Komuna e Prishtinës ka hapur thirrjen për subvencionimin e aktiviteteve kulturore

Komuna e Prishtinës ka hapur thirrjen për subvencionimin e aktiviteteve kulturore

Kultura September 19, 2019 - 10:38

Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës, në bazë të Rregullores për Ndarjen e Subvencioneve nga Komuna e Prishtinës, si dhe në bazë të Rregullores MF-NR-04/2017 për Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik për OJQ-të, ka hapur një konkurs për subvencionimin e aktiviteteve kulturore.

Vlera e përgjithshme e planifikuar e thirrjes është 85.000 euro, shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo projekt individual është 500 euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është 11.560 euro. Afati për dorëzimin e propozimeve është nga data 17.09.2019 deri më 06.10.2019. Periudha e zbatimit të projektit është deri në fund të muajit mars 2020.

Siç bëhet e ditur nga kjo thirrje, veprimtaritë që do të përkrahen nga ky fond janë: Art vizual – figurativ: krijim i veprës së re, fuqizim i artistëve të rinj, ekspozitë, hulumtim kuratorial, instalime në hapësira publike, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknologjik. Botime: për fëmijë, për të rinj, romane, tregime, përkthime, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe hulumtime kulturore. Festival: art figurativ, art në hapësira publike, arkitekturë, ekologji, film, letrar, shumëdisiplinor, muzikë, folklor, teatër, teknologji informative, vallëzim etj.; Kinematografi: film dokumentar, filmi i shkurtër, film i animuar, fuqizimi i kinematografëve të rinj, titrim dhe zhvillim skenari. Manifestime: shënimi i datave historike, shënimi i festave kombëtare dhe ndërkombëtare dhe shënimi i datave të tjera me rëndësi në Komunën e Prishtinës. Mbështetje të aktiviteteve vjetore të organizatave dhe operatorëve kulturorë: aktivitete mujore, fuqizim i krijuesve të rinj, rezidencë artistike, debate, ligjërata dhe hulumtime. Muzikë: kompozim i veprës së re, audioincizim, koncert, fuqizimi i muzikantëve të rinj, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknologjik. Shoqëri kulturoro-artistike: mbështetje të aktiviteteve vjetore, blerja e kostumeve, blerja e instrumenteve dhe pjesëmarrje në festivale. Teatër: prodhimi i shfaqjes, promovim dhe pjesëmarrje e shfaqjes në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknologjik, si dhe trashëgimi kulturore: fushata vetëdijesimi, pjesëmarrje në aktivitete për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, hulumtim, promovim i diversitetit kulturor, turizëm kulturor dhe platforma informative.