Shtatorja pa adresë e Anton Çettës që një vit është gati por nuk po vendoset askund

Shtatorja pa adresë e Anton Çettës që një vit është gati por nuk po vendoset askund

Kultura November 03, 2019 - 22:29
Detajet

Figura e njërit prej veprimtarëve më të respektuar, qëndron e shkrirë në bronz për më shumë se një vit.

E në datat kur kujtohet ai, askush nuk mund të përkulet para saj.

Buzëqeshja e tij nuk u përshtatet aspak rrethanave dhe zhurmës që është krijuar për caktimin e lokacionit për të.

Ajo ende qëndron në atelienë e skulptorit Agon Qosa.

Të dielën u mbushën 24 vjet nga vdekja e Anton Çettës, e autori thotë se ende nuk i është lajmëruar askush.

Vendi më i përshtatshëm për vendosjen e saj ishte konsideruar institute Albanologjik.

As ky institucion që dikur krenohej aq shumë me të nuk i kishte gjetur vend Anton Çettës.

Ishte kundërshtuar zëshëm vendosja e shtatores së tij, në hapësirat e Institutit Albanologjik, me arsyetimin se hapësira nuk është e mjaftueshme.

Sekretari i Institutit kishte thënë se për të nderuar figurën e Anton Çettës kishin bërë diçka edhe më të madhe, një komplet prej 13 veprash, e që nuk kishin marrë përkrahje institucionale as për to.

Nga komuna e Prishtinës ishte premtuar caktimi i një lokacioni për vendosjen e saj, por që gjithçka duket se është lënë në harresë.

Për këtë T7 është interesuar edhe të dielën, që të marrë një përgjigje nga nënkryetari Selim Pacolli i cili ishte zotuar se do të merret më këtë çështje, por që ai ka qenë i paqasshëm.

E një nismë për ta nderuar Çettën ishte bërë edhe 16 vjet më parë.

Rezultat i saj tash është kjo pamje para shtëpisë së skulptorit Fatmir Hoxha.

Ndërrimi i pushteteve e pakënaqësi të tjera, kishin bërë që edhe këto të harrohen.

Ajo që nuk harrohet nga figura e Çettës është veprimtaria e tij, pasi që pajtimi i gjaqeve konsiderohet si një nga lëvizjet më të rëndësishme për kombin.

Çetta mbahet mend, për punën e madhe që ka bërë në mbledhjen e folklorit shqiptar.

Por veprimtaria e tij më e madhe, ishte në Lëvizjen e pajtimit të gjaqeve.