Marin Alsop, dirigjentja e parë femër e Orkestrës së Vjenës

Marin Alsop, dirigjentja e parë femër e Orkestrës së Vjenës

Kultura November 08, 2019 - 10:15

Orkestra e famshme simfonike e Vjenës ka emëruar dirigjenten e parë femër. Është ky një revolucion i vogël në kryeqytetin botëror të muzikës klasike.

Orkestra Simfonike Radiofonike e Vjenës po feston 50-vjetorin e saj me një grua në krye. Dirigjentja amerikane, Marin Alsop, po e kryeson orkestrën që nga 1 shtatori. Para emërimit të saj vetëm meshkuj ishin zgjedhur për detyrën prestigjioze. Edhe pse është gruaja e parë që po udhëheq këtë orkestër, Alsop thotë se është ndier e mirëpritur, shkruan sor gazeta "Zëri".

“Është interesante sepse Vjena ka një histori dhe një traditë të gjatë, e ka edhe reputacionin se është shumë konservatore dhe nuk ka pjesë të saj shumë gra, veçanërisht në orkestra. Por unë nuk e kam ndier një mirëpritje të tillë prej kohësh. Ishte shumë e ngrohtë. Njerëzit janë të entuziazmuar. Duket sikur ata janë gati për ndryshim dhe thonë ‘le ta bëjmë këtë’. Ndaj jam shumë e lumtur për këtë”, shprehet Marin Alsop.

Alsop tregon se kur e filloi karrierën si dirigjente ndihej shumë e vetmuar në një fushë të mbushur me meshkuj. Por sot është e entuziazmuar sepse ka një pafundësi zgjedhjesh për gratë e reja në fushë. “Performanca e dirigjentes së re është pëlqyer shumë edhe nga spektatori vjenez, po aq konservator sa edhe vetë orkestra simfonike. Nuk kemi vënë re asnjë dallim mes një dirigjenti mashkull dhe një dirigjenteje femër”, thonë ata.

Orkestra Filarmonike e Vjenës është themeluar në vitin 1842 nga Otto Nicolai. Me këtë orkestër deri më tani kanë punuar dirigjentë të shquar, si Richard Strauss, Arturo Toscanini, John Barbirolli, James Levine, Zubin Mehta, Claudio Abbado, Riçardo Muti, Nikolaus Harnoncourt, Pierre Boulez, Lorin Maazel, Mariss Jansons, Daniel Barenboim dhe Valery Gergiev.

Tipar dallues i kësaj orkestre është se çdo ditë të vitit të ri, që prej 1 janarit 1941, Orkestra Filarmonike e Vjenës interpreton në "Koncertin e Vjenës", i dedikuar për muzikën e kompozitorëve të familjes Strauss. Sipas statistikave, çdo vit ky koncert ka të paktën 50 milionë shikues nga 90 vende të botës, por të shumtë janë edhe ata që e dëgjojnë në valët e radiove. Zëri