Shuhet Gjon Athanasi, tenori shqiptar që luajti rolin e Skënderbeut

Shuhet Gjon Athanasi, tenori shqiptar që luajti rolin e Skënderbeut

Kultura tetor 03, 2019 - 11:43

Tenori i njohur Gjon Athanasi (1925-2019) është shuar në moshën 94-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty ku prej 25 vjetësh jetonte.

Prindërit e tij kishin emigruar që prej vitit 1915 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për disa vite familja e tij punoi për përmirësimin e gjendjes ekonomike në Massachusetts, aty ku u lind edhe Gjon Athanas, për t’u kthyer më pas sërish në Shqipëri. Ndonëse bënë përpjekje për t’u larguar sërish gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas në komunizëm, kjo do të ishte e pamundur.

Lidhjet e tij me këngën janë të kahershme, që në vegjëli nisi të këndojë psalmet bizantine në kishën që babai i tij ushtronte profesionin e klerikut.

Por ajo që do ta bëjë të pavdekshëm në kujtesën e spektatorit Gjon Athanasin është roli i Skënderbeut në operën me të njëjtin emër, e shkruar nga kompozitori Prenk Jakova. Kompozitori përpos që vlerësonte zërin e tenorit Athanasi, e shkroi rolin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut në mënyrë që t’i përshtatej vokalit dhe figurës së artistit.

Nën regjinë e mjeshtrit të skenës teatrore Pirro Manit, roli i Skënderbeut tek opera, e cilësuar si vepra e parë historike në muzikën shqiptare, do të ngulitej gjatë te spektatori, duke e konsideruar si njëra nga arritjet e tij më të mira artistike. 

Gjon Athanasi ka lënë në repertorin e tij shumë arie të njohura, por nuk kanë munguar as këngët popullore, patriotike dhe partizane. Ka punuar edhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve për rreth 20 vjet.

Opera "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu" e kompozitorit Prenk Jakova është shfaqur për herë të parë më 17 Janar 1968 me muzikë të Prenk Jakovës, me libret të Llazar Siliqit, dirigjent Mustafa Krantja, nën regji të Pirro Manit dhe (J. Bitri e L. Gurakuqit) e piktor Shaban Hysa. “Skënderbeu” i Prenk Jakovës është një vepër masive, pjesëmarrja ka qenë madhore, ku më herët janë përfshirë afërsisht 280 artistë kur Skënderbeu kurorëzonte betejën dhe këndonte arien “Lirinë s’ua solla unë”. Është rishfaqur pas 40 vjetësh të premierës, më 19 qershor 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Në këtë produksion interpretuan plot 200 artistë.