'Bryma e vdekjes' u mirëprit për të tetën herë në TKK

'Bryma e vdekjes' u mirëprit për të tetën herë në TKK

Kultura November 12, 2019 - 10:13

Liridona Ahma

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës u luajt repriza e shfaqjes “Bryma e vdekjes” nga autori Milazim Krasniqi, në regji të Burbuqe Berishës. Shfaqja “Bryma e vdekjes”, premiera e së cilës është dhënë në prill, është realizuar për nder të shënimit të 20-vjetorit të eksodit shqiptar, gjegjësisht të ngjarjes së Bllacës.

Për gazetën “Zëri” regjisorja Burbuqe Berisha ka treguar se kjo ishte hera e tetë që shfaqja e saj u prezantua në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe se sipas marrëveshjes që ka me këtë institucion, kjo shfaqje do të vazhdojë të luhet deri në prill të vitit 2020. Sipas saj, për shfaqjen ka pasur interesim të mjaftueshëm nga publiku, mirëpo Berisha mendon se do të kishte qenë ende më e shikuar nëse do të kishte pasur më shumë marketing nga ana e TKK-së. “Komentet kanë qenë nga më të ndryshmet, për faktin se është jetësuar një temë e tillë, e cila është shumë e ndjeshme e që ka pasur efekt edhe te publiku. Nëntëdhjetë për qind prej tyre kanë pasur komente pozitive. Jam shumë e kënaqur me gjithë ekipin që kam punuar dhe ia kanë arritur ta pasqyrojnë një dramë, të cilën e kemi përjetuar para 20 vjetëve”, ka thënë Berisha, duke shtuar se është  shumë e kënaqur me aktorët dhe me Trupën e Baletit që marrin pjesë në këtë shfaqje. “Bryma e vdekjes” ka rreth 47 performuesë, ku përfshihen aktorë, si dhe balerinë.

Një fakt që e ka shqetësuar regjisoren është pamundësia për ta bartur shfaqjen jashtë Kosovës. Ajo ka pritur që kjo shfaqje të jetë e pranishme në trevat shqiptare, si në Shkup, në Tiranë, në Gostivar sepse ka pasur shumë kërkesa. Mirëpo Teatri ende nuk ka pasur mundësi ta lëvizë shfaqjen jashtë vendit, sepse është e vështirë të menaxhohet udhëtimi i një ekipi kaq të madh. Pavarësisht kësaj, regjisorja Berisha shpreson se në të ardhmen këtë shfaqje të mundë ta luajnë në njërën prej këtyre qyteteve.

Në këtë shfaqje në rolet e tyre paraqiten aktorët: Valmir Krasniqi, Albulena Kryeziu-Bokshi, Bujar Ahmeti, Teuta Krasniqi, Artiola Hamdija, Blerta Deliu, Afrim Muqa, Naim Berisha, Ismet Azemi, Shpetim Kastrati, Labinot Raci, Xhejlane Godaci dhe Adhurim Demi.

Duke qenë se ekipi i kësaj shfaqjeje është i madh, rreth 47 vetë në skenë, ku përfshihet edhe Trupa e Baletit Kombëtar e Kosovës, për të gjithë ata që kanë punuar në këtë projekt ky ka qenë proces i bukur. Përveç atyre që shihen në skenë, prapaskena ka edhe një ushtri të tërë që vihet në funksion të shfaqjes. Duke filluar nga autori i shfaqjes prof. Milazim Krasniqi, regjisorja Burbuqe Berisha, bashkë me dramaturgen e shfaqjes Seadete Beqirin dhe asistentin e shfaqjes Bashkim Ramadanin. Pastaj skenografia e mrekullueshme është punuar nga Petrit Bakalli, kurse kostumet janë realizuar me shumë kujdes nga Albulena Borovci. Pjesë e ekipit është edhe mjeshtri i muzikës Florent Boshnjaku, i cili e ka fuqizuar shfaqjen përmes muzikës që ka kompozuar. Sinan Kajtazi është koreografi i shfaqjes, i cili bashkë me Trupën e Baletit janë bazë e fortë për të gjithë.

 

Një shfaqje si muze i gjallë

Në anën tjetër, për eksperiencën e tyre në këtë shfaqje për gazetën “Zëri” folën aktorët Albulena Kryeziu-Bokshi dhe Valmir Krasniqi. Aktorja Albulena Kryeziu-Bokshi tha se roli i saj në këtë shfaqje ishte mjaft sfidues për faktin se ajo paraqitet në një rol negativ, pasi shumicën e kohës është e veshur nën petkun e një plake të vetmuar shqiptare, e cila është memece. Por në fakt ky personazh ka qenë kamuflazh i një spiune serbe, e cila futet ne kampin e Bllacës, në mesin e refugjatëve që t’i përgjojë ata. Sipas aktores Kryeziu-Bokshi shfaqja përtej vlerës artistike është edhe si dëshmi e historisë dhe i shërben mbamendjes kolektive. “Bymën e vdekjes” ajo e cilëson si një muze të gjallë, sidomos për gjeneratat e reja.“Duke qenë se edhe vetë kam qenë refugjate gjatë luftës, vështirësia më e madhe ka qenë ‘tejkalimi’ i emocioneve dhe i përvojës individuale, ani pse në këtë shfaqje luaj një spiune serbe. Gjatë punës përgatitore shpesh është dashur të bëjmë pauzë në prova, sepse rrëfimet e Bllacës na bënin shumë emocionues dhe pastaj ishte e pamundur të vazhdonim me prova”, tregon Albulena, duke shtuar se pa angazhimin e këtij ekipi të madh shfaqja nuk do të arrinte këtu ku është tani dhe se është falënderuese ndaj të gjithëve.

“Sa i përket ekipit të aktorëve kam pasur kënaqësinë të jem përkrah tyre, sepse çdonjëri ka qenë konstruktiv dhe me një energji super të mirë. I mbetet publikut të vijë dhe ta shijojë lojën e mrekullueshme të aktorëve, të cilët unë kam pasur fatin t’i kem partnerë skenikë”, përfundoi kështu Kryeziu-Bokshi. 

Rolin kryesor në këtë shfaqje e sjell Valmir Krasniqi. Te “Bryma e vdekjes” ai është Fitimi, një djalosh i cili ka ngelur me probleme psikike prej luftës dhe çdoherë flet përçart. Pastaj prej një djaloshi që flet përçart ai shndërrohet në një profet, i cili parashikon gjërat. Këto ndryshime të shumta personaliteti për Krasniqin kanë qenë shumë sfiduese. Sipas tij, për ta ngritur këtë rol në skenë në mënyrë mjeshtërore nevojitet shumë përkushtim, energji dhe një përgjegjësi e madhe. “Vështirësia më e madhe është se ti je motori i shfaqjes dhe duhet të japësh gjithçka nga vetja. Unë jam munduar ta mëshiroj te vetja çdo veti që përjeton një njeri me posttraumatizëm  në jetën e tij, të qasem komplet në rol dhe kjo ka qenë një barrë e madhe për mua”, thotë Krasniqi.

Tutje aktori kryesor i shfaqjes thekson se për këtë projekt kanë marrë komente të shumta nga publiku, porse atij i ka ngelur në mendje një zonjë që ishte prekur shumë nga shfaqja. “Në momentin kur përfundoi shfaqja një zonjë u afrua të më uroj, mirëpo nuk i dilnin fjalët, ajo vetëm qante dhe me përqafoi duke thënë: ‘Faleminderit për gjithçka’”, tregoi Krasniqi. 

Shfaqja “Bryma e Vdekjes” trajton një temë shumë të ndjeshme, sepse përmes saj pasqyrohet përjetimi kolektiv i shqiptarëve të Kosovës, të cilët u dëbuan nga shtëpitë e tyre në vitin 1999. Sipas autorit Milazim Krasniqi, qëllimi i këtij teksti ka qenë që të jetësohet përmes artit ky përjetim i popullit tonë.Zëri.