Në këtë fundjavë promovohet monografia për Nexhmije Pagarushën

Në këtë fundjavë promovohet monografia për Nexhmije Pagarushën

Kultura September 20, 2019 - 10:26

Jeta dhe vepra e këngëtares së mirënjohur shqiptare Nexhmije Pagarusha është dokumentuar në një libër monografik me titullin “Nexhmije Pagarusha”, promovimi i të cilit do të bëhet më 21 shtator 2019, prej orës 19:00, në hotel “Swiss Diamond”, Prishtinë. Monografia “Nexhmije Pagarusha” me autorë Shaban Maxharraj dhe Elvira Berisha është realizuar nga “Integra” me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit të Republikës së Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Ceremonia e promovimit të këtij libri monografik tenton që në mbrëmjen e 21 shtatorit të paraqesë në mënyrën më të mirë të mundshme tërë punën që është bërë për publikimin e këtij libri para familjarëve, miqve, artistëve e dashamirësve të artit, si dhe para zonjës së madhe, e cila është subjekti kryesor i këtij libri”,  thuhet në njoftimin e “Integrës”.

Nga ta kjo monografi është cilësuar si “një rrëfim personal dhe origjinal i një udhëtimi të mrekullueshëm në jetën dhe në krijimtarinë e këngëtares sonë të famshme shqiptare, znj. Nexhmije Pagarusha”.

Monografia për bilbilin e këngës shqipe Nexhmije Pagarusha ka përmbledhur gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj prej artisteje. I ndarë në 13 kapituj, libri ka paraqitur rrugën e këngëtares nga fëmijëria deri në ditët e sotme. Vetë këngëtarja me rrëfimin e saj jetësor është boshti i rrëfimit të këtij libri. Pjesë shumë e rëndësishme e këtij libri monografik janë edhe intervistat me familjarë, me miq, me muzikantë e me persona të tjerë që e njohin mirë dhe kanë punuar ngushtë me Nexhmije Pagarushën, të cilët e plotësojnë rrëfimin e saj.

Sipas “Itegrës”, qëllimi kryesor i botimit të këtij libri është që të vërë në pah rëndësinë e karrierës muzikore të Pagarushës, e cila përfaqëson një pjesë vitale të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të vendit tonë. “Nëpërmjet dokumentimit dhe rrëfimit të artistes dhe të bashkëpunëtorëve të saj, libri ka nxjerrë në pah historinë krijuese të njërës prej këngëtareve më të famshme të muzikës shqipe. Dokumentimi i asaj që e ka karakterizuar këngëtaren është paraqitur si histori e shtrirë në formë romani, me qëllimin që publikut t'i prezantohet i gjithë mozaiku jetësor e artistik i zonjës Nexhmije. Libri do të mbetet trashëgimi e institucioneve të vendit dhe e brezave të rinj”, përfundon kështu njoftimi i “Integrës”.

Rikujtojmë se Nexhmije Pagarusha u lind më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës. Nexhmije Pagarusha ka ndjekur shkollën e muzikës në Beograd, për të filluar karrierën si këngëtare në radio “Prishtina” në vitin 1948 e për të vazhduar për 40 vjet të tjera të pushtojë botën e muzikës. Pavarësisht se këngëtarja nuk ishte e përcaktuar se cilin zhanër të muzikës e kultivonte, këngët e saj u dëgjuan me ëndje çdoherë dhe nga të gjitha moshat.

Në Kosovë Nexhmije Pagarusha është shpallur si “Këngëtarja e Shekullit”, kurse në vitin 2012 presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani e ka dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”.

“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi, me tekstin e poetit të mirënjohur Rifat Kukaj. Pagarusha ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën "Për ty" në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi ta bëjë këtë. Në vitin 2005 ajo ishte pjesë e jurisë së festivalit “Kënga magjike”. Pagarusha është paraqitur para publikut shqiptar edhe me disa role në teatër e në film. Ajo aktroi në “Dasma e përgjakur”, “I ikuri”, “Lepuri me pesë këmbë”, “Fluturimi i Micakut”, "Rexha i nënës në grazhd të kalit" e të tjera projekte. Zëri