Vushtrriasit, kundër ndërtimit të restorantit në kalanë e qytetit

Vushtrriasit, kundër ndërtimit të restorantit në kalanë e qytetit

Kultura October 19, 2019 - 12:16
Detajet
Image

Qytetarëve të Vushtrrisë, por edhe pushtetit lokal atje nuk po u pëlqen vendimi i Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit për të lejuar ndërtimin e një restoranti në kalanë e qytetit të tyre. MKRS-ja të enjten ka marrë vendim për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë, shkruan gazeta "Zëri".

Në vendimin e marrë nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit thuhet se aprovohet kërkesa e “Dardania Castel”-it, me pronar Mentor Salihu, për shfrytëzim të përkohshëm të Kalasë së Vushtrrisë, si dhe jepet arsyetimi i aprovimit të kësaj kërkese. “Në takimin e 44-t të Komisionit, më datë 19 dhjetor të vitit 2016, është shqyrtuar projekti i ndërhyrjeve në aneksin e Kalasë së Vushtrrisë dhe në kërkesën e Komisionit për plotësim të dokumentacioni me marrëveshjen për shfrytëzim nga institucioni kompetent, ka prezantuar pëlqimin nga u.d. i drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Agim Dërguri”, thuhet në arsyetim.

Mirëpo kundër këtij vendimi ka reaguar i pari i Komunës së Vushtrrisë, kryetari Xhafer Tahiri. Ai ka thënë se ky është një vendim i kundërligjshëm i MKRS-së dhe se nuk do të lejojnë që Kalaja e Vushtrrisë të bëhet restorant. “Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës në një procedurë super të shpejtë, brenda 1 dite të vetme, pa e njoftuar fare Komunën e Vushtrrisë, në kundërshtim me qëndrimet e Kuvendit të Komunës, ka nxjerrë vendim të kundërligjshëm për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Qytetit për gastronomi”, ka shkruar Tahiri.

E pakënaqur është shprehur edhe Drita Dibrani, kryetarja e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Vushtrri. Dibrani e ka konsideruar se dhënia në shfrytëzim është gabim, sepse ajo hapësirë përdoret nga rinia dhe organizatat joqeveritare të qytetit. Sipas saj, ndërrimi i funksionit ua pamundëson OJQ-ve t’i realizojnë aktivitetet e tyre. “Hapësira të cilën rinia e Vushtrri e ka shfrytëzuar për aktivitete rinore tash e tutje po shndërrohet në biznes dhe ne nuk do të kemi mundësi t’i mbajmë këto aktivitete aty… Dhënia e hapësirës së kalasë në shfrytëzim për restorant është një gabim, të cilin nuk është dashur ta bëjë IMMK-ja. Ajo hapësirë përveçqë do na pamundësojë neve OJQ-ve t’i mbajmë aktivitete tona rinore, do të bëhet edhe pengesë për vizitorët e kalasë”, ka shkruar Dibrani në “Facebook”.

“CHwB Kosova”: Urgjentisht të shfuqizohet ky vendim

Organizata “Trashëgimia Kulturore pa Kufij - CHwB Kosova” vlerëson se vendimi Nr. 68/2019, i lëshuar nga Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, i nënshkruar nga drejtori i këtij institucioni, Ismet Hajrullahu, për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të monumentit të trashëgimisë kulturore – Kalaja e Vushtrrisë, është i pabazuar dhe i kundërligjshëm. Ky vendim, i cili ka për subjekt një “Monument të trashëgimisë kulturore arkeologjike”, në mënyrë të kundërligjshme bazohet në dy pika – Ligji 02/L-88 Neni 6 (paragrafi 6.14) dhe Rregullorja 06/2017 Neni 10, Paragrafi 1.18, të cilat i referohen trashëgimisë kulturore arkitekturale. Neni 6 (paragrafi 6.14), Ligji 02/L-88 thotë se “Përdorimi me qëllim përfitimi ekonomik dhe kulturor i trashëgimisë arkitekturale autorizohet me leje të shkruar nga institucioni kompetent, në rastet ku vlerat e trashëgimisë arkitekturale janë të mbrojtura”. Gjithashtu, Rregullorja 06/2017, Neni 10, Paragrafi 1.18 specifikon se “Instituti i Kosovës për Mbrojte të Monumenteve autorizon me leje të shkruar përdorimin me qëllim përftimi ekonomik dhe kulturor të trashëgimisë arkitekturale në raste, ku vlerat e trashëgimisë arkitekturale janë të mbrojtura, pas konsultimit me Qendrën Rajonale përkatëse të Trashëgimisë Kulturore”.

“CHwB Kosova” sqaron se Kalaja e Vjetër në Vushtrri është monument nën mbrojte të përhershme në kategorinë “Trashëgimi arkeologjike” dhe joarkitekturale siç është trajtuar nga vendimi i fundit kundërligjor. Ky kategorizim është adaptuar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, i propozuar nga Ministria e Kulturës. Në përshkrimin e publikuar në uebfaqen e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore thuhet që “duke u bazuar në vlerat arkeologjike, artistike, shoqërore, shpirtërore, rariteti dhe shkencore, pasuria Kalaja e Vjetër është shpallur monument në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore në vitin 2016”. Duke marrë parasysh kategorizimin e mësipërm, Rregullorja 06/2017, Neni 11, Paragrafi 1.2, specifikon se është Instituti Arkeologjik i Kosovës, i cili “Jep lejet (lejimi) me shkrim për veprimtari që mund të ndikojnë në vlerat ose të ndryshojnë tërësinë, ose strukturën e trashëgimisë kulturore – arkeologjike nën mbrojte të përhershme ose të përkohshme”, shkruan gazeta "Zëri".

“CHwB Kosova” konsideron se Instituti i Kosovës për Mbrojte të Monumenteve me vendimin e fundit ka bërë një veprim kundërligjor, duke shpërfillur kompetencat e Institutit Arkeologjik të Kosovës. Për më tepër, ky veprim është vazhdimësi e një përpjekjeje të vazhdueshme, por fatmirësisht të dështuar, të të njëjtit institucion, veprimi i të cilit vite me parë kishte hasur në reagime të ashpra qytetare. Duke u nisur nga kjo “CHwB Kosova” rekomandon që organet përgjegjëse urgjentisht ta shfuqizojnë këtë vendim të paligjshëm duke parandaluar çdo veprim, i cili cenon integritetin dhe autenticitetin e monumenti – Kalaja e Vjetër në Vushtrri./ZËRI