'Artistët e së Nesërmes' ekspozojnë nga e mërkura në Klubin e Boksit

'Artistët e së Nesërmes' ekspozojnë nga e mërkura në Klubin e Boksit

Kultura nëntor 05, 2019 - 09:58

“Stacion” – qendra për art bashkëkohor në Prishtinë hap të mërkurën ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së Nesërmes 2019”. Çmimi “Artistët e së Nesërmes” është pjesë e programit, i cili ndan çmimin për artistët e rinj në fushën e arteve vizuale – YVAA (Young Visual Artists Awards), pjesë e dhjetë çmimeve të ngjashme të organizuara në Evropën Qendrore dhe në atë Lindore, me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe të zhvillimit të artit bashkëkohor e të shoqërisë civile, shkruan sot gazeta "Zëri".

Finalistë për çmimin “Artistët e së Nesërmes 2019” janë: Somer ëpat, Edona Kryeziu dhe Dion Zeqiri, ndërsa puna kuratoriale është realizuar nga Vala Osmani dhe nga Albert Heta.

Ekspozita do të hapet më datë 6 nëntor, në orën 20:00, te Klubi i Boksit. Ndërsa fituesi i çmimit “Artistët e së Nesërmes 2019” do të shpallet më 6 dhjetor 2019 në Klubin e Boksit në Prishtinë, në mbylljen e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së Nesërmes 2019”.

Juria e çmimit “Artistët e së Nesërmes 2019”, e përbërë nga Charles Esche, drejtor i “Van Abbemuseum”-it në Eindhoven, Qëndresë Deda, artiste dhe fituese e çmimit “Artistët e së Nesërmes 2018”, Adam Kleinman, “Fondacionin Kadist Art”, Sezgin Boynik, teoriticient dhe redaktor, Jelena Vesië, kuratore, shkrimtare, redaktore dhe ligjëruese, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së Nesërmes 2019”.

Somer ëpat është përzgjedhur në listën e ngushtë për projektin e tij të jashtëzakonshëm në lidhje me ngritjen dhe me rënien e industrisë hekurudhore në Kosovë. Puna e tij tregon përpjekjet kolektive të modernizimit të Kosovës në kohën e Jugosllavisë si kontrast të tranzicionin shoqëror dhe mbetjet e strukturuarve të progresit industrial e si mbetjet e tyre janë të përfshira në jetën e përditshme kosovare, në një mënyrë të jashtëzakonshme. Punët e tij përqendrohen në çështje politike si në kontekstin lokal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Në mënyrë retroaktive veprat e tij të artit përpiqen t’i shtjellojnë format e ndryshme dhe përfaqësim të dhunës shtetërore. Kjo dhunë mund të jetë imponim i imazheve nga shteti, ose shkatërrimi i infrastrukturës publike nga pronat private. Ai i konsideron studimet arkivore si pjesë shumë të rëndësishme të produksionit të tij. Pasi kaloi kohë në arkiva për të gjetur materiale për projektin e tij hekurudhor në vazhdim Somer zbuloi portretet e punëtorëve vullnetarë, të cilët ndërtuan linjat hekurudhore dhe ky zbulim ndryshoi drejtimin e punës së tij dhe i dha asaj një tjetër ritëm.

Edona Kryeziu (1994) ka lindur në një qytet të vogël gjerman afër kufirit francez. Ajo pjesën më të madhe të fëmijërisë dhe të adoleshencës e kaloi në Koln, Gjermani. Atje ajo u rrit në mesin e njerëzve të tjerë, prindërit e të cilëve nuk ishin nga Gjermania. Vizita në një shkollë të mesme, që ishte kryesisht gjermane dhe e krishterë, e bëri atë të mendojë për gjendjen e emigrantëve, narracionin e famshëm “përplasje kulturore”, ndarjen urbane, për privilegjin dhe për pabarazinë. Në moshën 18-vjeçare ajo kaloi një vit në periferi të Buenos Aires, Argjentinë, ku punoi me qendrat e komunitetit lokal për të mbështetur të margjinalizuarit. Ishte aty ku ajo mësoi të vinte në pikëpyetje statusin quo-në, e cila e shtyu atë fillimisht drejt studimit të Shkencave Shoqërore në Maastricht dhe Universitetin e Stambollit e pastaj Antropologjinë e Migracionit dhe Diasporën në Universitetin SOAS në Londër.

Dion Zeqiri (1996) ka përfunduar studimet bachelor në Dizajn Enterier në Universitetin e Prishtinës (2018). Ai punon në një kompani të dizajnit si përpilues i projekteve kreative. Dion Zeqiri ka filluar të pikturojë në shkollën fillore, në stile të ndryshme. Zeqiri punon me mediume të ndryshme si: instalacion, skulpturë, video dhe objekte të gatshme të gjetura, që në vazhdimësi kërkon të vërë në theks ato objekte të gjetura për përkthimin e tyre në komunikim, që e vendos gjuhën në shkallë shoqërore. Ekspozita e parë e Dion Zeqirit ishte ekspozita personale “Rumination” (2018), e mbajtur në “Hapësira Motrat”, Prishtinë, Kosovë.

Çmimi “Artistët e së Nesërmes” është çmim kyç dhe i pavarur, i organizuar në bashkëpunim me “Residency Unlimited” në Nju-Jork, i mbështetur nga “The Trust for Mutual Understanding” në Nju-Jork. Çmimi “Artistët e së Nesërmes” është një projekt unik, i cili u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35-vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi specifiko-edukativ, të kenë takime dhe prezantime për një juri ndërkombëtare. Ky çmim u mundëson atyre të marrin pjesë në një ekspozitë të përbashkët me finalistët e tjerë në “Stacion” – qendrën për art bashkëkohor Prishtinë, por edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju-Jorkut, për dy muaj qëndrimi në “Residency Unlimited” dhe pas kthimit nga SHBA-ja të kenë ekspozitë personale në “Stacion” - qendra për art bashkëkohor në Prishtinë. Qëllimi i çmimit “Artistët e së Nesërmes”, i organizuar në Kosovë nga “Stacioni” – qendra për art bashkëkohor Prishtinë, është që t’u ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësojë vazhdimin e punës së tyre duke i zhvendosur ata nga një rol margjinal në një rol qendror në shoqëri. Zëri