Më 10 tetor ndahen dy 'Nobel për Letërsi', edhe sivjet lakohet emri i Kadaresë

Më 10 tetor ndahen dy 'Nobel për Letërsi', edhe sivjet lakohet emri i Kadaresë

Kultura tetor 03, 2019 - 10:50

 

Çmimi më i madh i fushës së letërsisë, ai “Nobel”, këtë vit do të ndahet më 10 tetor. Në njoftimin e saj Akademia suedeze ka theksuar se sivjet do të jepen dy çmime “Nobel për Letërsi”, për vitin 2018 dhe 2019. Ky vendim u mor pasi që vitin e kaluar, për shkak të disa skandaleve brenda akademisë suedeze, ky çmim nuk u nda fare. Siç ka bërë të ditur akademia “Nobel”, fituesit në fushën e letërsisë do të bëhen të ditur diku rreth orës 13:00 me kohën lokale të Suedisë. Nobelisti i fundit i letërsisë është shkrimtari japonez Kazuo Ishiguro, i shpërblyer në vitin 2017, shkruan sot gazeta "Zëri".

Gara e “Nobelit të Letërsisë”, vështirë e parashikueshme

Haruki Murakami, Milan Kundera, Adonis, Margaret Atwood, Olga Tokarczuk, Anne Carson, por edhe Ismail Kadare janë disa nga emrat që po lakohen më së shumti nga njohësit e letërsisë, bastexhinjtë e entuziastët e çmimit “Nobel për Letërsi” sivjet.

Shkrimtari dhe gazetari Ed Sheehan, pasi publikoi listën e ngushtë të pikëve që janë marrë nga bastet për shkrimtarët, mes tyre edhe shkrimtarin shqiptar Ismal Kadare, shkruan për historinë e pritjeve të gjata nga autorët e shquar të “Nobel”-it në “Literary Hub”, një uebfaqe e përditshme letrare, që përqendrohet në letërsi. Ndërsa vë theksin mbi dy autorë të njohur, si Milan Kundera dhe Ismail Kadare, shkrimtari dhe gazetari Ed Sheehan shprehet se “Nobel”-i është i paparashikueshëm dhe satirizon sajesat publicitare të shtëpive botuese ose qëndrimet nacionaliste në reklamimin paraprak që u bëhet autorëve si me gjasë që janë shumë afër “Nobel”-it. Një nga kriteret e përzgjedhjes së “Nobel”-it pas listës së ngushtë është se përveç jurisë caktohen (telefonohen) edhe 6 anëtarë të orëve të fundit për votim, gjë që e bën të rrëshqitshëm këtë çmim kundrejt pritshmërisë së publikut ose edhe atyre që kapen pas etheve të lojërave të fatit. Dihet që Akademia suedeze e Nobelit nuk zbardh në faqen e saj zyrtare asnjë fazë paraprake të procesit të votimit. Pritet vetëm data 10 tetor, kur të mësojmë se cilët janë dy autorët fitues të çmimeve “Nobel për Letërsinë” për 2018-n dhe 2019-n. E juria e Akademisë jorrallëherë ka befasuar dashamirët e librit. Së fundi në vitin 2016 me dhënien e “Nobelit të Letërsisë” poetit e muzikantit Bob Dylan.

 

Kadareja, shpresa e letërsisë shqipe për një “Nobel”

Edhe sivjet në garë për “Nobelin për Letërsi” është edhe shkrimtari shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare. Shkrimtari gjirokastrit me romanin e tij “Pallati i ëndrrave” është sërish një nga emrat më të diskutuar në listën e ngushtë të çmimeve “Nobel për Letërsinë”. Ky roman, që shpreh sintezën e instalimit të diktaturës me një stil të përsosur metaforik, u botua për herë të parë më 1981-n me titullin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”.

Rikujtojmë se vetëm para pak ditësh shkrimtari Ismail Kadare është përzgjedhur fitues i “Çmimit Pak Kyongni 2019”. Në njoftimin e bërë nga Kim Uchang, kryetar i komisionit përzgjedhës, thuhet se “punimet e Ismail Kadaresë i bëjnë lexuesit të mendojnë dhe të ndiejnë fort marrëdhënien e tyre me ngjarje të caktuara të historisë”. Ceremonia për dhënien e këtij çmimi do të mbahet më 26 tetor 2019, në qendrën kulturore “Toji” të Koresë së Jugut.

Ky çmim shoqërohet edhe me një shpërblim financiar prej rreth 84 mijë dollarësh. Përzgjedhja e fituesit bëhet pasi shqyrtohen rreth 350 autorë nga mbarë bota, të cilët përmbushin kriteret e përcaktuara. Që nga muaji korrik komisioni përzgjedhës kishte përpiluar listën e 5 autorëve më të mirë, nga të cilët fitoi shkrimtari i njohur shqiptar.

Çmimi u krijua në vitin 2011, nga fondacioni kulturor “Toji”, për të nderuar shkrimtaren e ndjerë koreane Pak Kyongni. Çmimi nderon çdo vit një shkrimtar të letërsisë botërore për ndikimin në fushën e letërsisë. Në vitin 2018 me këtë çmim u nderua amerikani Richard Ford, ndërsa në vitin 2017 çmimi iu dha britanikut Antonio Byatt. Fitues të mëparshëm kanë qenë Ngugi wa Thiong'o (Kenia, 2016), Amos Oz (Izrael, 2015), Bernhard Schlink (Gjermani, 2014), Marilynne Robinson (SHBA, 2013), Ludmila Ulitskaya (Rusi, 2012) dhe Choi In-hun (Kore, 2011).

“Nobeli për Letërsi” ndahet çdo tetor, siç kërkohet në testamentin e shkencëtarit Alfred Nobel, “Për njeriun që ka krijuar në fushën e letërsisë veprën më të vlefshme me një drejtim ideal”. Rikujtojmë se që prej vitit 1901 këtë çmim e kanë fituar 113 njerëz, prej të cilëve vetëm 14 kanë qenë gra. Zëri