Baleti i Kosovës me 4 shfaqje gjatë nëntorit

Baleti i Kosovës me 4 shfaqje gjatë nëntorit

Kultura nëntor 04, 2019 - 11:02

Mbrëmë balerinët e Trupës Kombëtare të Baletit të Kosovës u ngjitën në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës për të dhënë reprizën e shfaqjes “O.Taka”, koreografinë e së cilës e ka bërë Sinan Kajtazi, balerin dhe njëherësh drejtor i kësaj Trupe, shkruan sot gazeta "Zëri".

E gjatë këtij muaji Trupa Kombëtare e Baletit pritet të duartrokitet nga publiku edhe tri herë të tjera. Siç mësohet nga programi i publikuar për muajin nëntor, më datën 7 balerinët do të prezantojnë shfaqjen “Recomposed”, koreografinë e së cilës e ka bërë Christophe Béranger dhe Jonathan Pranlas-Decsours.

Në anën tjetër me datën 11 nëntor para publikut prezantohet repriza e  shfaqjes “Andërr”. Koreografinë e kësaj shfaqje e ka bërë balerini i kësaj trupe, Kreshnik Musolli.

Programin e muajit nëntor Trupa Kombëtare e Baletit e përmbyll me baletin  e famshëm “Le Corsaire”, të cilin e shfaq më datën 21.  Koreografinë e kësaj shfaqje balerinëve kosovarë ua ka mësuar bashkëpunëtori i tyre dhe koreografi Israel Rodriguez. Të gjitha shfaqjet e Trupës Kombëtare të Baletit të Kosovës jepen në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në orën 20:00, dhe hyrja në to është falas. Zëri