj që politika kosovare ka nevojë për artistë, sepse fundja edhe artistët janë njerëz dhe njerëzit janë qenie politike, siç ka thënë Aristoteli. Artistët do të duhej që të ndikonin te partitë e tyre që politika kosovare të humanizohet më shumë, të kulturohet më shumë. Shpresoj që kështu të veprojnë ata, të cilët do të futen në Parlament. Pra, të mundohen për të mirën e kulturës dhe të të gjithë njerëzve”, deklaron kështu Apolloni.

Rikujtojmë se në legjislaturën e kaluar pjesë e Kuvendit të Kosovës ishte edhe aktori i mirënjohur Adem Mikullovci, i cili për shkak të problemeve shëndetësore nuk ka rikandiduar për deputet kësaj here. Zëri