Kori i Pejës, në garën ndërkombëtare të koreve në Belgjikë

Kultura shtator 17, 2019 - 10:30

Kori i qytetit të Pejës “Siparantum Choir” është përzgjedhur për herë të parë në garat ndërkombëtare të koreve evropiane “The 15th Edition Of The Biennial International Choir Contest Flanders”, që organizohet nga “VZW International Choir Contest Flanders” në Belgjikë. Lajmin e ka bërë publik dirigjenti i këtij kori, Memli Kelmendi. Ai për gazetën “Zëri” ka thënë se që nga fillimet e punës së këtij kori lirisht mund të konsiderohet si një ndër sukseset më të mëdha. “Konsideroj që ky është një prej sukseseve tona më të madha, duke e marrë parasysh rëndësinë e këtij festivali prestigjioz dhe përzgjedhjen e shtetit tonë në mesin e shumë shteteve nga mbarë Evropa, të cilët kanë traditë korale qindravjeçare”, tha Kelmendi.

Më tutje ai bëri të ditur se në këtë festival kori pejan do të paraqitet në kategorinë e koreve mikse, me program të kompozitorëve të njohur botërorë e shqiptarë. “Në këtë festival garues ne paraqitemi me shumë shtete të përzgjedhura, si Belgjika, Sllovenia, Republika Çeke, Hungaria etj. Kori ‘Siparantum’ do të paraqitet në kategorinë e koreve mikse me program të kompozitorëve të njohur botërorë dhe shqiptarë. ‘Siparantum’ në programin e vet paraqitet në festival po ashtu me veprën e kompozitorit të njohur flaman Jan Van Der Roost, kompozitor i cili sot konsiderohet njëri prej më të rëndësishmëve në skenën muzikore në vend (vepër premiere e shkruar për festivalin)”, bëri të ditur ai.

Festivalit “The 15th Edition Of The Biennial International Choir Contest Flanders” do t’i paraprijë hapja me ansamblin e njohur vokal në botë “The Kings Singers”. Këtë vit festivali mbahet në qendrën kulturore “C-Mine”, nga data 4-6 tetor, në Genk.

Por paraqitjet e korit “Siparantum” para publikut belg nuk mbarojnë këtu, sepse më datën 7 tetor, në orën 20:00, në Bruksel, “Siparantum Choir” paraqitet me koncertin e radhës, që organizohet nga Les Grandes Heures de la Cambre. Koncerti do të mbahet në “Church of the Abbey of Notre Dame de la Cambre” në Bruksel. Në këtë koncert kori “Siparantum” paraqitet me vepra të kompozitorëve të njohur botërorë: Bennet, Josquin Des Prez, Rheinberger, Whitacre, Gjeilo etj. dhe kompozitorë të njohur shqiptarë: Kasapolli, Rudi, Kelmendi etj. E dirigjenti i këtij kori, Memli Kelmendi, ka një falënderim të veçantë për ata që e mundësuan këtë koncert. “Falënderime të përzemërta familjes kosovare Berisha, që vepron dhe jeton në Belgjikë, e cila e ka bërë të mundshme këtë koncert në Bruksel. Faleminderit mjeshtrit të koreografisë shqiptare z. Tasim Dajcit, që është munduar të pasurojë disa vepra korale me koreografi, të cilat pa dyshim që e kanë plotësuar dhe e kanë ngjyrosur performancën tonë. Falënderime për të gjithë ata që po e përkrahin punën tonë”, thotë ai.

Që nga themelimi në fillim të vitit 2017 kori “Siparantum” i qytetit të Pejës ka realizuar vazhdimisht paraqitje të suksesshme brenda e jashtë vendit. Duke i mbushur sallat plot, ky kor po dëshmon se edhe muzika korale në vendin tonë mund të tërheqë publik.

Për dy vjet që nga themelimi e deri më sot ky kor është prezantuar mbi 50 herë, duke performuar laramani të veprave të ndryshme botërore dhe shqiptare. Ka qenë tri herë radhazi në Kroaci në sallat më të njohura të vendit: “Hrvatski Glazbeni Zavod”, “C. Pavla”, “Mimara” – Zagreb, “POU Hrvatski” – Petrinje, pastaj në festivalin ndërkombëtar të koreve botërore “Nancy Voix Du Monde” - Francë, ku Kosova është paraqitur për herë të parë në këtë festival. “Siparantum” ka dhënë koncerte në “Nancy Cathedral”, “Grand Salon de Ville”, “La Temple Protestant”, “La salle Erkman Luneville”, “Porta Here”, “Stanislas Square – Nancy”, pastaj dy koncerte të rëndësishme në “Chiesa di San Salvatore” në Lauro dhe “Basilica di San Antonio” – Romë dhe së fundmi në festivalin “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare në Maqedoni”, duke mos anashkaluar festivalet vendore DAM, “ReMusica”, PIVF dhe koncertet e korit në disa qytete të Kosovës. Zëri