MASHT-i nuk e themelon as grupin punues për shkollën e baletit

MASHT-i nuk e themelon as grupin punues për shkollën e baletit

Kultura November 08, 2019 - 10:12
Image

 

Në janar të këtij viti Ministria e Arsimit, e Shkencës e Teknologjisë ishte zotuar se do të shqyrtonte mundësinë e hapjes së një shkolle të baletit në Kosovë. Sipas zyrtarëve të MASHT-it, për këtë çështje pritej të themelohej gjatë janarit edhe një grup punës me përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, të Rinisë e të Sportit, si dhe të Trupës Kombëtare të Baletit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kjo deklaratë erdhi pas një kërkese që Trupa Kombëtare e Baletit e Kosovës e bëri përmes ministrit në largim të Kulturës, të Rinisë e të Sportit, Kujtim Gashi, për themelimin e një shkolle që do të përgatiste profesionalisht balerinët e Kosovës. Kjo për arsye se ndonëse kanë paraqitje të suksesshme vazhdimisht brenda e jashtë vendit, aktualisht në Kosovë këta artistë nuk kanë një shkollë të profilizuar për ta.

Gashi i pati kërkuar MASHT-it të themelojë shkollën kombëtare të baletit në Republikën e Kosovës përmes një letre publike. Duke i shkruar ish-ministrit Bytyqi, Gashi pati theksuar se vlerëson që kjo shkollë do t’i sigurojë vendit tonë breza të rinj të balerinëve, të cilët do të jenë të përgatitur dhe të shkolluar nga kuadro profesionale dhe që do t’i ndihmojë Baletit Kombëtar të Kosovës dhe veprimtarisë së baletit në përgjithësi.

 Në janar të këtij viti gazeta “Zëri” pati kontaktuar Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë për t’i pyetur se si do t’i përgjigjen kërkesës së Ministrisë së Kulturës, të Rinisë e të Sportit. Zyrtarë të MASHT-it patën thënë për “Zërin” se ka një interesim e përkushtim nga ana e ministrit Bytyqi dhe se në gjysmën e janarit do të themelohet grupi punues. Por një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur as tash, 11 muaj më vonë. “Janë dakorduar që ky proces të fillojë zbatimin që nga gjysma e janarit të këtij viti dhe të themelohet grupi punues. Ministri ka vendosur ta formojë një grup punues dhe në këtë grup do të jetë e përfshirë dhe Ministria e Kulturës, ku do të fillohet edhe procesi i analizës e i themelimit sa më të shpejtë të kësaj shkolle”, pati theksuar zëdhënësi i MASHT-it, Valmir Gashi.

Se askush nga MASHT-i në këtë periudhë gati njëvjeçare nuk i ka kontaktuar më për këtë çështje e konfirmon edhe balerini dhe koreografi Sinan Kajtazi. Ai ka treguar për “Zërin” se përveç një takimi të mbajtur në fillim të vitit, ku morën premtimin për formimin e një grupi punues për themelimin e kësaj shkolle, nuk ka pasur ndonjë hap tjetër para. Në anën tjetër, këtë javë gazeta “Zëri” nuk ka arritur të marrë një përgjigje nga Zyra për Medie e Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë lidhur me projektin e themelimit të shkollës së baletit.

Më tepër se 40 vjet pritje për një shkollë kombëtare të baletit

Nevojën që të kenë një shkollë profesionale balerinët e Kosovës e kanë shumë moti. Për “Zërin” Ahmet Brahimaj, ish-drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, ka theksuar se kërkesa për themelimin e një shkolle profesionale kombëtare të baletit daton prej viteve të ’75-ta. Ai kujton vitet e 2000-ta, kur është themeluar Dega e Baletit në kuadër të Shkollës së Muzikës, e cila numëronte gjithsej 25 balerinë e balerina e që sipas Brahimajt janë të dëshmuar profesionalisht. “Ne kemi bërë kërkesa prej pasluftës. Jemi takuar me ministra të ndryshëm, mirëpo nuk kemi hasur akoma në pikën që mund të shihen rezultate. Nuk është një problem për një shtet sido që të jetë të ketë një objekt të shkollës së baletit”, tha ai.

Brahimaj thekson se problemi më i madh është se qeveritë ndryshojnë shpesh e sipas tij punët që fillohen mbeten përgjysmë dhe kjo ndikon në procesin e realizimit dhe finalizimit të projekteve. Brahimaj thotë se problemi më i madh qëndron se ligjet për kulturë i bëjnë njerëzit pa eksperiencë, njerëz që nuk janë të profesionit. I pyetur se a ka kuadro të mjaftueshme që do të ligjëronin në këtë shkollë, ish-drejtori i BKT-së tha se balerinët e Trupës së Baletit janë të shkolluar dhe do të mundë ta bënin këtë punë. “Sa i përket lëndës profesionale, kemi trupën që çdo ditë luajnë, ushtrojnë dhe janë kuadro që i kemi shkolluar vetë. Këta të rinj do të përkryejnë më shumë këtë profesion si rezultat i kushteve më të mira”, theksoi ai. Më tutje ai sugjeron se nëse themelohet kjo shkollë mund ta ketë model Shkollën e Baletit në Tiranë, e cila sipas tij është një shkollë moderne me kuadro të shkëlqyeshme. Zëri