'Maqedonia nga antika deri te koha jonë' e Buxhovit promovohet edhe në Strugë e Shkup

'Maqedonia nga antika deri te koha jonë' e Buxhovit promovohet edhe në Strugë e Shkup

Kultura October 15, 2019 - 11:45

Libri “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” do të promovohet edhe në Strugë e Shkup. Struga do ta mirëpresë këtë libër për promovim këtë të martë, në sallën e Kuvendit të Komunës, në orën 19:00. Ndërsa promovimi i këtij libri në Shkup do të bëhet të enjten, në Qendrën Kulturore, në orën 19:00.

Studimi monografik mbështetet mbi konceptin se Maqedonia nga antikiteti, mesjeta e deri te koha jonë është pjesë e botës iliro-dardane. Duke u përqendruar te faktorët etnikë, shoqëroro-politikë dhe kulturorë në një vazhdimësi mbi dymijëvjeçare, në trekëndëshin e mbretërive maqedonase, dardane dhe asaj epirote, nxirret në pah një identitet i caktuar historik me trashëgimtarë të vetëm shqiptarët e sotëm. Në këtë vepër voluminoze, autori jo vetëm që i plotëson me argumente të tjera disa nga tezat e shfaqura në “Kosovën” në tetë vëllime rreth ndërlidhjes së ilirëve me pellazgët dhe të rolit të madh të Dardanëve e të Dardanisë në formimin e perandorive të mëdha botërore: Trojës, Romës dhe të Bizantit, me ç’rast ata shihen edhe si shtrat i qytetërimit antik, por qëndrimin për mosekzistencën e “shtetit mesjetar serb” dhe gënjeshtrën për gjoja “Kosovën – djep shpirtëror dhe historik serb” e riformulon me shkëputjen e Rashës dhe të dinastisë së Nemanjajve nga origjina sllave (serbe), duke e ndërlidhur atë me origjinën e botës ilire. Kështu, duke u mbështetur mbi dokumente të shumta nga Vatikani, nga Bizanti, por edhe nga ato sllave, që nuk janë manipuluar dhe nuk janë sajuar nga historiografia serbe e ajo ruse e shekullit të kaluar dhe në vazhdimësi, dinastia e Rashës del e veçuar nga formacionet politike dhe shoqërore sllave, të faktorizuara në mesjetë nga Vatikani dhe nga Kostandinopoja për qëllime politike, me ç’rast edhe përpjekjet hegjemone të Nemanjajve në Ilirik, të cilësuar vazhdimisht si Tribal (fis ilir) shihen si vazhdimësi e mbretërisë dardane për ta trashëguar kurorën e Bizantit, gjë që nuk është e rastit që edhe në bulat e në kartat e pamanipuluara nga Beogradi, në kuadër të shtetit të Rashës vazhdimisht përfshihen edhe arbrit dhe maqedonët. Në këtë aspekt, dinastia rasiene e Nemanjajve krishterimin e shfrytëzoi për pushtet politik, siç kishte vepruar Konsandini i Madh dhe Justiniani, me ç’rast, në raportet e reja të ndarjes së kishave dhe të luftës së tyre për pushtet, ndonëse së fundmi u mbështet te kisha lindore, ruajti lidhjet e mira dhe madje të pashkëputura me Vatikanin e me katolicizmin, të cilit edhe i kishte takuar nga fillimet dhe prej nga buron edhe fuqia politike e tyre.  Zëri