'Shpia e Agës', rreth 1.300 shikues për 3 javë në “Cineplexx”

'Shpia e Agës', rreth 1.300 shikues për 3 javë në “Cineplexx”

Kultura September 14, 2019 - 08:40
Detajet
Image

Pas premierës në njërin nga festivalet më të rëndësishme evropiane dhe botërore, në Karlovi Vari të Çekisë filmi “Shpia e Agës” i Lendita Zeqitajt u mirëprit edhe në Kosovë. Për më shumë se tri javë ky film ishte pjesë e programit të rregullt të kinemasë austriake në Prishtinë, “Cineplexx”. Siç bën të ditur për gazetën “Zëri” stafi i kësaj kinemaje, interesimi për filmin e Zeqirajt nuk ka munguar. Dëfrim Puka, menaxher i marketingut në këtë kinema, i ka thënë gazetës “Zëri” se që nga premiera, më 20 gusht, e deri të enjten, më 12 shtator, filmin e Zeriqajt e kanë shikuar 1.314 persona. “Për filmin ‘Shpia e Agës’, të Lendita Zeqirajt, që nga premiera më 20 gusht e deri të dielën kemi shitur 1.314 bileta”, tregoi Puka, shkruan gazeta "Zëri".

I pyetur se sa janë të kënaqur në përgjithësi si kinema me publikun që po tërheqin filmat shqip, të cilët “Cineplexx”-i po i sjell, Puka tha se shohin rritje të interesimit për kinematografinë vendore. “Në përgjithësi po shohim rritje të interesimit për filma shqip dhe në këtë trend po besoj se ka kontribuuar suksesi i madh i filmave si ‘Martesa’, ‘Diamanti’ dhe ‘2 gisht mjaltë’, të cilët kanë sjellë shumë vizitorë në kinema, që janë ndarë shumë të kënaqur me çfarë kanë parë”, tha Puka.

Sipas tij, publiku gjithmonë është më i prirë të kërkojë filma të zhanrit komedi. “Sidoqoftë, po besoj se prodhuesit e filmave në Kosovë dhe në Shqipëri duhet ta kenë parasysh që publikut shqiptar po i pëlqejnë më shumë filmat e zhanrit komedi, pasi që ata po e shohin kinemanë si një ikje nga realiteti i hidhur në Kosovë dhe problemet e përditshme. Filmat e zhanrit dramë e sidomos filmat që po trajtojnë tema të luftës, nuk po tërheqin shumë interesimin e publikut tonë”, përfundoi kështu Puka.

Përndryshe, filmi “Shpia e Agës” u shfaq dy net rresht, më 12 dhe 13 shtator në kinemanë “Armata” në Prishtinë. Edhe aty interesimi nuk mungojë dhe salla u mbush plotë.

Kur drama jetësore kapërcehet me gaz e të qeshura

Barrën e historisë, që ka zgjedhur ta tregojë përmes filmit të saj, regjisorja Lendita Zeqiraj ua ka lënë aktorëve Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj.

Siç shihet, kësaj kaste nuk i mungojnë emra të dëshmuar të skenës tonë filmike, por regjisorja Zeqiraj ka guxuar të punojë edhe me aktorin e ri Arti Lokaj, që vjen në rolin kryesor e që sipas kritikave arriti me sukses të përçojë mesazhin e pritur. Befasi e këndshme për publikun doli të jetë edhe aktorja Rozafa Çelaj, e cila duke aktruar krahas Adriana Matoshit, Shengyl Ismailit, Melihate Qenës e të tjerëve, ndonëse e re në sytë e publikut, arriti të fitojë simpati dhe të komentohet për paraqitjen e saj.

Filmi “Shpia e Agës” përcjell Agën (Arti Lokaj), 9-vjeçar, i rritur me nënën e tij në një shtëpi jashtë qytetit, ku jetojnë bashkë disa gra. Ai mëson pak gjuhën serbe nga Zdenka, një grua e nacionalitetit kroat, në mënyrë që ta gjejë babanë e tij, për të cilin mendon se është në burg në Serbi. Por historia e Agës merr kahje tjetër kur fëmija e kupton një të vërtetë të pamenduar. E ndonëse temat të cilat i prek janë të ndjeshme e plot dhimbje, regjisorja Zeqiraj ka zgjedhur të mos heqë dorë nga stili që e karakterizon, të cilit i pëlqen ta quajë “tragji-komedi”. Pa marrë parasysh ndjeshmërinë e situatave, të qeshurat në filmin e Zeqirajt nuk mungojnë.

“Shpia e Agës” ka zgjuar interesim të madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovi Vary, ku pati premierën botërore. Atje ka marrë dhjetëra kritika pozitive nga mediet botërore, ku njëherësh edhe është shpërblyer nga Federata Evropiane e Kritikëve të Filmit – FEDEORA. Tashmë filmi i ka të konfirmuara mbi 30 pjesëmarrje në festivale prestigjioze të filmit në Kanada, Gjermani, Francë, Kurdistan, Maqedoni, Spanjë, Slloveni, Shqipëri etj.

“Shtëpia e Agës” ka për producent Bujar Kabashin. Filmi “Shpia e Agës” është bashkëprodhim mes Kosovës, Kroacisë, Francës dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese “N’art Films”, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit “Woof Films” nga Kroacia; “Sacrebleu Productions” nga Franca; “Ska-Ndal Productions” dhe “SY13 Films” nga Shqipëria, i mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Në konferencën për medie para premierës në “Cineplexx” producenti Bujar Kabashi bëri të ditur se tashmë janë duke negociuar me dhjetëra festivale, në mënyrë që “Shpia e Agës” të vazhdojë rrugëtimin e vet ndërkombëtar./ZËRI