Shfaqja për vrasjen e Rexhep Lucit, javën tjetër premierë në TKK

Shfaqja për vrasjen e Rexhep Lucit, javën tjetër premierë në TKK

Kultura September 19, 2019 - 09:58

“Pesë stinët e armikut të popullit” titullohet shfaqja e radhës që regjisorja Blerta Neziraj prezanton para adhuruesve të teatrit. Shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit” jepet premierë më 24 shtator, me fillim nga ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Kësaj radhe shfaqja e Nezirajt, që është prodhim i qendrës “Multimedia” në Prishtinë, trajton një temë të veçantë. Ajo flet për përpjekjet e arkitektit të vrarë pas luftës në Kosovë, Rexhep Luci, i cili kundërshtonte ndërtimet e egra në Prishtinën e pasluftës, por flet gjithashtu edhe për gjithë kaosin e asaj periudhe në Prishtinë, shkruan sot gazeta "Zëri".

 “E administruar nga UN-i, Prishtina e pasluftës po kërcënohej nga ndërtuesit e fuqishëm ilegalë, të cilët në kundërshtim me të gjitha rregullat urbanistike po ndërtonin brutalisht në çdo cep të saj. UN-i në emër të politikave neoliberale të tregut po e toleronte dhe po i krijonte terren të favorshëm këtij shkatërrimi. Por në këtë proces ishin të përfshirë po ashtu edhe shumë prodhues të materialeve ndërtimore nga vendet tjera të Evropës, të cilët kishin interes nga ky rekonstruktim i shpejtë”, thuhet në njoftimin e qendrës “Multimedia”.

Pra, siç bëhet e ditur nga ekipi realizues i shfaqjes, “armiku” në këtë rast është arkitekti Luci, i cili ishte kërcënuar disa herë para vrasjes. “Arkitekti e planifikuesi hapësinor Rexhep Luci po përpiqej të vinte kontroll urbanistik. Për kompanitë e ndërtimit e ato të prodhimit, për kastat e korruptuara politike, për mediet oportuniste, për komandantët e luftës, për zyrtarët e UN-it e për shumëkënd tjetër ai ishte ‘armiku’. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë dhe pastaj edhe ishte vrarë në hyrje të banesës së tij në Prishtinë”, theksohet në këtë komunikatë. Në njoftimin e vet qendra “Multimedia” shkruan se Prishtina, qyteti që ka fituar luftën, por e ka humbur paqen, është sot qyteti me ajrin më të ndotur në Evropë. Aty theksohet se kompanitë e ndërtimit vazhdojnë të abuzojnë me dhjetëra mijëra punëtorë të angazhuar në sektorin e ndërtimtarisë, të cilët paguhen keq, punojnë në kushte ekstreme të pasigurisë fizike dhe pa sigurim shëndetësor. Gjatë një viti në Kosovë, në vendin e tyre të punës, vdesin ose pësojnë aksident qindra punëtorë të këtij sektori. Familjet e tyre nuk kompensohen kurrë. “Pesë stinët e armikut të popullit” flet për heroin që komprometohet nga shumica dhe për përgjegjësinë e shumicës, si armike e të vërtetës dhe lirisë” (Ibsen, përmes Stockmannit). Por kjo shfaqje na flet edhe për hipokrizinë e misioneve të paqes së UN-it, të cilat në emër të stabilitetit politik, në emër të paqes, zhvillimit e të rikonstruktimit mbyllin sytë përballë dr. Stokmanëve dhe rrjedhimisht bëhen pjesëmarrës në vrasjen e tyre.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre paraqiten: Armend Smajli, Shpetim Selmani, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj e Verona Koxha. Shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit” realizohet me mbështetjen e “The Olof Palme International Center”, “Swiss Agency for Development and Cooperation” SDC dhe “Rockefeller Brothers Fund”.

Rikujtojmë se shfaqja e fundit që regjisorja Blerta Neziraj solli në Teatrin Kombëtar të Kosovës ishte “Sfinga e gjallë”, e cila u dha premierë në maj të këtij viti. Shfaqje kjo e bazuar në tekstin e Rexhep Qosjës me të njëjtin titull, regjinë e së cilës e ka bërë Blerta Rrustemi-Neziraj. E shkruar në vitet e ’70-ta, si një dramë e fuqishme që flet për gjakmarrjen e vëllavrasjet absurde të asaj kohe, “Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe për vrasjet politike “misterioze” të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë. Zëri