Në Pejë themelohet klubi i kinemasë 'Jusuf Gërvalla'

Në Pejë themelohet klubi i kinemasë 'Jusuf Gërvalla'

Kultura November 02, 2019 - 08:12
Detajet
Image

Në qytetin e Pejës të gjithë dashamirët e filmit dhe të librit tash e tutje do ta kenë një adresë, ku mund të mblidhen e të diskutojnë. Atje është themeluar klubi i kinemasë “Jusuf Gërvalla”, i cili do të funksionojë në kuadër të kinemasë së këtij qyteti me të njëjtën emër, shkruan sot gazeta "Zëri".

Klubi i kinemasë "Jusuf Gërvalla" është klubi i parë i filmit dhe i leximit në qytetin e Pejës, i cili themelohet nga “Anibar”-i, respektivisht nga kinemaja "Jusuf Gërvalla". Menaxhmeti i kësaj kinemaje ka ftuar të gjithë të interesuarit të aplikojnë për t’u anëtarësuar në këtë klub, si dhe ka njoftuar se aty do të bëhen shfaqje të filmave, diskutime mbi filma, lexime grupore, diskutime mbi lexime, libra e tema të ndryshme. “Klubi do të ketë anëtarësi dhe do të mbajë takime përgjatë javëve, ndërsa për muaj me radhë do të organizojë aktivitete si vijon: Shfaqje të filmave, diskutime mbi filma, lexime grupore, diskutime mbi lexime, libra e tema të ndryshme”, thuhet në njoftimin e kinemasë “Jusuf Gërvalla”.

Klubi përmes aktiviteteve të tij do të synojë ngritjen e vetëdijes shoqërore dhe mendimit kritik në qytetin e Pejës. Në hapësirat e kinemasë "Jusuf Gërvalla" anëtarët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë rreth filmit, shtjellimit të filmave, librave e temave të ndryshme shoqërore. Duke marrë parasysh apatinë shoqërore në vend, si dhe mungesën e mësimnxënies alternative, ky organizim ndër tjera ka për qëllim aktivizimin e komunitetit dhe ngritjen e mendimit kritik. Klubi i anëtarëve të parë të këtij klubi do të zgjasë një vit, ndërsa inkurajohen të aplikojnë të gjithë të interesuarit. Aplikimi për t'u anëtarësuar në klubin-kinema "Jusuf Gërvalla" fillon prej 01.11.2019 dhe mbaron më 22.11.2019.

“Jusuf Gërvalla”, kjo hapësirë kulturore shumëfunksionale

Duke kundërshtuar ashpër privatizimin e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në vitin 2017, organizata “Anibar” me mbështetjen e shumë organizatave tjera, si dhe të shoqërisë civile arriti të parandalojë një veprim të tillë. Pas kësaj kjo kinema iu dha në shfrytëzim po kësaj organizate, e cila u kujdes që ta rikthejë këtë kinema në një hapësirë kulturore të vetëqëndrueshme dhe shumëfunksionale dhe që ofron një numër programesh.

Kinemaja “Jusuf Gërvalla” është në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Kjo listë është e aprovuar nga Ministria e Kulturës, më datën 10.10.2016. Kinemaja është objekt i mbrojtur në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore. Kinemaja është ndërtuar në vitet e 50-ta të shekullit 20 dhe është njëra ndër objektet më të vjetra publike në Pejë. Në këtë ndërtesë është sjellë për herë të parë teknologjia e projektimin përmes shiritit filmik 35 mm, ndërsa tashmë shtatë dekada hapësira e saj është pikë referente për ngjarjet kulturore në qytet. Kinemaja “Jusuf Gërvalla” është dëshmi e traditës artistike, filmike dhe teatrale të qytetit dhe ka ndikuar në formësimin e identitetit kulturor dhe shoqëror të komunitetit.

Kinemaja “Jusuf Gërvalla” është hapësira më e rëndësishme e skenës kulturore të Pejës para dhe pas luftës së fundit. Në hapësirën e kinemasë “Jusuf Gërvalla” kanë lindur dhe janë zhvilluar një numër i madh i festivaleve të qytetit. Një pjesë e rëndësishme e suksesit, por edhe e vetë identitetit të këtyre festivaleve lidhet pikërisht me hapësirën e kinemasë “Jusuf Gërvalla”. Prandaj, çfarëdo tjetërsimi i kësaj hapësire nënkupton edhe sulm mbi këto ngjarje të skenës kulturore të Pejës. Përveç vlerave të trashëgimisë kulturore, kinemaja “Jusuf Gërvalla” është shndërruar edhe në një shënjues kulturor, pasi është njëra nga pikat e referimit më të njohura në qendrën e qytetit./ZËRI

Image

Image